Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi së fundmi regjistrimin e fondit të parë të investimeve alternative në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Sea Land Investment, fond i themeluar në fund të vitit të kaluar me aksioner kryesor Credins Bank. Fondi do të administrohet nga Credins Invest, që në Dhjetor 2020 u bë shoqëria e parë e licencuar për të administruar fonde të këtij lloji. Depozitar i fondit pritet të jetë Banka Amerikane e Investimeve.
Ligji i ri për sipërmarrjen e investimeve kolektive, që hyri në fuqi në Qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Ai përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj. Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.
Licencimi i fondeve të invstimeve alternative këtij lloji përbën një diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri, duke krijuar mundësi për alternativa të reja për investitorët profesionistë.
Deri tani, në Shqipëri kanë vepruar vetëm shoqëri që ofrojnë fonde investimi në instrumente financiare. Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive ka aktualisht pesë shoqëri dhe nëntë fonde investimi të licencuara, ndërsa së shpejti pritet të licencohet edhe një shoqëri e re administruese, së bashku me fondin e vet të investimeve.
Mbështetur në statistikat e AMF, në fund të vitit 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67.4 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurove. Vlera e aseteve neto të fondeve vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.92%, ecuri e ndikuar pjesërisht edhe nga kthimet negative të fondeve të të investimit në euro, që çuan në uljen e vlerës së aseteve për këtë segment të tregut. Numri i anëtarëve në fund të vitit 2020 arriti në afërsisht 32,700, me një rritje vjetore prej 11.7%. Në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Mungesa e tregut të kapitalit pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk krijon shumë hapësira për sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.