Ankandet e energjisë, FTL kërkon vlefshmëri 12-mujore për dokumentet e kompanive

17/11/2020 11:00 AM 0 komente

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) të rishikojë rregulloren që lidhet me procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe të transmetimit.

Kjo kërkesë e FTL duket se lidhet me zgjidhjen e një ngërçi sa u takon shoqërive të huaja të cilat, për të marrë pjesë në ankande, duhet të jenë të regjistruara dhe të plotësojnë çdo tre muaj dokumentacionin.

“FTL sh.a., bën të ditur se, shoqëritë e huaja të regjistruara në platformën IT online të blerjes së energjisë elektrike në mënyrë të vazhdueshme kanë shprehur shqetësimin e tyre për përditësimin në afatin e përcaktuar prej 3 muajsh, të dokumentacionit sipas përcaktimit të pikës 1/c të Nenit 11 të Rregullores, për shkak të afateve të procedurave administrative në shtetet përkatëse dhe të kostove financiare të përditësimit të këtij dokumentacioni” – thuhet në vendimin e ERE-s.

Në këtë kontekst nga ana e FTL është kërkuar që përditësimi i dokumentacionit të bëhet në një afat më të gjatë.

“Duke pasur në konsideratë që disa nga shoqëritë pjesëmarrëse në procedurat e blerjes së energjisë elektrike janë shoqëri të huaja, si dhe referuar praktikave më të mira të industrisë dhe precedentëve lokalë në lidhje me tregtimin e energjisë elektrike, FTL sh.a., propozon që afati i përditësimit të dokumentacionit sipas pikës 1/c të nenit 11 të Rregullores të bëhet 12 (dymbëdhjetë) muaj” thuhet në dokumentin e ERE.

FLT ka argumentuar se kërkesa e saj bazohet së pari në eliminimin e kostove financiare të përditësimit të dokumenteve çdo tre (3) muaj dhe së dyti, referuar praktikave më të mira të industrisë dhe precedentëve lokalë në lidhje me tregtimin e energjisë elektrike.

Lidhur me këtë kërkesë FTL është legjitimuar si palë interesi ndërkohë që edhe OST do të jetë pjesë e diskutimeve në vazhdim.

“Bazuar në nenin 19, germa “l” e Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, ERE ka përgjegjësinë për të miratuar, me propozim të të licencuarve rregullat për: i) shitjen, blerjen dhe shkëmbimin e energjisë elektrike, që kryhen nga prodhuesit dhe furnizuesit, të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik. Në kuptim të sa më sipër, FTL sh.a. legjitimohet si palë interesi për të kërkuar rishikimin e kësaj Rregulloreje.

Në zbatim të rregullave të praktikës së ERE-s, për këto ndryshime do të njoftohen të gjitha palët e interesit, veçanërisht OST sh.a., si palë direkte e cila gjithashtu zbaton këtë rregullore për procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit si dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, për të shprehur opinionet e tyre në lidhje me këto propozime për ndryshim” thuhet në dokument./N.Maho

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of