Shqipëria ka lidhjen më të dobët ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, sipas një ankete që u bë këtë vit nga fondacioni gjerman, “Friedrich Ebert”, nëpërmjet studimit “Edukimi i të rinjve në Europën Juglindore”.
Edhe pse qeveria aktuale i ka dhënë përparësi arsimit profesional, të rinjtë shqiptarë të moshës 16-27 vjeç kanë pohuar se kanë lidhje të dobët ndërmjet arsimit me praktikën ose intershipet (shih grafikun bashkëngjitur).
Vetëm 21% e të rinjve në anketë pohuan se kanë marrë pjesë në praktikë gjatë procesit mësimor, kjo ishte përqindja më e ulët në rajon. Krahasuar me vitin 2011, Shqipëria ka përmirësim me vetëm 1% në raport me vetveten.
Anketa tregon se në Slloveni, sistemi i edukimit është më mirë i lidhur me praktikën, ku 60% e të rinjve pohuan se kanë zhvilluar praktika dhe intershipe gjatë periudhës së studimeve. Lidhja e sistemit të edukimit me praktikat dhe tregun e punës ka përparuar në të gjitha vendet e rajonit, përvecc Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Pas Sllovenisë, Maqedonia paraqitet më mirë në lidhjen e shkollës me praktikën, ku rreth 55% e studentëve pohuan se kanë marrë pjesë në praktika. Mbi 50% pjesëmarrje në këtë proces kanë paraqitur edhe Serbia dhe Mali i Zi. Një nga elementet kryesore që lehtësojnë kalimin në tregun e punës janë sistemet e arsimit dhe trajnimit që pajisin të rinjtë me aftësi të nevojshme dhe i përgatisin ata për të hyrë në tregun e punës.
Shumica e të rinjve në të gjitha vendet e përfshira në FES 2011-‘15 nuk kishin kryer një praktikë, ndërsa të dhënat e Studimeve Rinore 2018/19 paraqesin një tablo më të favorshme, pasi që në gjysmën e vendeve (Sllovenia, BiH, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia), më shumë se gjysma e të rinjve raportuan se kryenin praktikë. Me përjashtim të Maqedonisë, ky aspekt i shkollimit është përmirësuar në të gjitha vendet, në mënyrë të konsiderueshme në BiH, Kroaci dhe Slloveni, dhe disi në Serbi, Kosovë.
Situata më pak e favorshme është në Rumani dhe në Shqipëri, ku vetëm një e katërta dhe e pesta e të rinjve, përkatësisht, kanë kryer një praktikë në lidhje me arsimimin e tyre. Nga ana tjetër, shumica e të rinjve perceptuan sistemet e arsimit jo të përshtatura me tregun e punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.