Ngjarjet e fundit që kanë tronditur jo pak rendin dhe sigurinë publike nxorën në sipërfaqe një fenomen, që në fakt ka vite që sundon, atë të “lulëzimit” të tregut informal të kartave SIM. Ministria e Brendshme kërkoi marrjen e masave të menjëhershme nga AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndërsa ky i fundit deklaroi se sapo u vu në “dijeni”, nisi të marrë masa, që do të vazhdojnë të shtrihen deri në moslejimin e posedimit të më shumë se dy apo tre kartave SIM. Por, përtej kësaj, duket se kjo është vetëm maja e “ajsbergut” që pret të zbulohet.
…Vetëm dy javë më parë, të blije në “tregun e zi” të Tiranës një kartë SIM, pa qenë e nevojshme të jepje dokumentin e identifikimit ishte më shumë se e mundur dhe e zakonshme. Ngjarjet e fundit që vunë në lëvizje Policinë e Shtetit në lidhje me shpërthimet e komanduara me celularë bën që të “zhdukej si me magji” kjo pjesë e shitësve ambulantë. “Vështirë të gjesh më karta të tilla, po deshe shko blije në dyqan”, më tha një nga ata “shitës” që rrinë pas godinës së Bankës së Shqipërisë dhe që më parë të ndiqnin me paketa SIM në duar për minuta të tëra, deri sa bindeshin se ti nuk kishe ndër mend të blije gjë edhe pas negociatave për ta ulur çmimin.
U deshën disa ngjarje të rënda që tronditën sigurinë publike (si dhe deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë analizës vjetore), që fenomeni i tregut informal të kartave SIM të dilte në sipërfaqe. Menjëherë ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, nuk vonoi t’i dërgonte një letër të hapur kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, për t’i kërkuar “mbylljen e menjëhershme të numrave aktivë të telefonisë celulare, për të cilët nuk ka një pronar të individualizuar si dhe mbylljen e menjëhershme të numrave të tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit person”. Gjithashtu ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi AKEP zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund njëherë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare, duke përfshirë sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë.
Pas kësaj, në një takim disa minutësh po në Ministrinë e Punëve të Brendshme u thirrën si drejtuesit e AKEP-it, ashtu edhe ata të operatorëve të telefonisë së lëvizshme që operojnë në vend, të cilëve iu kërkua që brenda një periudhe të shkurtër kohore të identifikojnë shtetasit që mbajnë masivisht numra celularë.
E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një detyrim për të zbatuar ligjin, atë ligj që duhej të shmangte krijimin e një tregu informal, që duhet të shmangte pengesat për zhvillimin e një konkurrence të ndershme dhe rastet abuzive.
Ekspertët thonë se situata e krijuar, pra ekzistenca dhe “lulëzimi” i tregut informal nuk është diçka e re, por një fenomen shumëvjeçar, ndoshta i vjetër sa një dekadë. Një fenomen që nuk ka gjetur ndëshkim nga ligji, edhe pse ky i fundit, që nga viti 2007, njeh detyrimin e të gjithë abonentëve që duan të përfitojnë shërbim me parapagesë të numrave celularë, për të regjistruar gjeneralitetet e tyre. E natyrisht, detyrimin për të monitoruar këtë treg e ka AKEP, (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) i cili sipas njohësve të tregut të telefonisë së lëvizshme ka qenë në dijeni edhe më herët për përmasat deri diku të “frikshme” që ka tregu informal i kartave SIM dhe regjistrimi i numrave në mënyrë fiktive (nuk kanë munguar edhe rastet kur në emër të një personi kanë rezultuar rreth 2,000 karta SIM).
Pak ose aspak është bërë për ta minimizuar këtë fenomen që të lë të kuptosh se AKEP nuk ka ushtruar një nga kompetencat themelore të funksionimit të tij, atë të monitorimit. Sipas ekspertëve, mungesa e kontrollit ka sjellë krijimin e mjaft hapësirave abuzuese nga i gjithë zinxhiri deri te konsumatori final. E gjitha kjo, në emër të shifrave, për të marrë sa më shumë pjesë në segmentin e konsumatorëve të kartave me parapagesë, ku rregulli kryesor i lojës duket se është: “nuk ka rregulla”. Është e vështirë, thonë ekspertët, që të masësh përmasat e këtij fenomeni, të kartave “fantazmë”, pa zot, të regjistruara në mënyrë fiktive etj. Por, ajo që i nxit këto, sipas tyre, janë politikat shpërblyese/komisioneve/bonuseve (që njohin shpesh edhe shifra marramendëse) që përfitojnë distributorët në të gjitha shkallët në shitjen e këtyre kartave, madje, sipas tyre, sasia e atyre të hedhura në treg dhe që kanë mbetur “stok” është aq e madhe, sa mund të mbajë tregun “gjallë” (duke stopuar aktivitetin) të paktën për një periudhë dyvjeçare. Ngjan si me një “kapje” tregu që ka pak gjasa që të çlirohet, nëse mungon vullneti për të zbatuar (të paktën) ligjin. E duke qenë se nuk ndodh, nuk penalizon vetëm tregun e telefonisë së lëvizshme, por edhe sigurinë dhe rendin.
