Shqiptarët rritën udhëtimet brenda dhe jashtë vendit gjatë vitit 2022.
Rritja vërehet si për udhëtimet personale ashtu edhe për ato të biznesit. Anketa e Institutit të Statistikave mbi Turizmin, Pushimeve dhe Udhëtimeve nxjerr në pah disa nga tendencat që u shfaqën në vend gjatë vitit të shkuar si i pari me normalitet pas pandemisë së COVID-19.
“Në vitin 2022, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë), të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.746.993. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5,1 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 97,4 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 2,6 % të tyre. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (14,6 %), Korrik (11,9 %), Dhjetor (11,7 %) dhe Qershor (11,1 %). Siç vërehet edhe nga grafiku, shuma e netëve të qëndrimit (në milion) ka regjistruar vlerat më të larta në muajt Gusht, Korrik Dhjetor dhe Qershor” thuhet në publikimin e INSTAT.
Sipas shifrave në vitin 2022, janë regjistruar rreth 8,3 % më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2021. Karakteristikë e këtij viti është rritja e shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë.
“Në 2022, udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë për qëllime “Pushime dhe kohë e lirë” janë rritur me rreth 12,5 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
Nëse do të analizojmë shpërndarjen e udhëtimeve sipas kohëzgjatjes së netëve të qëndrimit, udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (68,6 %) se udhëtimet e gjata (4+ netë). Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (68,2 %)” vëren INSTAT.
Grupmosha që udhëton më shumë 25-34 vjeç
Të dhënat e analizuara nga INSTAT tregojnë se mosha 25-34 vjeç është ajo që udhëton më shumë. “Analizimi i udhëtimeve sipas grup-moshës në vitin 2022, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç Analizimi i udhëtimeve sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2022, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve, brenda Shqipërisë, janë kryer më shumë nga udhëtarët femra (50,3%), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (55,3%)” vlerëson INSTAT.
Sipas INSTAT vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 netë) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 45-54 vjeç. Ndërsa udhëtimet me kohëzgjatje të gjatë (4+ netë) janë kryer nga grup-mosha 75+ vjeç.
Destinacionet më të preferuara Greqia dhe Italia … shtohet Spanja dhe Anglia
Destinacionet ku shqiptarët kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit janë vendet fqinje ku janë të vendosur edhe një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (17,4 %), Vlorë (15,2 %), Korçë (14,0 %) dhe Durrës (11,2 %). Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (5,2 %), Itali (4,9 %) dhe shtete të tjera (Spanjë, Angli, etj.) (2,8 %).
Udhëtimet sipas llojit të akomodimit dhe transportit
“Lloji më i shpeshtë i akomodimit në vitin 2022, është “të qëndruarit tek të afërmit ose miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “ambiente akomodimi me qira” apo “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”. Në vitin 2022, vërehet rritje për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë” me 5,2 pikë përqindje ndërkohë ulja më e lartë është regjistruar për kategorinë “Shtëpi pushimi,druri, kamping, (SPA,llixha) etj” rreth 2,9 pikë përqindje” vlerëson INSTAT.
Ndëkrohë sa i takon transportit anketa zbulon se rreth 3,33 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 88,9 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2022. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin ajror me 6,1 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.