Procesit të amnistisë fiskale i erdhi fundi, por biznesi ende shpreson për një projekt më të plotë, ndërsa Kryeministri lë të hapur mundësinë e përsëritjes së faljes
Rezultati i amnistisë fiskale ishte i paralajmëruar nga biznesi, që në fillimet e zbatimit të ligjit, në qershor të vitit të kaluar.
E para, pasi shumë propozime nga sipërmarrja private për një amnisti të plotë nuk u morën në konsideratë nga Ministria e Financave;
e dyta, çështja e besimit që palët kërkonin të vinin si garanci, e cila nuk u arrit, dhe e treta, mosmarrëveshjet politike me opozitën, sollën një ligj “gjysmak”, vetëm për qëllime të faljes.
I fituari i vetëm nga procesi i amnistisë është vetëm individi, ndoshta për shkak se ndaj tij u aplikua tarifë e favorshme, 1 për qind, kurse për bizneset u vendosën disa kushte,
si 5 për qind për rivlerësim asetesh, etj., të cilat u gjykuan si barrë e rëndë.
Megjithatë shpresat janë të mëdha. Në Dhomën e Tregtisë ende mendohet se duhet rinisur puna nga e para për të propozuar një paketë të plotë dhe kështu mendojnë edhe kategori të caktuara private në vend.
“Amnistia nuk solli shumë përfitime, pasi nuk ishte e plotë”, thotë Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë.
Po sa shanse ka që qeveria ta përsërisë procesin, në një moment të dytë? Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në takimin e zhvilluar të premten me bizneset, me temë “Shqipëria konkurruese”,
la të hapur çdo mundësi, e ndoshta në formë batute deklaroi se “në mandatin tjetër” do të shihet hartimi i një tjetër pakete.
I konsideruar si një nga proceset kryesore në vend, ku për herë të parë aplikohej amnistia në 20 vjet ekonomi e hapur pas rënies së komunizmit,
ligji i faljes nuk solli ato rezultate që mendohej se mund të krijoheshin, miliardat e “fshehura” nuk u zbuluan të gjitha nën dritën e formalitetit dhe për këtë shkak, kur mundësitë janë më të mëdha se aq,
biznesi guxon të thotë se “shansi i dytë që jepet, të jetë më frytdhënës”.
Tarifat e kripura, njëri argument
Ishin të paktën rreth 60 miliardë lekë detyrime, në formë taksash të papaguara dhe gjoba të biznesit në tatime dhe dogana, nga ku pritej të pastrohej i gjithë bilanci me zbatimin e amnistisë fiskale.
Të dhënat deri në javën e fundit të procesit tregonin se nga kjo shumë ishte pastruar vetëm 25 për qind e bilancit dhe pjesa tjetër mbeti e pandryshuar.
Mjafton të shikosh të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave mbi rivlerësimin e aseteve nga biznesi, si për makineritë, ashtu dhe për pasuritë e paluajtshme. Për të gjitha llojet e aseteve të paluajtshme,
vlera e të cilave arrin në disa dhjetëra miliarda lekë, biznesi raportoi, ose më saktë shprehu interesin për të rivlerësuar një pjesë, prej 995 milionë lekësh, legalizimi i së cilës i kushtoi 3 për qind, ose 29 milionë lekë.
Makineritë dhe pajisjet, aty ku debati në fillim të procesit u përqendrua te norma e tarifës, prej 5 përqindësh, nuk sollën rezultatin e pritshëm, madje, sipas zv.ministrit të Financave, Alfred Rushaj, ishte zhgënjyes.
Vetëm 688 milionë lekë pajisje të deklaruara për rivlerësim, të legalizuara kundrejt pagesës prej 20 milionë lekësh (ose më pak se 200 mijë dollarë).
Këto rezultate u komentuan nga biznesi si pamundësi e kohës së mjaftueshme, pasi deri në javët e para të shtatorit administrata publike, pra ato institucione që menaxhonin procesin, ishin me pushimet e sezonit,
ndërsa më pas, u pa si problem mungesa e informacionit nga ana e vetë Ministrisë së Financave.
Me një vendim të posaçëm, qeveria e shtyu afatin, deri në fund të muajit mars, pra i dha edhe tre muaj kohë, por rezultatet ishin vërtet zhgënjyese. Atëherë, çfarë nuk funksioni?
