Edhe pse u paralajmërua në fillim nga biznesi për dyshimet ndaj procesit, qeveria ndërmori hapin e madh të amnistisë. Nëntë muaj pas zbatimit, rezultatet nxorën një biznes indiferent dhe individë të shkathët
Nuk doli ashtu siç pritej për qeverinë, kurse vetë biznesi e kishte paralajmëruar një dështim të tillë. Zëvendësministri i Financave, përgjegjës për procesin,
Alfred Rushaj, pranon se nga sipërmarrja private pritej më tepër, si në deklarimin e detyrimeve të fshehura, ashtu dhe në rikapitalizimin e aseteve.
Të dhënat e fundit, dy javë para mbylljes së procesit, tregojnë për një amnisti fiskale, e cila i ka shërbyer më tepër individit, kurse biznesi pak u tregua i guximshëm të pranonte kushtet që të përfitonte.
Në total, janë falur 42 miliardë lekë në disa drejtime të amnistisë, si për kapitalin, borxhet dhe detyrimet e papaguara në tatime dhe dogana.
E ndarë në dy periudha, e para deri në fund të vitit 2011 dhe e dyta, deri në muajin mars, ekspertët e Ministrisë së Financave kanë mbledhur të dhënat duke paraqitur një situatë mbi treguesit.
Nga bankat, te kapitali
Individët janë treguar të shkathët, si në pjesën e rivlerësimit të pronës ashtu dhe në atë të legalizimit të parave në banka.
Kështu, në banka janë derdhur në formë legalizimi 3.1 miliardë lekë, për të cilat është paguar nga individët një komision prej 3 për qind, që shkon në arkën e shtetit, ose në masën e 95 milionë lekëve.
Te bizneset, të dhënat janë tepër modeste, pasi aty ku pritej më shumë, rezulton në vlera të vogla. Asetet e paluajtshme të rivlerësuar të bizneseve llogariten në shumën e 995 milionë lekë,
nga të cilat bizneset kanë paguar vetëm 3 për qind të kësaj shume, apo rreth 29 milionë lekë. Sa ia takon makinerive dhe pajisjeve, pjesa më e debatueshme në ligj,
biznesi ka rivlerësuar asetet, në shumën 688 milionë lekë, për të cilat kanë paguar detyrimin si kusht në masën 5 për qind, ose 20 milionë lekë nga ky rivlerësim ka shkuar në buxhet të shtetit.
Rivlerësim pasurie kanë bërë edhe individët, të cilat kanë dalë më të përfituar. Sipas Ministrisë së Financave, afro 33 mijë persona kanë rivlerësuar pronat, me vlerë 158 miliardë lekë, për të cilat individët kanë paguar vetëm 1,5 miliardë lekë (1 për qind), kurse 14.2 miliardë lekë u janë falur. Nga fillimi i zbatimit të ligjit të faljes deri më 31 dhjetor 2011, afro 25 qytetarë kanë bërë rivlerësim të pasurisë së tyre, ndërsa pjesa tjetër në afatin e dytë, janar-mars 2012.
“Siç vërehet, nga shtyrja e zbatimit të ligjit të faljes deri në mars 2012, për periudhën janar–mars 2012, kemi një rritje të interesimit të individëve dhe bizneseve për të përfituar”, thotë zv/ministri Rushaj.
Gjatë kësaj periudhe, u legalizuan në banka
481 milionë lekë, u rivlerësuan asetet e biznesit në masën 361 milionë lekë, ndërsa për makineritë dhe pajisjet rezultuan 688 milionë lekë. Duket se, me shtyrjen e afatit, biznesi është ndërgjegjësuar të rivlerësojë asetet,
pasi të dhënat tregojnë se vlerat janë gati të njëjtat, pavarësisht kohës së vënë në dispozicion.
Falja në tatime dhe dogana
Pika kyçe e procesit të faljes përqendrohej te tatimet dhe doganat, aty ku borxhi arrinte në afro 65 miliardë lekë. Megjithatë, të dhënat e ministrisë tregojnë se biznesi nuk ka reaguar si duhet.
Kështu, në administratën tatimore, potenciali për t’u falur ishte për 424,439 raste, në vlerën 57.7 miliardë lekë, por vetëm 25 për qind patën mundësi të përfitonin.
Në total, kanë paguar deri në fund të vitit 2011 afro 649 raste në vlerën 232.500 mijë lekë, ndërsa data 1 janar deri më 12 mars 2012, gati 180 raste shlyen detyrimet në vlerë 50.783 mijë lekë.
Ky ishte hapi i parë i procesit, pra pagesa, pasi në hapin i dytë vinte falja, nga ku në total përfituan rreth 145 mijë raste, me vlerën 15 miliardë lekë.
Tek administrata doganore, rastet e faljes janë më të vogla në krahasim me tatimet, por në vlerë më të mëdha. Janë falur gjithsej 2.460 raste me vlerë 12.5 miliardë lekë.
Janë kryer gjithsej 186 raste pagesa, me shumë 95.6 milionë lekë ose sa 11.92 për qind e totalit të shumës për t’u paguar.
Në total shteti ka mundur të vjelë afro 1.7 miliardë lekë të ardhura, shifër kjo e konsiderueshme duke pasur parasysh deklaratat modeste se, nuk pritej më shumë se 1 miliard lekë të hyra në buxhet.
Pjesa dërmuese e të ardhurave është krijuar nga rivlerësimi i pronave në Hipoteka, në masën e 1.5 miliardë lekë.
Të ardhurat në buxhet nga amnistia fiskale
Tatimi në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët (3%) 95,594
Tatimi nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridikë (3%) 29,865
Tatimi nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridikë (pajisjet) (3%) 20,652
Tatimi nga rivlerësimi i pasurisë së individëve (1%) 1,580,317
Penalitete kur kapitali i legalizuar i depozituar transferohet jashtë shtetit (13%) 2,969
Totali 1,726,430
Burimi: Ministria e Financave, në mijë lekë
Makinat
Janë zhdoganuar 1228 automjete, për të cilat janë paguar 50% të detyrimit prej 260.467.982 lekësh, duke përfituar faljen e po kësaj shume
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.