AMF: Tregtimi i kriptovalutave pa licencë, sot është i jashtëligjshëm

17/07/2021 10:10 PM 0 komente

Që nga 1 shtatori 2020, ka hyrë në fuqi ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Miratimi i këtij ligji e bëri Shqipërinë një nga shtetet e para në botë që rregulloi tregtimin e kriptovalutave, me një kuadër ligjor të posaçëm.

Në një prononcim për revistën “Monitor”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) shprehet se është në fazën e hartimit të akteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e ligjit dhe licencimin e subjekteve të interesuara.

Sipas AMF, projekt-aktet i janë nënshtruar procesit të mendimmarrjes institucionale dhe pritet reflektimi i komenteve përpara miratimit të tyre. AMF thekson se që nga hyrja në fuqi e ligjit, në shtator 2020, tregtimi i kriptovalutave në Shqipëri është një aktivitet financiar i rregulluar. Rrjedhimisht, çdo aktivitet i tregtimit të kriptovalutave përbën shkelje të ligjit përkatës dhe të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

 

Çfarë shërbimesh dhe licencash parashikon ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”?

Ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” parashikon licencat e mëposhtme:

a) Licenca e agjentit TD, e cila lëshohet nga AMF-ja për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 29, të këtij ligji. Agjenti TD ofron shërbime ekspertize financiare dhe ligjore në lidhje me subjektet që operojnë në fushën e teknologjisë së regjistrave të shpërndarë.

b) Licenca e bursës DLT, e cila lëshohet nga AMF-ja dhe AKSHI për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta të parashikuara në nenet 9 e 51, të këtij ligji. Kjo licencë lëshohet për subjektet që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit dhe këmbimit të kriptomonedhave kundrejt kriptomonedhave të tjera ose parave FIAT. Ligji përcakton 3 kategori të kësaj licence, si më poshtë:

Kategoria “A” përfshin licencat e bursës së centralizuar DLT dhe licenca si bursë e decentralizuar DLT, ku mund të tregtohen vetëm “tokenë dixhitalë shërbimesh dhe/ose tokenë dixhitalë të pagesave” dhe/ose “tokenë dixhitalë të aseteve”;

Kategoria “B” përfshin licencat e bursës së centralizuar DLT ose dhe licenca si bursë e decentralizuar DLT, ku, krahas aktiviteteve të listuara në kategorinë “A”, mund të tregtohet paraja FIAT dhe/ose monedhat virtuale kundrejt tokenëve dixhitalë të shërbimeve, pagesave dhe aseteve e anasjelltas;

iii. Kategoria “C” përfshin licencat si bursë e centralizuar DLT dhe licencat për bursat e decentralizuara DLT, ku, krahas aktiviteteve të listuara në licencën e kategorisë “B”, mund të tregtohen edhe tokenë dixhitalë të titujve;

c) Licenca e ofruesit të shërbimeve inovative, e cila lëshohet nga AKSHI (pa përfshirjen e një agjenti TD) për një person juridik pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 63, të këtij ligji. OSHI ofron shërbime auditimi teknologjik të sistemeve që do të përdoren nga subjektet kërkuese ose titullarët e licencave si Bursë DLT, Kujdestar të Portofolave të Palëve të Treta dhe Sipërmarrje e Automatizuar e Investimeve Kolektive DT.

ç) Licenca e kujdestarit të portofolit të palëve të treta, e lëshuar nga AMF-ja dhe AKSHI për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta të parashikuara në nenet 9 e 77, të këtij ligji. Licenca e Kujdestarit të Portofolit të Palëve të Treta lëshohet për subjektet të cilët ofrojnë shërbimet e ruajtjes dhe kujdestarisë së çelësave kriptografikë privatë për llogari dhe në emër të klientëve, si dhe mbajtjen, depozitimin e transferimin e tokenëve dixhitalë, të cilët duhet të zotërojnë gjithashtu licencën përkatëse nga Banka e Shqipërisë.

d) Licenca e sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive DT, e lëshuar nga AKSHI për një sipërmarrje të investimeve kolektive, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 82, të këtij ligji.

Sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT është çdo person juridik ose bashkim asetesh që administrohet nga një subjekt i licencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe i licencuar si sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT, në përputhje me këtë ligj. Krahas licencave të sipërpërmendura, ligji parashikon gjithashtu procedura për autorizimin e ofertave fillestare të tokenit dixhital (ICO) dhe ofertat e tokenit të titujve (STO).

