Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndryshuar rregulloren “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” duke u ndalur në dy pika. Së pari AMF ka ndryshuar pjesën që lidhet me provigjonin teknik të primit të pafituar dhe së dyti ka kërkuar që shoqëritë të bëjnë publikimin në faqen e tyre të internetit të primeve të sigurimit dhe primeve të riskut.
“Shoqëria publikon primet e rrezikut si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit në faqen e saj të internetit dhe i mban ato të afishuara në faqe gjatë gjithë periudhës së zbatimit” thuhet në rregulloren e ndryshuar nga AMF. Kjo do të thotë që kompanitë do të jenë më transparente me konsumatorët.
Nga ana tjetër rregullorja ka përcaktuar që provigjoni teknik i primit të pafituar llogaritet nga shoqëria e sigurimit për produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe e dërgon atë në Autoritet brenda datës 10 mars të çdo viti.
“ Autoriteti, mbi bazën e të dhënave llogarit primin e rrezikut në nivel tregu dhe e publikon atë brenda datës 31 mars. Shoqëria e sigurimit llogarit nivelin e provigjoneve teknike të primit të pafituar të sigurimit të detyrueshëm motorik, duke u kujdesur që njëherazi Provigjionet teknike të llogariten për çdo policë sigurimi. Vlera e provigjioneve teknike të jetë të paktën sa vlera më e lartë midis primit të rrezikut të llogaritur nga vetë shoqëria e sigurimit dhe primit të rrezikut në nivel tregu të llogaritur nga Autoriteti” thuhet në rregulloren e ndryshuar të AMF.
Sipas rregullores provigjoni teknik i primit të pafituar është provigjoni teknik për atë pjesë të primit të marrë, që i përket periudhës së rrezikut pas daljes së mbylljes së periudhës financiare. Në këtë provigjon teknik duhet të merret parasysh përgjegjësia për vazhdimësinë e mbulimit deri në përfundimin ose rinovimin e ardhshëm të policës, si edhe nëse i siguruari kërkon ndërprerjen e kontratës para afatit të shënuar në policë, deri në datën e ndërprerjes. Provigjoni teknik duhet përllogaritur në veçanti për çdo policë në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.