Amnistia nuk po shfrytëzohet siç duhet, ose më saktë jo në ato nivele që priteshin. Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbyllja e afatit, 31 dhjetor 2011, Ministria e Financave bën të ditur shifrat, nga ku mësohet se biznesi po tregohet gjithnjë e më shumë skeptik. “Është një shans që duhet shfrytëzuar”, thotë për “Monitor” zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj.
Shifrat e paraqitura në gjysmën e periudhës së zbatimit të amnistisë tregojnë se ka pasur lëvizje nga të gjitha kategoritë e përfituesve, por ajo që vihet re ishte ritmi tepër i ulët i bizneseve. “Biznesi duhet të shikojë përpara dhe të përfitojë nga amnistia, mundësi kjo që nuk përsëritet”, thotë Rushaj. Ai shtoi se “nuk do të ketë një shtyrje të afatit”. Përgjigjja e zëvenësministrit vjen në një kohë kur bizneset, kryesisht ato të dhomës së Tregtisë së Tiranës kanë kërkuar shtyrje të periudhës së zbatimit edhe për 6 muaj të tjerë.
“Nuk shohim arsye për të shtyrë afatin. Bizneset kanë pasur kohë, dhe u kanë mbetur më shumë se dy muaj të tjerë”, shton më tej numri dy i Financave. Zyrtarisht, deri më 15 tetor 2011, mësohet se janë falur rreth 14 miliardë lekë, në një kohë kur i gjithë potenciali është rreth 60 miliardë lekë, pra kemi më pak se 20 për qind shfrytëzim të amnistisë. Ajo që bie në sy është fakti se individët janë duke nxituar më tepër për të përfituar nga amnistia, si në pjesën e degazimit të të ardhurave të padeklaruara, ashtu dhe në rivlerësimin e pronave të paluajtshme.
detaj
Makinat
Janë zhdoganuar 1068 automjete, për të cilat janë paguar 220 milionë lekë, duke përfituar faljen e po kësaj shume
Tatimet, më dobët se doganat
Ritmi i ulët i zbatimit të faljes vijon të pasqyrojë punën jo të mirë nga administrata tatimore. Në total, nga ana e komisioneve të faljes, janë falur 44,734 raste në vlerën 3.6 miliardë lekë, kurse nga biznesi është paguar shuma prej 35,3 milionë lekësh, për 448 raste. Sa i takon doganave, janë falur 10.7 miliardë lekë detyrime doganore, nga të cilat kanë përfituar 1,456 biznese dhe janë paguar 18,6 milionë lekë. “Sikurse duket qartë nga të dhënat, qëllimi ynë nuk është mbledhja e të ardhurave në buxhet, por falja për biznesin dhe pastrimi i bilanceve”, deklaron Rushaj. Sa i takon individëve, në banka kanë mundur të legalizojnë 400 milionë lekë, nga të cilat është marrë tatim në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët (3%) shuma prej 11,9 milionë lekësh. Kurse te pronat kanë bërë rivlerësim pasurie mbi 4 mijë individë, ku shuma totale e pasurisë së rivlerësuar është 30 miliardë lekë, për të cilat individët kanë paguar vetëm 300 milionë lekë, ndërsa 2.7 miliardë lekë u janë falur.
SKEDA
Tatimet
Për borxhet, deri në vitin 2008:
- Biznesit të madh i është falur shuma 2.5 miliardë lekë për 4,870 raste
- Biznesit të vogël i është falur shuma 387 milionë lekë për 14,860 raste
- Individëve u janë falur 214,7 milionë lekë për 5,317 raste
Për borxhet e vitit 2009:
- Janë falur 2,013 raste në vlerën 70.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 39 raste në vlerën 812 mijë lekë
Për borxhet e vitit 2010:
- Janë falur 3,446 raste në vlerën 87.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 149 raste në vlerën 15 milionë lekë
Selami Xhepa:
Isha skeptik që në fillim, duhej konsensus
Personalisht kam qenë në grupin e skeptikëve për rezultatet e amnistisë fiskale dhe kjo nuk përbën ndonjë befasi për mua. Sidoqoftë, për shumë kompani që kanë fshirë borxhet në llogaritë e tyre me autoritetet fiskale, borxhet e këqija dhe detyrimet e trashëguara që mund të ishin bërë pengesë për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, kjo masë ka qenë me efekte shumë pozitive, megjithëse e vështirë që të kuantifikohet.
Kodheli:
Paralajmëruam dështimin, nuk u dëgjua biznesi
Jemi shprehur gjithnjë me dyshim mbi rezultatet që mund të sillte amnistia fiskale. Kjo u vërtetua që në fillim, pasi qeveria nuk i mori në konsideratë kërkesat e biznesit. Ne i paralajmëruam se projekti i propozuar nuk do të sillte efektin e duhur, për aq kohë se biznesit nuk iu dha e drejta e garancisë. PS kërkoi garanci që nëpërmjet amnistisë të mos ligjëroheshin “paratë e pista”.
Mima:
Shans i mirë që vjen një herë në 30 vjet
Ajo që mund them është që “kuajt nuk mund të ndërrohen në mes të garës”. Kemi një ligj të iniciuar nga biznesi, pati debate, u miratua, kuptohet duke marrë në konsideratë pjesën më të madhe të kërkesave të tyre. Unë gjykoj se amnistia është një shans i mirë për ata që duan të pastrojnë historikun e tyre, llogaritë, librat kontabël nga detyrimet shumëvjeçare që kanë në marrëdhëniet me shtetin. Gjithnjë kam qenë i mendimit, që në mënyrë simbolike, çelësat e amnistisë duhen hedhur në det, në kuptimin që askush të mos pretendojnë se mund të ketë sërish falje pas një apo dy vitesh. Mund të vijë koha pas 30 vitesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.