Pushtimi rus i Ukrainës ka rikonfiguruar tregun global të naftës, me furnitorët afrikanë që po përpiqen të përmbushin kërkesën europiane nga njëra anë, dhe me Moskën nga ana tjetër, e cila, e goditur nga sanksionet e Perëndimit, po përdor gjithnjë e më shumë cisternat e saj për të dërguar naftën e papërpunuar në Azi.
Këto ndryshime në furnizime shënojnë tronditjen më të madhe të tregtisë globale të naftës nga kahu i ofertës, që nga revolucioni i shistit argjilor në SHBA i cili riformësoi tregun rreth një dekadë më parë. Gjithashtu, ato dëshmojnë se Rusia do të jetë në gjendje të tejkalojë embargon e naftës nga Bashkimi Europian, nëse Azia dhe Kina vazhdojnë të blejnë naftën e saj të papërpunuar.
Sanksionet e vendosura ndaj Moskës pas fillimit të konfliktit në Ukrainë në muajin shkurt, duke përfshirë edhe embargon e SHBA-së ndaj importeve të naftës ruse, e kanë shtyrë Rusinë që të largohet nga tregu europian, ku nafta e saj po refuzohet nga vendet e bllokut. Kështu, Rusia i është drejtuar klientëve në Indi dhe në Kinë, të cilët po e marrin naftën me ҫmime shumë më të favorshme, sipas të dhënave nga industria dhe tregtarët.
Në muajin prill, eksportet ruse u rikthyen në nivelet ku ndodheshin përpara fillimit të pushtimit, sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë me bazë në Paris. Çmimet e naftës janë stabilizuar në rreth 110 dollarë për fuҫi, pasi arritën nivelin më të lartë të 14 viteve të fundit në mbi 139 dollarë për fuçi në muajin mars.
Edhe nëse BE-ja arrin dakordësinë për një embargo ndaj naftës ruse në raundin e ardhshëm të sanksioneve, analistët thanë se ndikimi i kësaj embargoje mund të zbutet si pasojë e kërkesës nga Azia.
“Nëse Perëndimi nuk ushtron presion diplomatik mbi blerësit aziatikë, atëherë nuk do të ketë një zgjerim të hendekut të ofertës dhe rritje të çmimeve të naftës,” tha Norbert Rücker nga kompania ndërkombëtare e menaxhimit të pasurive Julius Baer.
Sanksionet komplekse të SHBA-së, të BE-së dhe të Britanisë i kanë ndaluar anijet ruse që të hyjnë në portet e këtyre vendeve, gjë që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e tregtisë në Azi po mundësohet nëpërmjet transferimeve në det, nga njëra anije në tjetrën. Ky proces është shumë i kushtueshëm dhe rreziku i derdhjeve të naftës është më i madh.
Në përgjithësi, fluksi i naftës ruse drejt Azizë nëpërmjet detit është rritur me të paktën 50% që nga fillimi i vitit, sipas Petro-Logistics dhe të dhënave të tjera.
Transferimet e naftës ndërmjet anijeve, të cilat përbëjnë një pjesë të vogël të tregtisë së përgjithshme detare, janë zhvendosur nga bregu danez në Detin Mesdhe për të shmangur sanksionet dhe protestat.
“Transferimet nga njëra anije në tjetrën (‘ship-to-ship’) ishin të zakonshme në ujërat daneze, në pikën hyrëse të Detit Baltik,” tha për Reuters presidenti i Petro-Logistics, Mark Gerber. “Këto transferime nuk po ndodhin më, prandaj trendi i transferimeve nga një cisternë e sanksionuar në një cisternë jo të sanksionuar po rritet në ujërat më të ngrohta dhe më miqësore të Mesdheut.”
Gerber vlerëson se vëllimet e naftës së papërpunuar ruse që po transferohen ndërmjet cisternave në Mesdhe është rreth 400,000 fuçi në ditë, nga të cilat shumica shkon në Azi, duke iu shtuar 2.3 milionë fuçive në ditë që dërgohen drejtpërdrejt në këtë kontinent.
Në janar, përpara pushtimit, dërgesat direkte në Azi ishin rreth 1.5 milion fuçi në ditë.
Nafta ruse ngarkohet në cisternat Aframax ose Suezmax, të cilat transportojnë më pak se 1 milion fuçi, dhe transferohet në det tek disa anije më të mëdha që mund të mbajnë deri në 2 milion fuçi, duke e bërë më efektiv transportin nga pikëpamja e kostove, sipas tregtarëve.
Vëllimet e transportit detar të naftës përbëjnë vetëm një pjesë të totalit të eksporteve nga Rusia. Nëse përfshihen edhe furnizimet përmes tubacioneve, eksportet totale të naftës së papërpunuar u rritën në mbi 8 milionë fuçi në ditë gjatë muajit prill, duke u kthyer kështu në shifrat ku gjendeshin përpara fillimit të pushtimit./ Reuters