Përmes një dokumenti, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes bëri të ditur se gjatë muajit gusht 2017, nga bizneset janë depozituar 31 kërkesa, ndër të cilat pjesa dërrmuese kanë qenë në formë ankesash.
Pas këshillimeve dhe gjetjes së hapësirave ligjore për të trajtuar çështjet, ministria njofton se i janë dhënë zgjidhje kërkesave të ardhura nga subjekte të ndryshme.
Në regjistrin e ankesave të trajtuara vihen re 16 kërkesa të trajtuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, si dhe 4 nga Ministria e Energjisë. Të tjera tematika për të cilat bizneset janë ankuar kanë qenë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Turizmit, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Drejtësisë etj.
Ndër tematikat që bizneset kanë dërguar kërkesën e tyre për shqyrtim për zgjidhje, vihen re disa kërkesa si: “vështirësi në regjistrimin e kontratave të kalimit të kredisë në sportelet e ADISA” kërkesë kjo e datës 31 gusht.
Ankesa të tjera përfshijnë: “Subjekti raporton mungesë informacioni mbi gjobitjen për punonjës të padeklaruar”, “Subjekti raporton ankesë në lidhje me mosrespektimin e afateve ligjore për dhënie licence”, “Subjekti raporton mbifaturim nga ana e OSSHEE”, “Ankesë për përzgjedhje jo transparente të shoqatave të turizmit, të cilat do të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e turizmit.”, “subjekti raporton gjobë të padrejtë nga AKU”, “subjekti raporton ankesë në lidhje me cenimin e markës nga dy shoqëri të tjera” etj.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, në përmbushje të misionit të ndërmarrë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, nxjerr raporte periodike të përmuajshme mbi punën e kryer. Ky raport rezulton i 12-të që ka nxjerrë Ministrja për punën e institucionit mbi trajtimin e ankesave dhe sugjerimeve të sipërmarrjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.