Anti-informaliteti, në korrik u kontrolluan 1933 biznese, 41% u gjetën me shkelje

01/08/2019 12:29 PM 0 komente

Mbi 41 për qind e bizneseve që u kontrolluan në periudhën 1-31 korrik në kuadër të planit operacional kundër informalitetit janë gjetur me shkelje. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditura shifrat sot gjatë një daljeje të kreut të këtij institucioni Delina Ibrahimaj. Në fjalën e saj Ibrahimaj u shpreh se gjatë muajit që lamë pas fokusi i planit anitinformalitet ishte tek subjektet “biznes i madh”, kryesisht në Hidrokarbure Ndërtim dhe Hoteleri.

“Për arsye të specifikave të sezonit turistik, strukturat e Monitorimit në Terren, në bashkëpunim me DPD, Inspektoratin e punës, ISHTI, gjatë periudhës 01-31 Korrik, kanë kontrolluar 1,933 subjekte, ndërsa janë konstatuar 803 shkelje të legjislacionit tatimor.  Kemi identifikuar dhe po vazhdojmë të monitorojmë, regjistrimin e njësive akomoduese, deklarimin e punonjësve dhe respektimin e detyrimeve të tjera ligjore, për të vendosur rregullat e konkurrencës së ndershme për të gjithë.

Shkeljet më kryesore renditen si më poshtë:

  • 108 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.
  • 195 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 15 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
  • 92 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar.
  • 42 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 26 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.
  • 82 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

Krahas strukturave të Monitorimit në terren, Hetimi Tatimor, gjatë muajit Korrik ka referuar mbi 30 dosje në prokurori, kryesisht me subjekte të mëdha që operojnë në fushën e ndërtimit dhe të hidrokarbureve.

Plani Operacional do të vazhdojë për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e hidrokarbureve, ku janë të nevojshme vizita fiskale të thelluara për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal, falsifikimin e dokumentave dhe ndërhyrjet në pompat e karburanteve.

Në lidhje me sistemet fiskale të karburanteve, në vijim të gjetjeve të Hetimit Tatimor, të cilat konkluduan në arrestimin e dy personave,  nga sot, me Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, (DPM) do të kryejnë inspektime të përbashkëta pranë subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve me qëllim verifikimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e tyre dhe çertifikimin e regjimit, i cili duhet të jetë automatik.

 

Inspektimi do të mbulojë të gjithë territorin e vendit,  në të gjitha pompat që mundësojnë ndryshimin e regjimit nga automatik në manual; për pompat e bllokuara nga strukturat e hetimit tatimor të evidentuara duke transmetuar në regjim manual; si dhe në të gjitha rastet e tjera;

Do të bëhet çertifikimi teknik dhe plumbçosja e tyre, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë nën mbikëqyrjen e Inspektoreve Tatimor. Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht do të fokusohet tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të gjithë operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit.

I gjithë plani operacional , synon formalizimin e ekonomisë shqiptare me qëllim që paratë e konsumatorëve të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike dhe jo në xhepat e bizneseve abuzuese,  të cilët cënojnë konkurencën e ndershme dhe mirqënien e individëve” tha Ibrahimaj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of