Shqipëria ka peshën më të lartë të të vetëpunësuarve në Europë, me rreth 35% të totalit të punonjësve, teksa pas saj është Greqia, me rreth 30%. Por gjithashtu vendi ynë ka përqindjen më të lartë në ketë kategori, që deklarojnë se vetepunësohen, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për punë.
Një studim i ndërmarrë nga Bashkimi Europian për punësimin dhe perspektivat e tij në Europë ka gjetur se 63% e të anketuarve kanë deklaruar se e bëjnë këtë zgjedhje pasi nuk kanë alternativë tjetër. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Europën, teksa pas nesh është Serbia, me 53% të totalit. Nivel të lartë të vetëpunësimit “nga halli” kanë dhe shtetet e tjera të rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia (shi grafikun).
Arsyet janë krejt të ndryshme në vendet e zhvilluara, ku vetëpunësimi tashmë është një zgjedhje personale.
Për shembull në Suedi 86 për qind e tëvetëpunësuarvë kanë zgjedhur të jenë të tillë për shkak të komoditetit dhe të ardhurave që sjell ushtrimi i një profesioni në gjendje të lirë. “Freelance” është një kategori shumë e përhapur në këto vende.
Por duke parë arsyet pse njerëzit vetëpunësohen, shihet se grafiku nis e zhbalancohet tek vendet më pak të zhvilluara të Europës dhe ato në zhvillim.
Per shembull në Turqi dhe në Rumani vjen e rritet numri ipersonave që vetëpunësohen se nuk shohin altarnativa të tjera punësimi. Por në mesin e 36 vendeve europiane Shqipëria renditet e para për numrin e lartë tëpersonave që vetëpunësohen nga mungesa e mundësive për të punuar me rrogë.
Në Shqipëri numërohen sipas të dhënave nga tatimet 80 mijë biznese të vogla që nuk janë të përfshira në pagesën e TVSH-se. Pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve përfaqësohet nga të vetëpunësuarit kryesisht në sektorin e tregtisë dhe në atë të shërbimeve. Kjo kategori zë rreth 76 për qind të totalit të bizneseve në regjistrin aktiv të ndërmarrjeve. Prandaj Shqipëria është kaq e pazakonte në njësitë e shitjes më pakicë ku dyqanet e veshjeve apo ato të ushqimeve dominojnë në të gjitha rrugët dhe lagjet e qendrave urbane.
Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për vitin 2015, shprehin se, 99,9 % të ndërmarrjeve aktive e zë kjo kategori. Sektori i tregtisë mbizotëron në numrin e ndërmarrjeve aktive me 43,1 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,3 %.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri angazhojnë 81,3 % të totalit te të punësuarve. Tre janë sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5 %, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2 %.
Mirëpo sektori më i madh i punësimit në vend rrezikon të shkojë në kolaps për shkak të zhvillimeve në tregjet e pakicës. Hapja me shpejtësi i qendrave tregtare vitet e fundit dhe supermarketeve nga njëra anë dhe nga rënia e konsumit prej krizës ekonomike të vitit 2008 nga ana tjetëre ka vënë biznesin e vetëpunësimit në vështirësi. Tre vitet e fundit bizneset e vogla po kalojnë më shpejtësi në regjistrin pasiv tëbiznesit. Që nga maji i vitit të kaluar, kur lista e bizneseve pasive u publikua për herë të parë 18 mijë biznese kanë pushuar aktivitetin. Numri itotal i bizneseve pasive arriti në 109,099 biznese sipas përditësimit të muajit të kaluar. Përllogaritjet tregojnë se çdo muaj kanë kaluar së paku 1200 biznese në regjistrin pasiv. Mbi 95 për qind në regjistrin pasiv janëmikronjësi. Por nëse qeveria jetëson në janar të vitit që vjen një nismë për përfshirjen e tyre në pagesën e TVSH-së, do të jetë një goditja më fatale për të vetëpunësuarit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.