Megjithatë, problematika nuk ndalet vetëm këtu. Ka të bëjë edhe me ato që konsiderohen karta “pa zot” (nëse mund ta përdorim këtë term) që duket se shfaqen kryesisht në raste promocionesh, zakonisht në sezonin e verës kur kompanitë e celularëve ndërmarrin fushata për qasjen e markës te konsumatori dhe ku ofrohen pa limit karta SIM që aktivizohen pa qenë e nevojshme të regjistrohen. Dashur pa dashur kjo “qasje” ndaj klientit bëhet abuzuese (edhe pse kompania i ka të regjistruar numrat serialë) veçanërisht nëse shtrihet në masë. Ekspertët sjellin në kujtesë edhe faktin se ky fenomen është i pranishëm edhe në pikat kufitare, më së shumti gjatë kthimit të emigrantëve në atdhe për pushime. Në këtë rast, sipas ekspertëve, është më e lehtë që të merren masa për mbylljen e këtyre numrave që përgjithësisht janë sezonalë, ndërsa situata ndërlikohet më shumë kur çështja vjen te numrat e regjistruar në mënyrë fiktive, sepse është i pamundur identifikimi i saktë i atyre që janë aktivë.
Njohja e AKEP-it, në pritje të masave…
Një rol të rëndësishëm në stabilizimin e tregut, në sjelljen e tij në kushtet normale, të një konkurrence të ndershme dhe të zbutjes së “luftës” në emër të shifrave ka padyshim Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Në letrën e hapur, ministri i Punëve të Brendshme e kishte të qartë mesazhin drejtuar kreut të AKEP-it, Pirro Xhixho: “Të mbyllen menjëherë numrat që nuk kanë një pronar të individualizuar”. Sipas ministrit, ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha, jetën e qytetarëve. Ndërsa kryetari i AKEP-it, Pirro Xhixho (“Monitor” kërkoi një intervistë me z. Xhixho, por nga AKEP kjo temë u quajt e ezauruar mediatikisht) deklaroi në media se, pas “marrjes në dijeni të letrës së ministrit kjo është një çështje e mbartur, ndër vite do të nisnin me marrjen e masave, ku hapi i radhës do të ishte kontakti i drejtpërdrejtë me operatorët e telefonisë celulare për të zbardhur ekzistencën e këtyre kartave”. Sipas z. Xhixho, “ligji përcakton qartë se operatorët celularë nuk mund të aktivizojnë një kartë telefonike pa regjistruar të dhënat përkatëse të abonentit. E parë në këtë këndvështrim, karta pa zot nuk mund të ketë. Ajo që mendojmë ne se mund të ketë ndodhur është ekzistenca e kartave me të dhëna të pasakta të individëve. Për këtë, shumë shpejt do të mblidhemi me operatorët për të kuptuar në ç’shkallë shtrihen këto gabime dhe sa vend lejon legjislacioni për shfrytëzimin e këtyre gabimeve për qëllime kriminale”.
Kreu i AKEP gjithashtu deklaroi se për rastet e zotërimit nga një person i disa numrave do të evidentohen me shpejtësi të gjithë ata individë që zotërojnë një numër kartash përtej së arsyeshmes. “Kjo do të thotë që është e pamundur që një person i vetëm të ketë mundësi të përdorë 5, 6 apo 10 numra telefoni. Konsiderojmë të arsyeshme zotërimin e dy apo tre kartave, dhe do të evidentojmë menjëherë individët që zotërojnë më shumë karta se kaq”, deklaroi z. Xhixho.
Operatorët: Iu bindemi ligjeve
E në fakt, qëndrimi i kompanive celulare në lidhje me kufizimin e kartave SIM për përdorues është i ndryshëm. Ata e njohin fenomenin dhe thonë se ai mund të minimizohet vetëm nga zbatimi i ligjit, nga kontrolli i duhur i tregut, por edhe me vullnetin e plotë të të gjithë aktorëve.