 

Në çfarë faze është përgatitja e rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të ligjit?

Aktualisht, projekt-aktet i janë nënshtruar procesit të mendimmarrjes institucionale dhe pritet reflektimi i komenteve përpara miratimit të tyre.

 

Kur pritet të jetë i mundur licencimi i subjekteve për shërbimet që parashikon ligji?

Licencimi i subjekteve do të jetë i mundur pas hyrjes në fuqi të akteve nënligjore përkatëse, të cilat rregullojnë procedurat e licencimit për veprimtaritë e rregulluara sipas Ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

 

Keni pasur deri tani interes nga subjekte të interesuara për t’u licencuar?

Deri tani, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për licencim në bazë të Ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

 

A shtron teknologjia blockchain sfida të lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen e investitorëve nga mashtrimet?

Rregullimi ligjor i këtij ekosistemi inovativ i shërben mbrojtjes së interesave të investitorëve, si dhe i pajis autoritetet përgjegjëse me mjetet e përshtatshme ligjore për të parandaluar rastet e mashtrimit dhe abuzimit me tregun. Ligji nr. 66/2020 ka parashikuar një sërë masash që lidhen me ndalimin e abuzimit me tregun, sjelljen e ndaluar që krijon treg të rremë, apo ndalimin e manipulimit të tregut.

 

Nga informacionet tuaja, a ju rezulton të ketë aktualisht subjekte që kryejnë tregti të kriptovalutave në Shqipëri? Në momentin që flasim, a është i ligjshëm tregtimi i aseteve të këtij lloji në Shqipëri pa u licencuar nga AMF?

Ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka hyrë në fuqi në datën 1 Shtator 2020. Si rrjedhojë, çdo veprimtari e lidhur me këmbimin, tregtimin, apo ruajtjen e tyre janë veprimtari të cilat kërkojnë që subjektet t’u nënshtrohen procedurave përkatëse të licencimit ose autorizimit sipas përcaktimeve të ligjit.

Ofrimi, si veprimtari tregtare, i shërbimeve të këmbimit të monedhave virtuale, kundrejt parave FIAT dhe/ose kriptomonedhave të tjera, është veprimtari e rregulluar dhe rezervuar vetëm për Bursat DLT. Rrjedhimisht, çdo lloj veprimtarie e tillë, e cila kryhet nga persona fizikë ose juridikë, pa u pajisur me licencat përkatëse, është e ndaluar nga Ligji nr. 66/2020 dhe nga dispozitat përkatëse të Kodit Penal.

 

Për shkak të vështirësive të gjurmimit të transaksioneve, kriptomonedhat janë bërë shumë të përdorura në pagesat që kryhen për aktivitete të jashtëligjshme. Si mund të adresohet një problem i tillë dhe çfarë garancish jep ligji për shmangien e përdorimit të kriptovalutave për qëllime të këtij lloji?

Në zbatim të rekomandimeve të FATF, Ligji nr. 66/2020 dhe Ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” kanë parashikuar një sërë masash për të adresuar problematikën e identifikimit dhe gjurmimit të transaksioneve të dyshimta dhe/ose të jashtëligjshme.

Ndryshimet e vitit 2019 në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave” kanë përfshirë, për herë të parë, kriptomonedhat (mjetet virtuale) dhe ofruesit e shërbimeve të lidhura me to si subjekte të këtij ligji, në përputhje me rekomandimet e FATF. Si rrjedhojë, këto subjekte kanë detyrimin të kryejnë procedurat e vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar, sipas rastit, për të gjithë klientët e tyre si dhe të raportojnë çdo transaksion me kriptomonedha, mbi vlerën e parashikuar në ligj.

Nga ana tjetër, Ligji nr. 66/2020 i konsideron të gjithë subjektet e tij (me përjashtim të ofruesit të shërbimeve inovative) si ofrues të shërbimeve të mjeteve virtuale sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe si rrjedhojë, të gjitha parashikimet e atij ligji zbatohen edhe për këto subjekte.

Për më tepër, ligji i ngarkon të gjithë subjektet të hartojnë masa dhe politika parandaluese për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; masa dhe politika efikase për identifikimin e menaxhimin e konfliktit të interesave; masa dhe politika efikase për parandalimin e mashtrimit dhe abuzimit me tregun.

Gjithashtu, ligji parashikon se çdo emetues i një ICO ose STO duhet të vendosë sisteme për parandalimin, zbulimin dhe eliminimin e riskut të krimit financiar, si dhe të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of