Anketa e pagave: Femrat paguhen 6.8% më pak se burrat, rroga bruto 50,700 lekë në muaj në vitin 2019

11/11/2020 12:24 PM 0 komente

Ndërmarrjet me mbi 10 punonjës kishin punësuar 422 mijë persona më 2019, me një pagë mesatare mujore bruto 50,735 lekë.

Rezultati doli në një anketë që INSTAT realizoi për herë të parë në vitin 2019, “Struktura e të Ardhurave nga Puna në Shqipëri, 2018”, e cila do të përsëritet një herë në katër vjet. Anketa gjeti se, hendeku gjinor në paga është 6,8%.

Në numrin e përgjithshëm të të punësuarve me pagë,  50,6% ishin meshkuj dhe 49,4% ishin femra.

Sipas aktivitetit ekonomik të ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë në industrinë nxjerrëse me rreth 89,7%, ndërsa femrat mbizotërojnë në sektorin e shëndetësisë dhe aktiviteteve sociale, me rreth 73,7%.

Sipas madhësisë së ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë te ndërmarrjet me 10-49 të punësuar dhe të punësuarat femra mbizotërojnë, tek ndërmarrjet me mbi 1000 të punësuar.

Hendeku gjinor në paga 6,81%

Gjatë muajit tetor 2018 hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare ka qenë 6,81%. Hendeku gjinor i pagave tregon diferencën midis pagës bruto që merr një burrë dhe asaj që merr një grua, dhe kjo diferencë ka qene më e madhe në Industrinë nxjerrëse, me 34,9% dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me – 11,5%.

Pabarazia e pagave sipas gjinisë është më e lartë për punonjësit me kohë të plotë me 7,1% ndërsa për punonjësit me kohë të pjesshme është më e ulët me -1,5%. Sipas kohës së punës, femrat zëne pjesën më të madhe të të punësuarve me kohë të pjesshme me 57,5%, në të kundërt ndër të punësuarit me kohë të plotë femrat zënë 49,2%.

Aktivitetet financiare, pagat më të larta

Të ardhurat nga puna sipas aktiviteteve ekonomike janë më të larta në aktivitetin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me rreth 586 lekë për orë pune. Në këtë aktivitet meshkujt kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 609 lekë dhe për femrat rreth 571 lekë. Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 34,9%.

Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) me rreth 60,4% dhe më i ulët në profesionin e menaxherëve me rreth – 47,1% .

Në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët me rreth -11,5%.

Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to, me rreth 31,7% dhe më i ulët në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë dhe pyjeve, me rreth -15,8%.

Pagat janë më të larta në ndërmarrje të mëdha

Të ardhurat nga puna sipas madhësisë së ndërmarrjes, janë më të larta në ndërmarrjet me 500 – 999 të punësuar me pagë rreth 405 lekë për orë pune.

Në këto ndërmarrje meshkujt kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 441 lekë dhe për femrat rreth 372 lekë . Të ardhurat mesatare orare për një të punësuar me pagë sipas madhësisë së ndërmarrjes dhe gjinisë

Të ardhurat nga puna më të ulëta në rang ekonomie janë në ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me page, me rreth 238 lekë për orë. Në këto ndërmarrje të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë më të ulëta se femrat përkatësisht me 235 lekë dhe 242 lekë.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në ndërmarrjet me 500 – 999 të punësuar me pagë me rreth 15,6% .

Në këto ndërmarrje hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e punonjësve të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve me rreth 51,7% dhe më i ulët në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me rreth -40,9%. Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët në ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me pagë, me rreth -2,7%. Në këto ndërmarrje, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) me rreth 14,7% dhe më i ulët në profesionin e menaxherëve me rreth -18,7%.

Të ardhurat nga puna sipas nivelit arsimor të të punësuarve me pagë, janë më të larta ndër të punësuarit me arsim të lartë, me rreth 392 lekë për orë pune.

Meshkujt me këtë nivel arsimor kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat. Të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 420 lekë dhe për femrat rreth 372 lekë .

Pagat më të ulëta në punësuarit me arsim 8/9-vjeçar

Të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie për të punësuarit me pagë me arsim 8/9 vjeçar, rreth 178 lekë për orë. Meshkujt me këtë nivel arsimor kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 193 lekë dhe për femrat rreth 164 lekë.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë me arsim të mesëm me rreth 21,2%. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, me rreth 43,3% dhe më i ulët në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me rreth – 7,5%.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët ndër të punësuarit me arsim të lartë, rreth 11,5%. Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 44,5% dhe më i ulët në aktivitetin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes me rreth -8,8%.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë të grupmoshës 40-49 vjeç, rreth 11,4% . Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e Industrisë nxjerrëse me rreth 35,5% dhe më i ulët në aktivitetin e Shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me rreth -13,9%.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët për të punësuarit me pagë në grupmoshën më pak se 30 vjeç, rreth 1,0% (Fig.8). Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, me rreth 36,5% dhe më i ulët në aktivitetin e furnizimit me ujë, aktiviteteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave e mbetjeve, me rreth -25,9% .

Menaxherët me paga më të larta

Të ardhurat nga puna sipas profesioneve të të punësuarve me pagë, janë më të larta në pozicionin e menaxhereve me rreth 568 lekë për orë pune. Femrat në këtë profesion kanë të ardhura nga puna më të larta se meshkujt, të ardhurat mesatare për orë pune për femrat janë rreth 581 lekë dhe për meshkujt rreth 562 lekë .

Për të punësuarit me pagë në profesionin e punëtorëve, të ardhurat nga puna janë më të ultat në rang ekonomie, me rreth 161 lekë për orë. Meshkujt në këtë profesion kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 187 lekë dhe për femrat rreth 144 lekë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of