AMC: Regjistrimi në përputhje me ligjin
Kompania celulare Albanian Mobile Commnications sh.a. deklaron se: “Ushtron aktivitetin e saj sipas të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga Ligji nr. 9918, ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’ (i ndryshuar).
Albanian Mobile Communication sh.a. ofron shërbime kundrejt abonentëve të saj në dyqanet AMC, si dhe nëpërmjet rrjetit të dyqaneve të partnerëve.
Bazuar në legjislacionin në fuqi, në momentin e marrjes së një karte SIM AMC, abonenti plotëson dokumentacionin e nevojshëm, sipas procedurave të miratuara nga AKEP. E gjithë procedura e regjistrimit të kartave SIM AMC dhe funksionimit të mëtejshëm të tyre bëhet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Albanian Mobile Communications sh.a. zbaton me përpikëri ligjin ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, si dhe çdo dokument tjetër rregullator të miratuar nga AKEP dhe garanton përmbushje të plotë të detyrimeve të saj, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi”.
Eagle Mobile: Të gatshëm të zbatojmë çdo ligj
Në një intervistë dhënë për TV SCAN, drejtori i përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile, Erkan Tabak, tha: “Në lidhje me temën e kartave SIM që po diskutohet së fundmi dhe për të cilat nuk duam që të ketë keqinformim, më lejoni të sqaroj se kartat SIM janë të regjistruara, megjithëse një individ mund të ketë shumë karta në pronësi. Kjo është një gjendje krejt ligjore. Të gjithë operatorët operojnë në treg në bazë ligjore, por, nëse do të ketë një rregullim ligjor në këtë aspekt, edhe sikur të jetë një praktikë e pahasur në shtete të tjera, ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo ligj të tillë”.
PLUS Communications: Kërkojmë respektimin e ligjeve në fuqi
A jeni në dijeni të ekzistencës së regjistrimeve fiktive të numrave me parapagesë në tregun shqiptar?
PLUS regjistron pajtimtarët sipas formularit me të dhënat e detyrueshme sipas ligjit, që përfshijnë paraqitjen dhe administrimin e detyrueshëm të një dokumenti identifikimi. E njëjta procedurë respektohet edhe në rastin kur realizohet shitja e kartave me parapagesë, përmes rrjetit të shpërndarjes, ku kompania PLUS kërkon respektimin e ligjeve në fuqi, si pjesë të detyrimeve në kontratat e lidhura me subjektet që operojnë si distributorë apo rishitës të produkteve të PLUS.
Rrjedhimisht, ne si kompani nuk lejojmë asnjë hapësirë abuzimi me kartat celulare në marrëdhëniet që ne kemi me palët e treta. Sigurisht që një fenomen i tillë na shqetëson, dhe me këtë rast, na lejoni të inkurajojmë të gjithë konsumatorët të drejtohen në dyqanet tona Zona PLUS për blerjen e kartave celulare ose në pikat e regjistrimit ku paraqitet logo e PLUS dhe të distancohen nga blerja e produkteve në “tregun e zi”.
Sa shqetësues është ky fenomen, a është rrezikuar konkurrenca e ndershme në tregun e telefonisë së lëvizshme?
Kjo situatë e ngritur sidomos së fundmi në media është shqetësuese. Ne jemi të interesuar mbi të gjitha për zbatimin e ligjit dhe të një korrektese në treg. Këto raste janë sporadike dhe nuk besojmë se bëhet fjalë që ky fenomen të përdoret si një mekanizëm konkurrues në treg.
Çfarë masash duhet të merren për të minimizuar këtë fenomen (që me sa duket ka edhe pasoja në rendin publik, nisur nga deklaratat dhe letra e hapur drejtuar AKEP-it nga instancat drejtuese të Ministrisë së Brendshme)?
Ligji nuk parashikon ndonjë kufizim për numrat që një person ka të drejtë të disponojë dhe të regjistrojë në emër të tij. Ne si kompani do t’i vlerësonim të gjitha masat ligjore, rregullatore, në funksion të eliminimit të informalitetit në këtë fushë. Një ndërhyrje e AKEP si rregullator për masa të aplikueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë tregun do të ishte zgjidhja më e mirë. AKEP duhet të ndërmarrë masa të qarta dhe të jetë aktivisht i përfshirë në parandalimin e këtij fenomeni.
Zgjidhjet (?)
