Ankandi për 100 mijë tonë naftë, Albpetrol shpall fituesin, kontrata 27 milionë euro

20/04/2021 10:00 AM 0 komente

Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol njoftoi se ka përmbyllur procedurat e vlerësimit të ofertave për ankandin e 100 mijë tonëve naftë duke shpallur edhe fituesin.

Sipas njoftimit të kësaj kompanie fituese është shpallur operatori EUROPETROL DURRES ALBANIA e cila ka dhënë një çmim për në pikat e lëvrimit të Albpetrol : 73.3 % e çmimit Brent – 3.6 $/bbl + K (K = 0.0105 $/bbl).

“Rrjedhimisht, jeni të lutur të paraqisni pranë “Albpetrol” sha, rruga Fier – Patos km 7, Fier, sigurimin e kontratës në vlerën 335.700.000 (treqind e tridhjetë e pesë milion e shtatëqind mijë) lekë, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentat e ankandit dhe të nënshkruani kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë ) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi.

Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës Tuaj dhe ankandi do të anulohet, siç parashikohet në pikën 16/b të Urdhrit nr.83 datë 10.02.2012 ‘Për rregullat dhe procedurat e shitjes së produkteve hidrokarbure’’, i ndryshuar” thuhet në njoftimin e Albeprol.

Me një përllogaritje të thjeshtë e vlerës së kontratës nga shitja e 100 mijë tonëve naftë nga Albpetrol tek kompania private, pritet që të arkëtohen 3.35 miliardë lekë apo 27 milionë euro.

Ky është ankandi i dytë që Albepetrol mbyll në vitin 2021 duke nxjerrë një fitues. Më herët ishte bashkimi i i Operatorëve Ekonomik Shoqëria “R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, dhe “Al Global Oil” që fituan një ankand dhe nënshkruar kontratë për tërheqjen e një sasie 40 mijë tonë të naftës brut. Vlera e kontratës në ankandin e mëparshëm ishte 1.4 miliardë lekë ishte pak më shumë se 11 milionë euro.

Viti 2021 duket të ketë nisur disi më pozitivisht për sektorin dhe jo vetëm për atë nxjerrës por edhe përpunues duke qenë se gjatë vitit të shkuar një seri ankandesh të Albpetrol dështuan ose për mungesë konkurrence ose për mungesë interesi. Situata e pandemisë dhe e karantinës dha një goditje të fortë dhe të menjëhershme në këtë sektor globalisht duke bërë që çmimet e naftës të pësojnë ulje drastike./ N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of