Ministria e Financave dhe Ekonomisë në një urdhër të veçantë ka vendosur anulimin e procedurës së konkurrimit “Për përzgjedhjen e zhvilluesit të zonës Teknologjike Spitallë Durrës” të shpallur pak javë më parë.
Në dokumentin e Financave që mban firmën e Ministres Anila Denaj dhe datën 16 prill nuk jepen shumë sqarime mbi arsyen e këtij anulimi por afati i fundit për paraqitjen e një ofertë ishte lënë 15 prilli çka lë të kuptohet se nuk ka pasur interes të shprehur. Ndërkohë që për ta çuar deri në fund zbatimin urdhrit të Financave është ngarkuar Drejtoria e Administrimit të Pronës Shtetërore.
Në njoftimin paraprak që bëri ministria kërkoi që vlera e kërkuar e sigurimit të ofertës të ishte 15 milionë lekë. Për këtë procedurë konkurruese, kriteret e përzgjedhjes së fituesit, ishin: propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë.
Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Spitallë, Durrës ndodhet në veri të Qytetit të Durrësit. Sipërfaqja prej 49.1 (dyzetë e nëntë pikë një) ha i përket Zonës Kadastrale Nr. 8517 Durrës. Kjo zonë është shpallur me VKM-në Nr. 262, datë 06.04.2016 “Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Spitallë, Durrës” të ndryshuar.
Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, 30 km larg Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” 37 km nga Tirana.
Kjo nuk është hera e parë që procedura për zhvillimin e TEDA Spitallë dështojnë pasi në të kaluarën ka pasur edhe raste kur procedura ka shkuar deri në shpalljen e fituesve por pa finalizuar një projekt.
Në vitin 2017 pas një procedure të zgjatur qeveria arriti të finalizonte garën për kalimin tek privati të Spitallës. Në atë kohë Ministria e Ekonomisë që bëri edhe vlerësimin e ofertave shpalli si fitues bashkimin e shoqërive Pelikani”, “The Best Construction” dhe “Vëllezërit Hysa” të cilët parashikonin parashikon ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit me vlerë rreth 39 milionë euro duke hapur 2500 vende të reja pune. Oferta e dytë nga kompania EDIL AL në atë kohë parashikonte 93 milionë euro investim për ndërtimin e kapanoneve industrial. Procedura u kundërshtua nga operatori i dytë që nuk u shpall fitues dhe përzgjedhja e bërë nga ministria në atë kohë u kritikua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Aktualisht në vend është folur për mundësinë e zhvillimit edhe të TEDA Koplik, TEDA Vlorë dhe TEDA Tiranë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.