Kompanitë e tregut të telefonisë së lëvizshme i shohin zgjidhjet për eliminimin e tregut informal të kartave me parapagesë te zbatimi i ligjit, tek ushtrimi i monitorimit nga ana e AKEP-it, si dhe tek operimi me rregulla të qarta loje. Ekspertët thonë se është e vështirë që situata të ndryshojë në mënyrë të menjëhershme dhe vetëm me disa masa, por aty ku mund të gjykohet si e domosdoshme të vendosen edhe sanksione. Sipas tyre, çaktivizimi nga sistemi i numrave që mund të rezultojnë se nuk janë aktivë, mund të ishte një zgjidhje. Për këtë, ata thonë se mund të ndiqet edhe përvoja e shteteve të tjera europiane. Ekspertët thonë se një masë e drejtë mund të jetë edhe kufizimi i kartave SIM që një person mund të mbajë në emër të tij dhe nëse ato nuk përdoren për një periudhë të caktuar, mund të merren masa, si fillim vënia në dijeni e abonentit dhe më pas, mund të ndërhyhet deri në mbylljen e tyre. Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se duhet të jetë AKEP, autoriteti që duhet të marrë masa për të rregulluar funksionimin e kësaj pjese të tregut.
“Lufta” e shifrave
Përtej fjalëve qëndrojnë shifrat. Lufta bëhet kryesisht për to. Kompanitë e mëdha celulare duan të mbajnë pjesën e “luanit”, të rendisin shifra marramendëse në një kohë që tregu shqiptar është i vogël dhe nuk lë shumë hapësira. E në fakt, statistikat e ofruara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për 6-mujorin e parë të vitit 2013 raportojnë se numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme (karta SIM aktive) u llogarit në rreth 4.86 milionë krahasuar me 5.6 milionë sipas të dhënave në fund të vitit 2012. Kjo përbën rënie të theksuar prej rreth 13%, krahasuar me fundvitin 2012. Sipas AKEP-it, arsyeja e rënies së theksuar të këtij treguesi vjen për shkak të ndryshimit të mënyrës së matjes të këtij treguesi nga Eagle Mobile (deri në fund 2012 ka raportuar ndër vite vlerën kumulative të kartave SIM të shitura që prej fillimit të aktivitetit të tij deri në fund të periudhës përkatëse, ndërsa për 6-mujorin e parë 2012, Eagle Mobile ka rivlerësuar numrin e pajtimtarëve duke iu përmbajtur vetëm kriterit të kartave SIM aktive brenda një viti).
Sipas raportit të AKEP, numri i përdoruesve aktivë (përdorues të kartave SIM që kanë përdorur shërbime celulare në tre muajt e fundit) në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2013 arriti në 3.37 milionë, kundrejt 3.5 milionë që ishin në fund të vitit 2012. Kjo përbën një rënie rreth 5% në krahasim me të dhënat e fundvitit 2012.
Kështu që referuar të dhënave të 6-mujorit të parë 2013, numri i përdoruesve për 100 banorë në fund të 2012-s ishte 172% kundrejt 198% që ishte në fund të vitit 2012 (për karta SIM aktive), ndërsa sipas numrit të përdoruesve aktivë në fund të 6-mujorit të parë 2013 ishte 119%, kundrejt 125% që ishte në fund të vitit 2012.
Raporti bën të ditur se proporcioni i përdoruesve aktivë ndaj kartave SIM aktive ishte në nivel 69% për të katër operatorët së bashku, duke variuar nga 64% për AMC në 74% për Vodafone. Ndryshimin më të madh të këtij raporti e ka Eagle Mobile, nga 31% në fund të 2012-s në 70% në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2013.
AKEP bën të ditur se pjesët e tregut të operatorëve sipas dy treguesve janë të përafërt, dhe Vodafone Albania zotëronte 46% për përdorues aktivë dhe 43% për karta SIM. AMC zotëronte në të njëjtën periudhë 37% për përdorues aktivë dhe 40% për karta SIM, ndërsa Eagle Mobile dhe Plus Communications kanë respektivisht 10% dhe 7% pjesë të tregut për të dy treguesit.
Raporti i AKEP merr në konsideratë edhe zëra, si: përdorues aktivë; përdorues (karta SIM); përdorues me kontratë; thirrje dalëse dhe SMS në total, dhe rezultoi se kishte një rënie të pjesëve të tregut për AMC dhe Eagle Mobile në numrin e përdoruesve aktivë në rreth 3% dhe 2% përkatësisht si dhe një rritje të numrit të përdoruesve aktivë për Vodafone Albania dhe Plus Communications përkatësisht në vlerat 4% dhe 1% (krahasimi është bërë për 2013/1 dhe fundvitin 2012).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.