Një pjesë e shoqatave të biznesit janë vënë në pozita të vështira në lidhje me ekzistencën e tyre pas hartimit të projektligjit “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” i cili pritet të diskutohet në komisionet kuvendore dhe të miratohet javën e ardhshme.
Sipas përfaqësuesve të disa prej këtyre shoqatave antarësimi i detyrueshëm në dhomat e tregtisë do të zbehë rolin e tyre dhe do ta bëjë të vështirë funksionimin.
Një nga arsyet është përcaktimi i kuotës që do të paguhet në mënyrë të detyrueshme nga bizneset që do të përfshihen në dhomat e tregtisë.
Qeveria kishte parashikuar që niveli i kuotave të përcaktohej në ligj, por dhomat e tregtisë kanë argumentuar se do të jetë Asambleja, organi që do të vendosë për këtë gjë.
Një tjetër shqetësim që shoqatat ngrenë ka të bëjë edhe me faktin se me antarësimin e detyrueshëm dhe futjen nën “çadrën” e dhomave do të “zhduket” edhe ndarja sipas sektorëve e biznesit, çka do ta vështirësojë mbrojtjen e interesave specifike. Sipas këtyre përfaqësive diskutimet për miratimin e këtyre ndryshimeve duhet të mos bëhen të nxituara.
Ndryshimet që parashikohen t’i bëhen ligjit aktual “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë” janë :
– rivendosjen e anëtarësimit të detyrueshëm pranë dhomave të tregtisë dhe industrisë të personave juridikë;
– vendosjen e masës së kuotës së anëtarësimit që duhet të paguajnë dhomat për llogari të Bashkimit të Dhomave, në masën 30% të të ardhurave vjetore të dhomës;
– parashikimin e së drejtës së anëtarësimit vullnetar në Bashkimin e Dhomave për të gjitha shoqatat e bashkimit vullnetar të bizneseve, sipas një
marrëveshjeje të nënshkruar nga palët.
– përdorimin e emërtimit “Dhomë Tregtie” nga subjekte që kanë një numër anëtarësh prej 50 vetash.
Mësohet se nga diskutimet e vazhdueshme me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë (BDHTI) dhe dhomat kryesore, janë evidentuar vazhdimisht një sërë problematikash.
Hartuesit e draftit shpjegojnë se mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e këtij institucioni ka çuar në uljen plotësisht të rolit të dhomave si dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj. Në këtë mënyrë është arritur në përfundimin se duhet të bëhen ndryshime në ligjin që është në fuqi duke kaluar nga anëtarësia vullnetare në anëtarësi të detyrueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.