Prononcim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Tregu më anemik në gjithë tregjet që mbikëqyr sot Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbetet ai i Fondeve të Pensionit Vullnetar. Nëpërmjet disa ndryshimeve ligjore që pritet të miratohen së shpejti dhe synojnë zgjerimin e transparencës dhe rregullimit në këto tregje AMF synon që t’i japë një stimul të ri rritjes së përgjithshme të fondeve.
Nga ana tjetër, si një detyrë e ngarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për hartimin e një dokumenti analitik mbi opsionet e kolonës së dytë, AMF njofton se tashmë ka ngritur grupin e punës që do të analizojë variantet për zgjerimin e skemës së pensioneve me një kolonë të dytë, që është private e detyrueshme.
Si ka qenë ecuria e tregut të pensioneve private viteve të fundit. Si është tendenca në 2019?
Edhe gjatë vitit 2018, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre 3 fonde të pensionit vullnetar, të administruar nga tre shoqëri administruese.
Ky treg, që prej fillimit të aktivitetit të tij dhe sidomos që prej hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për Fondet e Pensionit Vullnetar”, ka shënuar tendencë të vazhdueshme në rritje, si për sa u përket aseteve nën menaxhim, ashtu edhe numrit të kontribuuesve. Numri i anëtarëve të fondeve private të pensionit është rritur nga 4,992 në vitin 2010, në 25,298 anëtarë në vitin 2018, ndërsa totali i aseteve neto të këtij tregu është rritur nga 112 milionë lekë në vitin 2010 në rreth 2.3 miliardë lekë në vitin 2018. Nëse do të krahasojmë këta dy tregues me fundin e vitit 2016 rezulton se në vitin 2018, asetet neto janë rritur me rreth 73.6%, kurse numri i anëtarëve është rritur me rreth 46.1%.
Me gjithë zhvillimet pozitive dhe faktin që tregu i pensioneve vullnetare është domosdoshmëri për t’u siguruar një pension shtesë qytetarëve, me qëllim rritjen e standardit të jetesës së tyre, ky treg është ende i papërfillshëm krahasuar me madhësinë e ekonomisë. Vlera neto e aseteve të këtij tregu është rreth 0.1% e PBB-së, që tregon se ky treg është më pak i zhvilluari nga gjithë tregjet e mbikëqyrura nga Autoriteti.
Tendenca në rritje e këtij tregu ka vijuar edhe në 3-mujorin e parë të këtij viti dhe pritet të vazhdojë.
Çfarë masash ka marrë ose po ndërmerr AMF për të nxitur rritjen e këtij tregu?
Shkalla e njohurive për produktet e tregut të pensioneve private është mjaft e kufizuar si për individët, ashtu edhe punëdhënësit apo punëmarrësit. Ndërgjegjësimi i ulët për të kontribuar në skemën e pensionit privat vullnetar është faktori kryesor frenues që shpjegon edhe shkallën e ulët të pjesëmarrjes në këtë skemë.
Edhe vetë AMF ka rol të rëndësishëm si në procesin e edukimit konsumator, ashtu edhe në forcimin e besimit në tregun e pensioneve private vullnetare në veçanti dhe në tregun financiar që mbikëqyr në përgjithësi. Këtyre objektivave u shërbehet nëpërmjet: krijimit të strukturave mbikëqyrëse të qëndrueshme për tregun e pensioneve private, të organizuara në mënyrë efektive dhe me ekspertizë; ndjekjes së një politike të kujdesshme licencimi; rritjes së pranisë në publik dhe vënies së theksit në planet afatmesme të veprimit tek elementet e edukimit dhe mbrojtjes konsumatore; dhe forcimit të rolit, duke implementuar që prej vitit 2016 metodologjinë e mbikëqyrjes me bazë rreziku.
Autoriteti ka hartuar strategjinë “Për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2022. Pjesë e kësaj strategjie është angazhimi i AMF-së, në nisma konkrete, me qëllim stimulimin e rritjes së tregut të pensioneve private. Gjithashtu, strategjia “Për mbrojtjen e konsumatorit/investitorit 2017-2020” synon ndërmarrjen e fushatave ndërgjegjësuese dhe nismave për edukimin financiar në Shqipëri.
Në kuadër të kësaj strategjie, Autoriteti ka realizuar një sërë aktivitetesh si: Zhvillimi me sukses i dy konferencave kombëtare, (tashmë një traditë e përvitshme) për “Edukimin Financiar”. Në këto konferenca morën pjesë studentë dhe stafi akademik nga universitete publike dhe private në vend, të cilët kontribuuan me punime të ndryshme të tyre, për çështje të lidhura me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Prania e Autoritetit në universitete të ndryshme, duke prezantuar institucionin, veprimtarinë e tij, si dhe tregjet nën mbikëqyrje, nëpërmjet leksioneve të hapura dhe bashkëbisedimeve është një tjetër formë për rritjen e edukimit financiar.
