Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, mori pjesë në takimet vjetore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB), zhvilluar në formatin online.
Diskutimet e këtyre takimeve u përqendruan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, situatën në tregjet financiare, si edhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë për të ardhmen.
Në veçanti, tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit i janë rikthyer normalitetit, referuar treguesve dhe ecurisë së tyre përgjatë vitit 2021. Këto tregje paraqiten të mirëkapitalizuar dhe me nivel të mirë likuiditeti.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së falenderoi drejtuesit e FMN-së dhe BB-së për asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të Autoritetit.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vlerësuan se Shqipëria u rezistoi efekteve të pandemisë dhe tregjet financiare paraqiten të qëndrueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.