Sa amfiteatro të periudhës romake ekzistojnë sot në botë? Cilët janë më të rëndësishmit dhe më të famshmit, përveç Koloseut? Zbuloni amfiteatrot romakë më të bukur në zonën e Mesdheut, nga Koloseu tek Amfiteatri i Nîmes e deri te rrënojat madhështore në Afrikën e Veriut.
Amfiteatrot ishin simbole të fuqisë dhe vende argëtimi – romakët antikë i ndërtonin amfiteatrot për luftimet mes gladiatorëve dhe kafshëve të egra, garave me qerre dhe spektakle të tjera të përgjakshme, mjaft popullore, që kërkonin hapësirë të madhe.
Në zemër të Romës, Amfiteatri Flavio është amfiteatri më i madh në botë, ndjekur nga Amfiteatri Santa Maria Capua Vetere (Campania) dhe Anfiteatri El Jem në Tunizi.
Amfiteatri më i vjetër është ai i gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike, që kanë kthyer rrënojat e qytetit të Pompeit.
Itali, Koloseu, Romë
Është amfiteatri më i famshëm në botë dhe më i madhi. Një ndërtesë gjigante në formë eliptike, me kapacitet deri në 50 mijë spektatorë dhe sipërfaqe të brendshme 3.357 metra katrorë dhe lartësi 48 metra (fillimisht 52).
Është monumenti më i vizituar në Itali dhe simbol i kohës romake në zemër të kryeqytetit. Amfiteatri Flavio, i njohur më shumë si Koloseu, u ndërtua në shekullin I pas Krishtit, me dëshirën e perandorëve të dinastisë Flavia. Ndërtimi filloi me perandorin Vespasiano, rreth viteve ‘70 pas Krishtit dhe në vitin ’80 p.K u përurua përfundimi me lojërat hapëse të kërkuara nga Tito.
Koloseu u ndërtua për spektakle ku të merrnin pjesë një masë e madhe njerëzish, si gjuetia dhe luftimet mes gladiatorëve dhe kafshëve të egra. Në vitin 438, me ndalimin e dueleve mes gladiatorëve, monumenti i madhërishëm nisi një rënie të ngadaltë, progresive. Në Mesjetë dhe Rilindje, Koloseu u përdor si një gurore për materiale dhe mermeri u plaçkit për ndërtimin e ndërtesave të reja, përfshirë Bazilikën e Shën Pjetrit. Koloseu bën pjesë në listën e Trashëgimisë së Njerëzimit të UNESCO-s dhe nga viti 2007 është në mesin e “7 Mrekullive të reja të botës”.
Francë, Amfiteatri i Nîmes
Amfiteatri i qytetit të Nîmes, i quajtur edhe “Roma e Francës” është i famshëm për pasurinë antike arkitekturore. Pak më i vogël se Amfiteatri i Arles, por i ruajtur mirë, Amfiteatri i Nîmes u ndërtua në fund të shekullit I pas Krishtit. Ndërtesa ka formë ovale, e gjatë 133 metra, e gjerë 101 metra dhe e lartë, 21 metra. Fasada e jashtme përbëhet nga dy kate me 60 harqe të mbivendosur. Në kohën romake monumenti mund të mirëpriste deri në 24,000 spektatorë të shpërndarë në 34 rreshta në shkallë. Sot mirëpret deri në 13,000 spektatorë.
I ndërtuar për të argëtuar banorët e qytetit me shfaqje tipike romake si luftime gladiatorësh, amfiteatri humbi funksionin e tij pas rënies së Perandorisë dhe, ashtu si Amfiteatri i Arles, u shndërrua në Mesjetë në një fshat-fortesë, me shtëpi dhe dyqane brenda. Në shekullin XIX u bë një arenë për demat, plaza de toros. Sot në të zhvillohen ende betejat tipike të traditës lokale, por edhe koncerte dhe shfaqje.
Tunizi, amfiteatri El Jem
Është “Koloseu i Tunizisë, amfiteatri i El Jem. Ndërtesa, me kapacitet deri në 35 mijë spektatorë, ishte vendi i luftimeve të gladiatorëve dhe garave me qerre. Pas shekullit XVII, shumë prej gurëve të tij u përdorën për ndërtimin e fshatit El Djem dhe për xhaminë e madhe të Kairouan. Amfiteatri është në një gjendje të mirë dhe ruan të paprekur fasadën e tij me tre nivele galerish.
Itali, Amfiteatri i Santa Maria Capua Vetere
Amfiteatri i Santa Maria Capua Vetere, në provincën e Caserta-s, është amfiteatri më i madh romak në Itali pas Koloseut, për të cilin ndoshta ishte një model. Qyteti antik i Capua-s i cilësuar nga Ciceroni “altera Roma” (Roma e dytë), ishte një nga qytetet më të mëdha të Italisë antike, dhe është vendi ku filloi revolta e gladiatorëve të udhëhequr nga Spartaku. Fama e këtij amfiteatri të ndërtuar mes shekujve I – II pas Krishtit lidhet me shkollën e gladiatorëve të qytetit. Amfiteatri ka katër kate si Koloseu, tre prej të cilëve përbëhen nga 80 harqe dhe karakterizohen nga buste hyjnish, të cilat sot mund të shihen në fasadën e Bashkisë së Capua-s dhe në muzeun e qytetit.
