Shumica e hoteleve ne Antalia, zemra e sektorit turk të turizmit me një kapacitet shtretërish prej 600 mijë kanë mbyllur dyert deri në sezonin e ardhshëm të pushimeve, i cili pritet të fillojë në prill të vitit 2021.
Gati 3.3 milionë turistë vizituan provincën mesdhetare në 10 muaj të këtij viti, një rënie prej 77 për qind krahasuar me një vit më parë.
Meqenëse pandemia e koronavirusit goditi Turqinë në mes të marsit, Antalia filloi të mirëpresë turistët vetëm në 1 qershor, kur qeveria lehtësoi masat kufizuese, të vendosura për të frenuar përhapjen e pandemisë. Grupet e mëdha turistike të huaja filluan të vijnë vetëm në fillim të korrikut.
Pavarësisht nga një rënie vjetore prej 74 për qind, rusët ishin turistët kryesorë për Antalia-n, me 1.4 milionë vizitorë në periudhën janar-tetor.
Ukrainasit ishin të dytët, me rreth 550 mijë turistë, një rënie prej 31 për qind nga viti në vit. Turistët gjermanë, të cilët tradicionalisht qëndrojnë në krye të listës të turistëve të huaj u renditën të tretët me vetëm 335 mijë turistë.
Vitin e kaluar, gati 2.5 milionë turistë gjermanë vizituan Antalia-n. Në vitin 2019, Antalia priti një numër rekord prej gati 15 milionë turistë të huaj.
Shumica e hotelierëve shpresonin për një sezon të zgjatur pushimesh deri në fund të vitit, por rigjallërimi i virusit në shumë vende turistike prishi planet.
Turqia mirëpriti rreth 9.46 milionë vizitorë të huaj gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2020, njoftoi ministria e Turizmit.