Zv/ministri i Financave, Rushaj, thotë se biznesi nuk e kishte kuptuar rëndësinë e amnistisë fiskale, por privati kishte të tjera mendime.
“Nuk është çështja te shtyrja e afatit, por ndoshta te kostot e legalizimit, tarifat e vendosura”, thotë Luan Bregasi, president i “BiznesAlbanias”.
Tarifat e vendosura nga Ministria e Financave, 3 për qind për pronat dhe 5 për qind për makineritë dhe pajisjet u konsideruan nga biznesi si tepër të larta.
Mjafton një subjekt, që nuk ka deklaruar pajisje me vlerë 100 mijë euro dhe të paguajë për amnistinë 5 mijë euro, plus detyrime të tjera.
“Edhe nëse shtyhet sërish afati, me këto kushte nuk do të priten rezultate pozitive, pasi biznesi nuk ka mundësi të paguajë tarifat”, thotë Bregasi.
Nikolin Jaka: Nuk kërkojmë shtyrje, por lobim për një amnisti të plotë
Dështoi se nuk u morën parasysh kërkesat tona
Amnistia fiskale nuk pati asnjë efekt pozitiv për biznesin, efektet pozitive të amnistisë fiskale ishin për legalizimin e aseteve,
pasi qytetarët shqiptarë ishin të interesuar për të bërë legalizimin e aseteve dhe pronave të tyre. Mendoj se kjo ka qenë pjesa më e suksesshme e amnistisë fiskale.
Lidhur me atë marrëdhënie që ne kërkuam të krijonim me Ministrinë e Financave, besoj se ngeli e paarritur, pasi nuk u krijua marrëdhënia e besimit
dhe partneritetit dhe vetë MF ka deklaruar edhe shifrat dhe ndikimin që solli kjo amnisti fiskale lidhur me deklarimin e sipërmarrjes.
Ne kemi kërkuar dhe bërë oponencën tonë, por njëkohësisht, edhe një propozim si Dhomë Tregtie, pasi Ministria e Financave nuk e mori parasysh draftin e propozuar nga Dhoma e Tregtisë dhe pothuaj e mbështetur nga të gjitha shoqatat e biznesit,
si rrallëherë, të gjithë shoqatat ishin në një zë për të miratuar një draft për amnistinë fiskale, ku të konsistojë në një reformë të mirëfilltë në ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë
Ne kërkonim gjithmonë që te pjesa e vetëdeklarimit të kishte një marrëdhënie besimi midis biznesit dhe Ministrisë së Financave dhe të sistemit të taksave. Ajo çfarë sipërmarrja pa me skepticizëm ishte neni 22, pika 4,
e cila pas vetëdeklarimit nëse kontrolli tatimor do vërente se do të kishte parregullsi, atëherë e quante nul vetëdeklarimin e bërë nga sipërmarrja. Kjo ishte pika kyçe e cila ka stepur sipërmarrjen për të qenë pjesë e deklarimit
Realisht as sipërmarrja dhe as qytetarët nuk kanë dëshirë të jenë në dorën e deklaratave apo vendimeve subjektive. Ligji duhet të jetë i përcaktuar qartë dhe të mos lejojë ekuivokë në interpretim.
Ne si Dhomë Tregtie nuk do të kërkojmë shtyrje por do të lobojmë fort që të ketë një amnisti fiskale, ku të përfshihen kërkesat e Dhomës, pra të biznesit në tërësi. Pra një amnisti fiskale të plotë.
Buxhuku:
Amnisti e plotë kapitalesh
Konfindustria gjykon se amnistia ishte një shans i humbur për shkak të disa motiveve, të lidhura kryesisht me ligjin e faljes.
“Duhet të çlirohen kapitalet e fshehura, përfshi edhe ato jashtë vendit dhe gjykoj se duhet riparë mundësia e hartimit të një pakete të vërtetë fiskale”,
deklaron Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm. Sipas tij, gjithnjë synimi është tërheqja e asaj pjese “gri”, e cila do t’i mundësonte ekonomisë një shtysë të re zhvillimi, për shkak të zhbllokimit të parave.
Kryeministri:
Çështje politike
Për Kryeministrin e vendit, biznesi e kishte kohën e mjaftueshme të përfitonte nga amnistia fiskale.
