Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot prej orës kanw hyrë në grevë, ashtu siç e kanë paralajmëruar ditë më parë, si vijimësi e veprimeve të tyre deri në plotësimin e kërkesave. Të njëjtit kanë mbajtur grevë edhe gjatë ditës së djeshme e që krijoi tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.
Sot po mbahet një tjetër grevë nga punëtorët të cilët kërkojnë realizimin e disa prej kërkesave të tyre, të cilat menaxhimi i ka quajtur joligjore.
Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benifite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e djeshme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport.
Ai tha se nëse nuk reflekton menaxhimi greva do të vazhdojë gjithë ditore gjatë ditës së mërkurë.
Në anën tjetër tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime i ka arsyetuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve.
Ajo paralajmëroi se menaxhmenti do të marrë masa ligjore ndaj grevistëve të cilët pengojnë procesin e punës dhe rrjedhimisht shkaktojnë vonesa në fluturime.
“Iu kërkojmë ndjesë të gjithë udhëtarëve për vonesë, meqenëse ne kemi marrë të gjitha masat paraprake për grevë mirëpo duke u bazuar në takimin e djeshëm me udhëheqësin e sindikatës së ANP-së, ne nuk kemi marrë në konsideratë se do të ketë veprime jashtë të gjitha kornizave ligjore te grevave për të penguar procesin e punës”.
Nënkryetari i Sindikatës së Aeroportit Hamëz Kryeziu, ka bërë me dije se gjatës ditës së djeshme ilegalisht pa u skanuar fare mbi 300 valixhe kanë kaluar, për çka është rrezikuar siguria e pasagjerëve.
Sipas tij greva, do vazhdojë tutje deri në realizim të kërkesave të tyre.
Ai po ashtu tha se disa grevistëve u është ndaluar hyrja në vendin e punës e këtë veprim Kryeziu e ka konsideruar si jo ligjor.
Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensimin dhe përfitime të tjera për rrezikshmërinë, të eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesat e shujtës. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.