Vlera e fitimeve të bankave në Shqipëri në përgjithësi është në përpjesëtim me madhësinë e tyre.
Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë arritur në përfundimin që shkalla e proporcionalitetit midis shpërndarjes së fitimit dhe shpërndarjes së madhësisë është relativisht e lartë.
Kjo do të thotë që, në nivele mesatare dhe në kushte normale, fitimet e bankave janë në përpjesëtim të drejtë me madhësinë e tyre.
Gjatë periudhës 2015-2019, korrelacioni linear midis peshës së bankave në totalin e aktiveve të sektorit dhe peshës së bankave në rezultatin neto nga interesat ka qenë më i fortë sesa për periudhën 2008-2014. Kjo tregon se procesi i konsolidimit gradual të sektorit bankar ka bërë që lidhja midis dy treguesve të vijë duke u forcuar me uljen e numrit të bankave dhe konsolidimin e sektorit bankar gjatë viteve të fundit.
Në përgjithësi, Banka e Shqipërisë vlerëson që sektori bankar vendas është konkurrues dhe
paraqet përqendrim të ulët për treguesit kryesorë të bilancit, sidomos në drejtim të aktiviteteve kryesore të ndërmjetësimit financiar.
Aktiviteti kreditues ka shkallën më të ulët të përqendrimit në krahasim me të gjitha aktivitetet e tjera të sektorit bankar dhe treguesi i përqendrimit ka ruajtur nivele të qëndrueshme dhe të ulëta gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit.
Treguesi i përqendrimit për tepricën e kredive me probleme regjistron nivele të krahasueshme me treguesin e përqendrimit për kredinë, por ka shfaqur luhatshmëri më të lartë, veçanërisht gjatë periudhës së krizës financiare dhe gjatë periudhave të ristrukturimeve brenda sektorit bankar.
Edhe për aktivitetin e pranimit të depozitave sektori bankar paraqet një nivel të mire konkurrence, por shkalla e përqendrimit është pak më e lartë në krahasim me aktivitetin kreditues, duke mbetur, megjithatë, nën kufirin e poshtëm të zonës që tregon konkurrencë të moderuar (1,500 – 2,500 pikë në indeksin Herfindafl-Hirschmann).
Treguesit për të cilët shkalla e përqendrimit është veçanërisht e lartë janë aktivet dhe pasivet me jorezidentët, ndërsa për aktivitetin e bankave në tregun e letrave me vlerë dhe bonove të thesarit dhe për aktivin në valutë, treguesit e përqendrimit sinjalizojnë konkurrencë të moderuar.
Për aktivet me jorezidentët, që tregon pretendimet e bankave vendase ndaj subjekteve jorezidente (kredi për jorezidentët dhe depozita të mbajtura jashtë) dhe zë rreth 24% të totalit të aktivit, treguesi i përqendrimit mbetet i lartë, por ka rënë ndjeshëm vitin e kaluar, si pasojë e shkëputjes së degës së BKT nga banka mëmë në Shqipëri, sipas BSH. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.