Në artin shqiptar peizazhi si dhe në Europë, fillimisht ishte pjesë përbërëse e tablove me temë fetare dhe më vonë pjesë e sfondit të portreteve të aristokracisë europiane. Në “rrugën” e zhvillimit nga shekulli në shekull, kjo gjini krijoi “fytyrën” e saj të veçantë me realizimet e mjeshtrave të pikturës europiane të “plain air”it si: Turner, Monet, Manet, Van Gogh, Sezan, Pissaro etj.Në Shqipëri piktorët e parë laikë në shek. XIX-XX, e kanë lëvruar pothuajse të gjithë këtë gjini, duke filluar me peizazhin e parë (Peizazh nga Ulqini, K. Idromeno, 1875) dhe piktorët e tjerë S. Rrota, Z. Kolombi, V. Jani, A. Buza, V. Mio që krijuan traditën e peizazhit të “plain air” në Shqipëri. Kjo gjini pati vazhdimësi dhe u lëvrua brenda disa “kornizave ideore” të kohës nga piktorët e realizmit socialist si N. Zajmi, F. Stamo, A. Papa etj. Mbas viteve 80 vetëm pak piktorë vazhduan ti mbeten besnikë peizazheve të “plain air”, ndërmjet të cilëve mund të kujtojmë piktorët: B. Ahmeti, S. Kamberin, L. Çikën, M. Arapi, K. Ristani, I. Lulani etj. Piktori ANASTAS KOSTANDINI TASO (siç njihet nga rrethet artistike) është piktori që e filloi rrugën e tij krijuese në qytetin e lindjes Pogradec, duke mbetur ndër piktorët e paktë e ndofta unikalë që vazhdon ti realizojë peizazhet e tij direkt nga natyra. Ciklet e peizazheve të Kostandinit apo të TASO-s, siç njihet nga miqtë e rrethet artistike, gjithmonë e më tepër kanë tërhequr dhe po tërheqin vëmendjen e publikut artdashës jo vetëm në Shqipëri. I përkushtuar ndaj gjinisë së peizazhit dhe veçanërisht ndaj zbulimit të jetës së provincës TASO, gjithmonë e me këmbëngulje kërkon të “thithë” nga natyra kryesisht e zonës së tij dhe e jugut (në përgjithësi) freskinë e ngjyrës, të papriturat e magjisë së dritës si dhe të “vizatojë” me penel çdo detaj të imazhit të zgjedhur. Ciklet e tij piktorikë arrijnë në rreth 3 000 tablo dhe mbi 30 000 vizatime, skica e grafika (të realizuara në pllaka druri). Krijimtaria e TASOS mund të grupohet në disa cikle të mëdha për efekte studimi: a) peizazhe të qytetit dhe zonës së Pogradecit apo dhe jugut shqiptar; b) brendi dhe aspekte të jetës së popullit dhe të qytetit; c) skica, vizatime dhe grafika nga jeta e përditshme që mund të vlerësohet edhe si kronika të jetës së popullit. Peizazhet e TASOS mund të konsiderohen dhe si “kujtesa” e qytetit, pasi nuk ka rrugë e rrugicë që të mos jetë pikturuar disa herë. “Fatin” apo “privilegjin” e veçantë përveç qytetit e kanë fshati Lin dhe Tushemisht, që janë pikturuar në mbi 200 tablo secili. Peizazhi për TASON është një formë e veçantë e komunikimit dhe e dialogut me publikun e tij. I vetmuar dhe i mbështjellë me jetën e një qyteti të vogël provincial si Pogradeci piktori kishte dy rrugëzgjidhje në jetën e tij: ta braktiste atë (qytetin), duke humbur magjinë dhe misterin e jetës romantike të ndërtuar sipas rregullave të artistit dhe të provonte kënaqësitë e qyteteve të mëdhenj e të zhurmshëm, të rretheve artistike të pasigurta e intrigave të kafeneve, ekspozitave e veprimtarive të lakuara e të privilegjuara, apo të qëndronte i papërkulur duke pikturuar e duke u mahnitur nga mjeshtrit e pikturës botërore si Velaskes, Van Gog e Picasso, duke lexuar e ëndërruar, udhëtuar heraherës i vetmuar duke “pirë deri në fund kupën e provincës”, siç shprehet vetë. Ai parapëlqeu ti qëndronte besnik qytetit të tij të vogël njësoj si poeti i madh Lasgush Poradeci, të cilit TASO i ka kushtuar me dhjetra tablo e ndofta ka pasur privilegjin ta vizatojë atë, qëkur poeti ishte ende gjallë. Në realizimin e tablove të qytetit të Pogradecit, TASO “zgjedh” dy mënyra të ndryshme e mjaft interesante. Një pjesë e tablove të tij kanë “shijen” e realizimit të një “piktori poet” romantik të natyrës, ndërsa tablo të tjera arrijnë të “zbulojnë” qytetin tjetër ashtu siç vetëm artisti e njeh. Qyteti i tij, i cili nuk fle, por gjallon me thashetheme, biseda e kontradikta, intriga e dashuriçka të fshehta, varfëri, magji e mister. Mënyra e pikturimit të rrugicave të lagjeve të qytetit të tij me detajet e dyerve të vjetra, mureve me suva të rënë e shkallëve të drunjta për të hequr borën e çative, ku flenë macet dhe maçokët nën diell, japin një kronikë realiste e magjike, të papritur që nuk e shohim në asnjë piktor tjetër shqiptar. Taso me penelin e tij butë butë, ka mundur të hyjë në çdo skaj të jetës së një qyteti provincial duke mos e idealizuar atë. Ai më shpesh e pikturon qytetin nga lart si nga retë, duke numëruar çdo çati e tjegull dhe në tablo të tjera peizazhi pikturohet nga larg si një mister plot dritë që të ofrohet nëse përqendrohesh në zbulimin e strukturës së tij. Tablotë e TASOS të ofrojnë kënaqësi, sepse janë pikturuar me dashuri dhe mjeshtëri. Në fillimet e krijimtarisë së tij TASO ka realizuar edhe disa kompozime me temë historike, portrete kryesisht të familjes së tij dhe natyra të qeta. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndodhen disa nga këto tablo si: “Mësonjtorja e parë shqipe”(1982), “Borova” (1985), “Luftëtarët e lirisë”(1982), “Jan Kukuzeli” (1987). Veprat e piktorit Anastas Kostandini ndodhen edhe në koleksionet e mjaft koleksionistëve në Shqipëri, Gjermani, Holandë, Francë.Çmimi i veprave të piktorit Anastas Kostandini TASO, varion nga 600 2500 Euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.