Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare njofton po monitoron në vazhdimësi tregjet nën mbikëqyrje dhe, në linjë me rekomandimet e rregullatorëve të tjerë homologë, ka kërkuar marrjen e masave nga shoqëritë dhe kujdes të shtuar.
Për këtë qëllimi, Bordi i Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar më 29 korrik 2020 udhëzimin “Mbi pritshmëritë rregullatore ndaj subjekteve nën mbikëqyrje, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19”.
Bordi ka kërkuar nga subjektet nën mbikëqyrje, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar.
Për shoqëritë e sigurimeve, udhëzimet janë si më poshtë:
- Të marrin masat për të siguruar vazhdimësinë e biznesit duke përfshirë rreziqet që shkakton situata pandemike si dhe të depozitojnë në Autoritet planet e rishikuara për vijimin e veprimtarisë dhe përballimin e krizave.
- Të mbajnë nivelin e përshtatshëm të likuiditetit si dhe të marrin masa të tjera të nevojshme për të ruajtuar pozicionin e treguesve si dhe të informojnë menjëherë Autoritetin në rast të shkeljes së këtyre treguesve.
- Të shikojnë mundësinë e ndryshimit të marrëveshjeve të risigurimit, për të kufizuar ekspozimin ndaj COVID-19, duke marrë në konsideratë një nivel mbajtjeje agregate, për të gjitha ngjarjet që mund të ndodhin brenda vitit si pasojë e COVID-19.
- Të garantojnë që informacioni që i komunikohet personit të siguruar mbi të drejtat kontraktuale të jetë i qartë, i mjaftueshëm dhe në kohë, duke orientuar edhe ndërmjetësit që veprojnë për llogari të tyre lidhur me këtë detyrim.
- Të marrin masa për të përditësuar faqet zyrtare të internetit, me seksione të dedikuara lidhur me ndikimin e pandemisë shkaktuar nga COVID-19, duke pasqyruar dhe masat e marra nga vetë shoqëria e sigurimit.
- Të rishikojnë kushtet e kontratave të sigurimit, për të reflektuar çdo ndryshim të ekspozimit të risqeve gjatë periudhës së pandemisë. Për produktet që lidhen me mbulimin nga pandemitë, të qartësohen mbulimet e tyre në raste të ndodhjes së ngjarjeve të siguruara.
- Të kryejnë një vlerësim të produkteve të cilat mund të ndikohen nga pandemia duke informuar personat e siguruar.
- Të përditësojnë udhëzimet/procedurat e marrjes në sigurim në vijim të ngjarjes së COVID – 19.
Shoqëritë administruese duhet:
- Të rishikojnë planet e vazhdimësisë së veprimtarisë në drejtim të adresimit të të gjitha rreziqeve që vijnë si rrjedhojë e situatës pandemike, duke hartuar shtojca të dedikuara në lidhje me situatën e COVID-19. Të gjitha planet e vazhdimësisë së biznesit të ridepozitohen në Autoritet.
- Të bëjnë transparente sa më parë të jetë e mundur çdo informacion të rëndësishëm që lidhet me COVID-19, duke përditësuar faqet zyrtare të internetit, me seksione të dedikuara lidhur me ndikimin e pandemisë shkaktuar nga COVID-19, duke pasqyruar dhe masat e marra nga vetë shoqëria administruese.
- Të rivlerësojnë treguesin sintetik të përfitimit dhe rrezikut në drejtim të përditësimit të dokumentit me informacionin kyç për investitorin.
- Të kenë një vëmendje të shtuar ndaj administrimit të rrezikut, si dhe të monitorojnë vazhdimisht plotësimin e parametrave ligjorë dhe rregullatorë, si dhe të informojnë menjëherë autoritetin në rast të shkeljes së këtyre parametrave.
…Më herët, me vendimin nr. 56, datë 10.04.2020,Autoriteti ka ndaluar shpërndarjen e fitimit në formën e dividendëve ose të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë apo punonjësve të tjerë;
Autoriteti u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje që të përditësojnë dhe të kenë funksionale plane të vazhdimësisë së veprimtarisë dhe planet e përballimit të krizave, ku të detajohen të gjithë elementët teknikë, logjistikë, njerëzorë dhe financiarë për përballimin e efekteve të mundshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.