Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri të ditur se tashme ka bërë gati dhe nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Mbi investimet, huadhënien dhe huamarrjen e Sipërmarrjeve të Licencuara të Investimeve Kolektive me Ofertë Publike”, në zbatim të Ligjit të të ri nr. 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.
Sipas AMF një nga risitë që sjell dokumenti janë kërkesat në lidhje me investimet, huamarrjet, huadhëniet për sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm (SIKTT). Këto kërkesa janë mbështetur në Direktivën 2009/65/EC të UCITS dhe përcaktojnë aktivet e lejuara për investim nga një SIKTT, kufizimet ose ekspozimin maksimal që do të zbatohen në rastet e investimit të këtyre aktiveve në SIKTT, si dhe huamarrjen dhe huadhënien e SIKTT-ve.
Rregullorja për investimet, huadhënien dhe huamarrjen e SIK me ofertë publike ka përcaktuar kriteret e pranimit të tregjeve ku mund të investojnë SIK me ofertë publike. Sipërmarrja e licencuar e investimeve kolektive me ofertë publike nuk investon në tituj të transferueshëm ose aktive të tjera të tregtuara nëse këto nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të njohur sipas kësaj rregulloreje.
Në këtë rregullore janë vendosur kërkesa shtesë për përdorimin e derivativëve për manaxhimin efikas të portofolit të SIK. Në lidhje me këtë çështje në rregullore janë përcaktuar aktivet bazë të transaksioneve në derivativë, kriteret që duhet të plotësojë ky instrument, përcatimi i palëve të pranueshme në transaksionet në kontratat private të së ardhmes, si dhe kufizimet në përdorimin e derivativëve.
Gjithashtu risi e kësaj rregullore është edhe përcaktimi i kritereve që duhet të plotësojnë indekset financiare. Në rregullore janë vendosur rregulla në lidhje me kriteret e diversifikimit të indekseve financiare.
Pjesë e kësaj rregullore është edhe manaxhimi i likuiditetit nga shoqëritë administruese, të cilat duhet të zbatojnë një sistem të përshtatshëm të administrimit të likuiditetit dhe procedura efikase që i përshtaten strategjisë së investimit, profilit të likuiditetit dhe politikës së shlyerjes për çdo fond që administrojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.