Gjatë vitit 2018 janë nxitur shoqatat për të rritur rolin e tyre për sa i përket edukimit financiar të publikut, të cilat kanë filluar të ushtrojnë aktivitete në publik dhe në media. Kryerja e praktikave studentore pranë AMF-së për disa studentë, si dhe koordinimi i këtij procesi për të mundësuar kryerjen e praktikave mësimore të studentëve pranë subjekteve nën mbikëqyrje është një tjetër nismë në kuadër të rritjes së edukimit financiar.
Për më tepër, në nëntor të këtij viti, Shqipëria do të jetë vendi pritës i konferencës vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve (IOPS), e cila do të organizohet nga Autoriteti, dhe do të ketë pjesëmarrje në nivel global, të Autoriteteve Mbikëqyrëse të Tregut të Pensioneve, si dhe pjesëmarrje të konsiderueshme nga tregu. Konferenca vlerësohet si eventi më i rëndësishëm global që organizohet në Shqipëri në lidhje me pensionet private në vitet e fundit. Konferenca, ndër të tjera, synon promovimin e rëndësisë së kursimit për pension, si dhe do të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave më të mira në lidhje me nxitjet për pjesëmarrje në skemën e pensioneve private si dhe në lidhje me avantazhet e zbatimit të kolonës së dytë të pensioneve.
Gjithashtu Autoriteti ka depozituar disa ndryshime ligjore në Ligjin “Për Fondet e Pensionit Vullnetar” dhe është në pritje të miratimit të tyre. Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të zhvillojnë më tej tregun e pensioneve vullnetare, si dhe të zgjidhin disa problematika të hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual. Ndryshimet kryesore të propozuara konsistojnë në:
• Krijimin e kushteve të përshtatshme për zbatimin e mbikëqyrjes me fokus rrezikun;
• Rritjen e transparencës dhe informimit të konsumatorit nga ana e shoqërive;
• Futjen e konceptit të “fondit me model të gatshëm”, që nënkupton fondin e pensionit të zgjedhur nga shoqëria administruese/ofruesi i autorizuar në fushën e pensioneve, me kushte të përcaktuara nga kjo e fundit, që u ofrohet anëtarëve në rastet kur këta nuk kanë zgjedhur vetë fondin(et) e pensionit ku do të kontribuojnë;
• Parashikimi i detyrimit të shoqërisë administruese të krijojë struktura dhe të parashikojë procedura për trajtimin e ankesave;
• Rregullimi i përgjegjësisë së depozitarit dhe funksioneve të tij;
• Rregullimi i planit profesional të pensionit dhe në veçanti rolin e punëdhënësit në këto skema, për të rritur kështu numrin e planeve profesionale, si një zgjidhje e përshtatshme për të siguruar përfitime shtesë në moshën e pensionit.
Ndryshimet synojnë përqasjen e legjislacionit me Direktivat e KE-së. Zhvillimi i tregut të pensioneve private vullnetare është shumë i rëndësishëm për të garantuar mirëqenien e brezit të tretë të popullsisë.
Çfarë do të bëjë AMF për detyrën që i ka ngarkuar Kuvendi lidhur me analizën për kolonën e dytë në skemën e pensioneve?
Me qëllim rritjen e pjesëmarrjes në skemat private të pensionit dhe plotësimin e të ardhurave të qytetarëve me burime të tjera financiare mbetet i nevojshëm reformimi tërësor i sistemit të pensioneve në vend. Kjo nënkupton zgjerimin me skema alternative pensionesh dhe nxitjen e rritjes së shkallës së kursimit. Në rastin e Shqipërisë, dy janë objektivat madhorë të këtij reformimi: (i) nxitja e vazhdueshme e kolonës së tretë dhe (ii) reforma e kolonës së dytë. Vendet e rajonit, si Republika e Maqedonisë së Veriut apo Kroacia, si rezultat i reformës së ndërmarrë për implementimin e kolonës së dytë karakterizohen nga një stad më i lartë zhvillimi të tregut të pensioneve private.
Në kuadër të rekomandimit të lënë në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe bazuar në strategjinë e Autoritetit, një nga prioritetet është “Promovimi i tregjeve me fokus fondet e pensioneve”. Zgjerimi i skemës së pensioneve private drejt kolonës së dytë është një kusht paraprak për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në tërësi.
Gjatë takimeve të zhvilluara me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të misionit të tyre në Shqipëri, është parë e domosdoshme edhe zhvillimi i sistemeve alternative të pensioneve. Organizimi i kolonës së dytë, e cila përdoret në shumicën e vendeve në Europë, ka qenë pjesë e rekomandimeve në raportin përfundimtar që hartoi misioni i FMN-së për Shqipërinë.
Aktualisht, zhvillimi i kolonës së dytë kërkon një bashkëpunim më të gjerë ndërinstitucional, si dhe disa nisma ligjore ku, përveç ligjit të fushës, kërkohet të ndryshojnë dhe ligje të tjera që prekin fusha te ndryshme. Autoriteti, në bashkëpunim me shoqatën e “Siguruesve të Jetës, Fondeve të Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve”, ka ngritur një grup të përbashkët pune, i cili do të hartojë dokumentin fillestar në lidhje me mundësinë e zgjerimit të skemës së pensioneve private, si dhe ndryshimet ligjore që kërkohen për implementimin e kolonës së dytë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.