“Nuk do të ketë shtyrje të afatit, por vetëm një mundësi tjetër për individët që të legalizojnë pronat e paluajtshme”, u shpreh Kryeministri, në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Dy ditë më pas, me këmbënguljen e shoqatave të biznesit, për një tjetër mundësi, Kryeministri u përgjigj duke thënë se, “tashmë kjo është çështje e politikës, ku mund të gjejë zgjidhje…ndoshta mandatin tjetër”.
SKEDA E TATIMEVE
Raste në total të mundshme për t’u falur
janë 424,439, në vlerë 57.7 miliardë lekë
Në total, deri më 12 mars 2012, komisionet e
posaçme në Tatime kanë falur afro 15 miliardë lekë
Borxhet deri në vitin 2008:
Falen pa pagesë, Biznesi i Vogël
Janë shqyrtuar dhe falur 36 mijë raste, me vlerë 1.7 miliardë lekë
Falen pa pagesë individët
Janë shqyrtuar dhe janë falur 6500 raste, me vlerë 246 milionë lekë
Falen pa pagesë, subjekte të TVSH-së
Janë shqyrtuar dhe falur 17.700 raste, me vlerë 8.3 miliardë lekë
Borxhet tatimore të vitit 2009:
Falen kundrejt kushtit të pagesës së detyrimit në vlerën 30% (detyrimit të papaguar për vitin ushtrimor 2009) 65,930 raste të evidentuara si raste potencialisht të mundshme për përfitim.
Nga këto raste, duhet të paguhet vlera 1,2 miliardë lekë dhe falet shuma 17,7 miliardë lekë
Deri tani nga Tatimet janë falur 900 raste, me vlerë 1.4 miliardë lekë
Përkundrejt pagesës së principalit nga 100 raste, për 135 milionë lekë
Borxhet tatimore të vitit 2010:
Falen kundrejt kushtit të pagesës së detyrimit në vlerën 50%, (detyrimit të papaguar për vitin ushtrimor 2010) 117,944 raste të evidentuara si raste potencialisht të mundshme për përfitim.
Nga këto raste, duhet të paguhet vlera 3,1 miliardë lekë dhe të falet shuma 10,4 miliardë lekë
Në tatimet janë falur 8200 raste, me vlerë 1.4 miliardë lekë
Përkundrejt pagesës nga 347 raste, me vlerë 114 milionë lekë
Debati publik
Kundër TVSH-së dhe referencave
Çfarë përmban reforma rregullatore, plani për ndryshime dhe ankesat e biznesit
Duket se raporti i Bankës Botërore “Doing Bussiness” e ka shqetësuar tej mase qeverinë, e cila në dy javët e fundit është vënë në lëvizje të rishikojë disa procedura për të përmirësuar renditjen në disa indikatorë.
Raporti i radhës për vitin 2012 publikohet në nëntor dhe deri atëherë, Kryeministri Berisha bashkë me ministrat anëtarë të Task-Forcës po shqyrtojnë të gjithë kuadrin rregullator.
Në këtë kuadër, një takim me shoqatat e ndryshme të biznesit do të ishte një manovër efikase për të prezantuar ndryshimet e fundit dhe një reagim për forumin e zhvilluar nga kreu i opozitës, me po të njëjtët aktorë të sipërmarrjes private.
Në katër orë diskutime të gjata dhe nën drejtimin e kreut të qeverisë, biznesi shpalosi të gjithë arsenalin e ankesave ndaj administratave tatimore dhe doganore, si dhe për vendimet e ndryshime që i takojnë pushtetit qendror.
Referencat në dogana dhe procedurat e rimbursimit apo të pagesës së TVSH duket se ishin shqetësimi kryesor i biznesit në vend. Në asketin specifik këto ishin ankesat kryesore, pasi në atë organizativ, meraku i privatit qëndron te mungesa e komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shtetërore.
“Ne jemi ankuar në vitin 2005, gjithashtu në 2009, dhe sërish po të drejtohem: a mundet qeveria të diskutojë në fillim me biznesin para se të miratojë një ligj apo vendim (VKM)?
Deri tani kemi marrë vetëm premtime”, u shpreh përfaqësuesi i një shoqate biznesi. Pyetja e drejtuar vjen në një kohë kur në vend ekzistojnë disa institucione, këshilla që informojnë biznesin për të rejat e legjislacionit fiskal,
por mesa duket nuk funksionojnë. “Do bëhen përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar komunikimin, por nuk do ta kushtëzoj me vendim që çdo ligj para se të miratohet, të ketë të përfshirë komentet e biznesit, pasi dihet se cilat janë qëllimet”, iu përgjigj Kryeministri.
