Anketa e biznesit, vetëm gjysma e të anketuarve që kishin aplikuar për Rimbursim TVSH-je e kishin përfituar në kohë

07/12/2017 3:41 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, anëtarë të Këshillit të Investimeve, morën pjesë të mërkurën në mbledhjen ku u diskutuan gjetjet kryesore të anketës së biznesit “Mbi Kontrollin Tatimor, Informalitetin dhe Rimbursimin e TVSH-së”. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj. Gjetjet e kësaj ankete u bazuan në përgjigjet e një numri biznesesh kryesisht të sektorëve industri, ndërtim, shërbime dhe tregti me shumicë e pakicë.

Anketuesit vlerësojnë se ka një rritje cilësore të komunikimit me administratën tatimore në raport me gjetjet e vitit 2015. Kjo sidomos në transparencën, komunikimin me biznesin, aksesin në kohë dhe cilësinë e informacionit, ndërkohë që sfidë për të ardhmen mbetet rritja e njohurive të kompanive mbi dinamikën e legjislacionit fiskal. Respondentët kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm vijimin e procesit të dixhitalizimit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve.

Sa i përket Kontrollit Tatimor, në raport me vitin 2015 në anketë evidentohet një rritje e konsiderueshme në vlerësimin për cilësinë e raportit të auditimit, si dhe sjelljen dhe etikën e inspektorëve. Po kështu të dhënat e anketës tregojnë për një rritje të ndjeshme në ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për Modulin e Analizës së Riskut dhe përzgjedhjen për inspektim bazuar në të.

Anketa evidenton ndryshime në natyrën e inspektimeve me më shumë vizita fiskale dhe inspektime në vend.

Lidhur me Rimbursimin e TVSH-së, 22% e të anketuarve kishin aplikuar për Rimbursim të TVSH-së nga ku 52% e tyre raportojnë se e kanë përfituar atë brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.  Në raport me vitin 2016, anketa tregon se ka një rritje në përfitimin automatik të rimbursimit të TVSH-së dhe një përmirësim të ndjeshëm në përmbushjen e afateve të rimbursimit të TVSH-së me rimbursimin brenda 30 ditësh.

Aktiviteti informal ashtu si në 2015 edhe në 2017 konsiderohet nga kompanitë si kosto, veçanërisht në terma afat gjatë. Në tërësi anketa evidenton se ka një perceptim në rënien e informalitetit krahasuar me vitin 2015.  Anketa e plotë do të publikohet në faqen zyrtare të Këshillit të Investimeve www.investment.com.al.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of