Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” njoftoi se janë anuluar të gjitha fluturimet e datës së sotme. Edhe pse zyrtarisht nuk është dhënë ndonjë arsye, ajo lidhet me shtimin e numrit të rasteve të reja me COVID-19. Edhe fluturimet që ishin planifikuar për datat 13 dhe 14 qershor ishin anuluar nga kompanitë ajrore.
Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka njoftuar se të gjitha fluturimet e datës 15 qershor 2020 janë anuluar.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e aeroportit.
“Të dashur udhëtarë, ju njoftojmë se të gjitha fluturimet e datës 15 Qershor 2020 janë anuluar!”, thuhet në njoftim.
Kurse, ditë më parë ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.
“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”.
Derisa kompanitë ajrore janë të gatshme të rinisin fluturimet, janë rreth 700 mijë udhëtarë që nga marsi e deri në qershor që nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të pandemisë COVID-19.
Ndryshe, në tri ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 160 raste të infektuarve me COVID-19, kurse 32 persona janë shëruar. Ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundit.
Rritja alarmante e numrit të prekurve me koronavirus në tri ditët e fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.
IKSHPK thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe mos mbajtjes së maskave.
“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim”.
Më tek IKSHPK thotë se “këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”.
Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me COVID-19, ndërsa të shëruar 1,183 dhe të vdekur 33.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.