Sipas një sondazhi me afro 1,000 liderë nga fusha e biznesit, politikës dhe akademisë, vetëm një në gjashtë të anketuar shprehej optimist për perspektivën e botës, duke bërë që vetëm një nga ҫdo dhjetë vende anëtare të Forumit Ekonomik Botëror të ketë pritshmëri që rimëkëmbja globale do të përshpejtohet gjatë tre viteve të ardhshme.
Ndryshimet klimatike u identifikuan si rreziku kryesor nga të anketuarit në raportin vjetor të rreziqeve të Forumit Ekonomik Botëror (FEB), i cili u publikua të martën. Erozioni i kohezionit social, kriza e sigurimit të nevojave bazë të jetesës dhe përkeqësimi i shëndetit mendor u identifikuan si rreziqet që ishin rritur më shumë që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
“Udhëheqësit globalë duhet të bashkohen dhe të miratojnë një qasje të koordinuar me shumë palë për të trajtuar sfidat e pandërprera globale dhe për të krijuar qëndrueshmëri përpara krizës së radhës,” tha Saadia Zahidi, drejtuese në nivel menaxherial në FEB.
Moti ekstrem u konsiderua rreziku më i madh në botë në planin afatshkurtër, ndërsa dështimi për të reaguar ndaj ndryshimeve klimatike ishte rreziku më i madh në planin afatmesëm dhe afatgjatë – dy deri në 10 vjet, sipas sondazhit.
Marrëveshja në konferencën e klimës COP26 të OKB-së në nëntor të vitit të kaluar u duartrokit gjerësisht për faktin se po mbab gjallë perspektivën e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius, por disa nga afro 200 vendet që morën pjesë në konferencë do të donin të arrinin akoma më shumë nga konferenca në Glasgow.
Ndryshimi i klimës tashmë shihet se po sjell forma më ekstreme të motit.
“Dështimi për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike mund të reduktojë PBB-në globale me një të gjashtën. Angazhimet e marra në COP26 ende nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivin 1.5 (gradë Celsius),” tha Peter Giger, shefi i grupit të riskut në Zurich Insurance, i cili dha kontributin e tij në përpilimin e raportit.
Raporti i FEB thekson gjithashtu katër fusha të rreziqeve në rritje – siguria kibernetike, tranzicioni i çrregullt klimatik, presionet e emigracionit dhe konkurrenca në hapësirë.
Perspektiva për lëshimin e 70,000 satelitëve në dekadat e ardhshme, përveç turizmit hapësinor, rrit rrezikun e përplasjeve dhe të shtimit të mbetjeve në hapësirë, në rrethanat kur nuk ka rregulla të përcaktuara.
“Kush do të dominojë hapësirën?” tha Carolina Klint, drejtuese e menaxhimit të riskut për Europën kontinentale tek agjencia ndërmjetësuese e sigurimeve Marsh, e cila gjithashtu ndihmoi në përgatitjen e raportit.
Raporti publikohet çdo vit përpara takimit vjetor të FEB në Davos. Sidoqoftë, FEB, me qendër në Gjenevë, shtyu muajin e kaluar eventin që do të mbahej në janar për në mesin e vitit 2022, për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.
Raporti është përgatitur në bashkëpunim me Zyrihun, Marsh McLennan dhe SK Group të Koresë së Jugut, me universitetet e Oksfordit dhe të Pensilvanisë, si dhe me Universitetin Kombëtar të Singaporit./ Reuters