Organizata për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje qeverive të kufizojnë mbledhjen e të dhënave personale
Vëzhgimi i “gjithëpranishëm” nga Facebook dhe Google te miliarda njerëz përfaqëson një “kërcënim sistematik” të të drejtave të njeriut.
Akuza vjen nga Amnesty International në raportin prej 60 faqesh “Surveillance Giants,” i publikuar të mërkurën, ku theksohen rreziqet e privatësisë dhe shpresohet në një “ndryshim rrënjësor” të modelit të tyre të biznesit.
Organizata u bën thirrje Facebook dhe Google të korrigjojnë çdo abuzim të të drejtave të njeriut dhe të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit.
Në raport, Amnesty International njeh rolin pozitiv të Google dhe Facebook në “lidhjen e botës dhe ofrimin e shërbimeve thelbësore për miliarda njerëz”. Por çmimi është i kripur, pasi modeli i biznesit të dy kompanive – mbështetur te mbledhja e të dhënave të përdoruesve, në gjurmimin e aktiviteteve online dhe kategorizimin e tyre për qëllime reklamimi – u lejon “njerëzve të gëzojnë të drejtat e njeriut online vetëm duke iu nënshtruar një sistemi të mbështetur tek abuzimi i të drejtave të njeriut”.
“Google dhe Facebook mbizotërojnë jetën tonë moderne, duke fituar pushtet të pashembullt në botën dixhitale me mbledhjen dhe monetizimin e të dhënave personale të miliarda personave” – thotë Kumi Naidoo, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International. “Kontrolli i tyre i fshehtë i jetës sonë dixhitale kërcënon vetë privatësinë dhe është një ndër sfidat kryesore për të drejtat e njeriut të epokës sonë”.