Të enjten, Amsterdami hapi për publikun parkingun e ri të biçikletave i cili ka kushtuar 65 milionë dollarë, pasi iu deshën katër vite për ta përfunduar strukturën e tij.
Sipas një raporti nga The Verge, projekti masiv do të mund të mbajë 6,300 biçikleta personale dhe 700 biçikleta të përbashkëta, por ekzistojnë plane për ta zgjeruar atë në mënyrë që të mund të mbajë 11,000 biçikleta kur të hapet pjesa e dytë e tij në shkurt.

Për të hyrë në parking, qytetarët duhet të kenë një etiketë në biçikletën e tyre ose një OV-chipkaart – një leje transporti në Holandë e cila mund të lidhet me një llogari bankare.
Parkingu ndodhet nën zonën e Stacionit Qendror të qytetit, ku rreth 200,000 udhëtarë mbërrijnë çdo ditë nëpërmjet hekurudhës dhe metrosë. The Verge raporton se gjysma e tyre përdorin edhe biçikleta.

Si pjesë e një programi pilot, banorët e Amsterdamit mund të përdorin biçikleta të përbashkëta për të udhëtuar nga qendrat e transportit publik për në qytet deri në muajin qershor, sipas faqes zyrtare të qytetit.

Amsterdami u rendit si qyteti i pestë më miqësor për biçikletat në botë, sipas të dhënave të mbledhura nga kompania e sigurimeve Luko. / Business Insider