Referencat në dogana
Prej vitesh, që kur u vendosën për herë të parë, aplikimi i çmimeve referencë në dogana nuk ka sjellë gjë tjetër për biznesin, vetëm shqetësime, për shkak të rritjes së kostos. “Jemi ankuar edhe herë të tjera, por mbetet sërish pa zgjidhje.
Kur do t’i jepet fund”, ishte shqetësimi i një sipërmarrësi privat. Në këtë pikë debati përfshiu edhe çështjen delikate të tregtisë me Kosovën, referenca mbi pataten.
“E pranoj se aplikimi i referencës në dogana realizohet vetëm për 20 për qind të produkteve dhe asgjë më shumë, por duhet të them me siguri se nuk është qëllim në vetvete përdorimi për rritjen e të ardhurave.
Kjo politikë ndiqet për të mbrojtur biznesin vendas nga konkurrenca e pandershme”, iu përgjigj Berisha.
Por edhe në pjesën e aplikimit, sërish subjektet kishin rezerva, pasi dogana nuk i zbardh listat dhe i mban të fshehura, madje në disa raste nuk i azhurnon,
po Kryeministri ishte i bindur se mund të mungojë në degët doganore, nëpër pikat kufitare, por janë të paraqitura plotësisht në faqen zyrtare të internetit të doganës.
Megjithatë, kishte biznese, të pranishme në takim, që ishin pro vendosjes së referencave. “Mirë e bën dogana që e aplikon. Unë jam vetë biznesmen dhe abuzoj me faturat, duke mos deklaruar çmimin real”,
u shpreh një sipërmarrës nga Vlora. “Nëse ne hoqëm 80 për qind të referencave, të jeni të sigurt se 20 përqindëshin tjetër nuk e kemi problem ta eliminojmë, por është e rëndësishme për shkak të mbrojtjes së subjektit vendas”,
e mbylli Kryeministri këtë pjesë.
“TVSH-ja nuk preket”
Të shumtë ishin ata që sugjeronin për një tkurrje të TVSH-së, si shkallë tatimore, ose të paktën përmirësimin e procedurës administrative.
Më të shqetësuar ishin pjesa e investitorëve, që importojnë pajisje dhe makineri, të cilët kërkojnë një heqje të taksës, nga sistem shtyrje afati të pagesës deri në dy vjet që është sot.
Nga sektori i turizmit u ngulmua që të hiqej fare, duke pasur parasysh vendet e rajonit, të cilat nuk e aplikojnë si taksë.
“Jemi duke konkurruar me çmime të larta, që sa i takon TVSH-së, është gati 200 herë më shumë se vendet fqinje të rajonit. Në këto kushte, shërbimet tona dalin më të shtrenjta”,
tha Enver Mehmeti, president i ATA-s (Shoqata Shqiptare e Turizmit).
Rishikimi i taksës kërkohet edhe nga sektorë të veçantë, sidomos ata të prodhimit në kuadër të krizës së çmimeve, por qeveria nuk e ka parë të arsyeshme.
“Është kolona bazë e mbledhjes së të ardhurave. Unë personalisht, në rast se do vendosja, jam për makineritë dhe pajisjet, kurse për turizmin, shprehem kundër”, deklaroi Kryeministri.
Pikat
Faktorët shqetësues
Kasat
Për dy vjet me radhë, i vendosëm nën sistemin e presionit të ligjit, por tani ka ardhur koha të kontrollohen, nëse përdoren apo jo. Këtu qëndron lufta e tatimeve dhe jo te borderotë e biznesit
Transparenca
Administrata tatimore merr vendime jo transparente dhe në kundërshtim me praktikat e ligjit
Ndërtimi
Duhet të rishikohet skema e tatimfitimit, kur objekti është ende në fazën e parë të shitjes, tatimet kërkojnë parapagim
Licenca
Duhet të vendoset kriteri vlerësues në sektorin e turizmit, me anë të një licence që dëshmon cilësinë e shërbimit. Sot, shumë subjekte ofrojnë shërbime të ndryshme dhe askush nuk i kontrollon
Rimbursimi
Për TVSH-në, ka ende vonesa të mëdha. E kuptojmë problemin me arkën e shtetit, por edhe ne nuk mund të presim më
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.