Itali, Amfiteatri i Pompeit
Amfiteatri i Pompeit është ndërtesa më e vjetër për shfaqjet e gladiatorëve që ka mbërritur deri në kohërat tona. U ndërtua në vitin 70 para Krishtit me vullnetin e dy magjistratëve, Caius Quinctius Valgus dhe Marcus Porcius. Amfiteatri, i cili u ‘varros’ nga shpërthimi i vullkanit të Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit u rigjet gjatë gërmimeve arkeologjike në Pompein antik. Amfiteatri, me formë eliptike, si gjithë amfiteatrot e tjerë, përbëhet në pjesën e jashtme nga dy rende harqesh. Amfiteatri, i ndarë në tre zona, mund të mirëpriste deri në 20,000 spektatorë. Në pjesën e sipërme (summa cavea) uleshin gratë, ndërsa shkallët e poshtme u rezervoheshin magjistratëve.
Kroaci, Amfiteatri Pola
I ndërtuar për zhvillimin e luftimeve mes gladiatorëve në kohën e Perandorit Vespasian, lindi paralelisht me Koloseun në Romë. Amfiteatri i Pola-s, kryeqyteti antik i Istrias, është mbresëlënës dhe i ruajtur mirë.
Një ndërtesë me gurë të bardhë gëlqerorë, e ndarë në dy rende harqesh. Amfiteatri i ndarë në dy sektorë, kishte dyzet shkallë për të mirëpritur deri në 23,000 spektatorë. Në Amfiteatri e Pola-s, simbol i qytetit kroat, sot zhvillohen shfaqje teatrore dhe koncerte.
Libi, Amfiteatri Leptis Magna
Leptis Magna ishte një qytet antik dhe me ndikim në Libi, i cili lulëzoi në brigjet e Mesdheut, fillimisht nga kartagjenasit dhe më pas nga romakët. Rrënojat e qytetit, i cili prej vitit 1982 është pjesë e Trashëgimisë së Njerëzimit të UNESCO-s, ndodhet rreth 130 km në juglindje të Tripolit.
Itali, Amfiteatri i Veronës
Është simbol i Veronës dhe spikat ndër amfiteatrot romakë, pasi është i ruajtur mirë. I ndërtuar mes shekujve I dhe III pas Krishtit, për luftimet e gladiatorëve dhe shfaqjeve të gjuetisë me kafshë të egra, ndërtesa ka formë eliptike. Sot amfiteatri, me pamje nga Piazza Bra, mirëpret sezonin më të madh të operës në botë. Aida është opera e parë e shfaqur më 10 gusht 1913, për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit Giuseppe Verdi. Në kalendar, gjatë gjithë vitit zhvillohen edhe koncerte të mëdha të artistëve më të famshëm ndërkombëtarë, të cilët interpretojnë këtu, edhe për akustikën e mrekullueshme.
Francë, Amfiteatri i Arles
Amfiteatri i Arles është monumenti më i vizituar i qytetit, ku gjenden edhe dëshmi të tjera të rëndësishme romake si Teatri antik, Baths of Constantin (Banjat e Kostandinit) dhe nekropoli Alyscamps.
Amfiteatri, i ndërtuar në fund të shekullit I pas Krishtit, është ndër amfiteatrot antikë më të mëdhenj dhe më mirë të ruajtur në botë. I përbërë nga dy rende harqesh, të mbështetur nga kolonat Dorike dhe Korintike, mund të mirëpriste deri në 20,000 spektatorë. Në shekullin XIX ai rigjen funksionin dhe u bë skena e luftimeve të demave. Sot në të zhvillohen shfaqje të zhanreve të ndryshme.
Spanjë, Amfiteatri i Tarragona
Një amfiteatër pranë detit, në Tarragona, qyteti i Katalonjës, i quajtur dikur Tarraco, ruan ende sot rrënoja të shumta nga e shkuara si një koloni romake. Trashëgimia arkeologjike e qytetit mbrohet nga UNESCO dhe përfshin arenën e ndërtuar për luftime, lojëra dhe shfaqje, por edhe për ekzekutime publike. I ndërtuar në fillim të shekullit II pas Krishtit, është një ndërtesë në formë ovale, me shkallë të gdhendura në shkëmb, i cili mund të mirëpriste rreth 14,000 spektatorë.
Historia e amfiteatrit lidhet edhe me persekutimet kristiane. Në vitin 259, Kryepeshkopi Fruttuoso dhe ndjekësit Augurio dhe Eulogio u dogjën të gjallë. Kur krishterimi u bë feja zyrtare e Perandorisë, amfiteatri humbi funksionin fillestar dhe gurët u përdorën për të ndërtuar një bazilikë kushtuar tre martirëve.
Burimi: Corriere della Sera