Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare licencoi të martën fondin më të ri të investimeve, ABI EIA.
Ky është fondi i nëntë i investimeve i licencuar deri tani në Shqipëri dhe do të menaxhohet nga shoqëria menaxhuese e sipërmarrjeve të investimeve kolektive ABI Invest.
ABI Invest u licencua nga Bordi Drejtues i AMF në muajin shkurt të vitit 2020 dhe ABI EIA është fondi i parë që institucioni në fjalë do të ketë nën administrim.
ABI Invest është një shoqëri që zotërohet nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank)
Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive ka aktualisht pesë shoqëri të licencuara dhe shumica e tyre janë të lidhura me grupe financiare të tregut bankar dhe atij të sigurimeve.
ABI EIA është fondi i katërt i investimeve që licencohet gjatë vitit 2020, pas Albsig Standard, Raiffeisen Miks dhe WVP Global. Prospekti dhe profili i investimit të fondit ende nuk janë bërë publike nga AMF dhe shoqëria administruese.
Në fund të muajit shtator 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67 miliardë lekësh ose 540 milionë eurove. Vlera e aseteve neto është pothuajse e pandryshuar që nga fillimi i vitit, ndikuar pjesërisht edhe nga kriza ekonomike e lidhur me pandeminë. Prej disa vitesh, tregu duket se ka arritur një fazë ngopjeje dhe nuk po arrin më rritje domethënëse të vlerës së aseteve apo bazës së investitorëve. Pavarësisht nga kjo, në dy vitet e fundit ai ka tërhequr investitorë të rinj, më konkretisht grupin financiar Albsig dhe ABI Bank.
Të paktën në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Ky është një faktor që pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk lejon sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po përpiqet të nxisë diversifikimin e tregut dhe drejtori i ri ekzekutiv, Ervin Mete, gjatë këtij viti ka kthyer në vëmendje idenë e listimit të kompanive publike në bursë. Listimi në bursë i shoqërive aksionare, publike ose private, për të tregtuar titujt e tyre të borxhit ose të kapitalit, do të zgjeronte spektrin e instrumemteve financiarë në treg, duke sjellë edhe potenciale të mëtejshme rritjeje për fondet e investimit.
Që nga fillimi i vitit 2018, në Shqipëri vepron një bursë e licencuar, por që deri tani është angazhuar vetëm në tregtimin e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kompanite publike kane +3 vjet pa deklaruar pasqyrat financiare e ne anen tjeter dashkan te listohen ne burse😱 Shpresojme 2021 te jete vit i qete e me kembe ne toke… Gezuar Monitor