Si do të funksionojnë programet easyPos dhe EasyInvoice të kompanisë ESDP
Programi software easyPos, i kompanisë Embedded Systems Design and Production (ESDP), i certifikuar për fiskalizimin, do të mund të përdoret falas deri në dy muaj nga biznesi.
Në intervistën për “Monitor”, kompania theksoi se biznesit i ofrohet kjo mundësi për t’i lënë kohën e duhur për të bërë zgjidhjen e leverdishme, por edhe për të mos hasur vështirësi në përdorimin e programit. Sipas këtij operatori, sipërmarrja shqiptare më shumë po parapëlqen të zgjedhë aplikacionin software për lëshimin e faturave.
Arsyeja kryesore është që programi ofron më shumë mundësi përdorimi, si nëpërmjet kompjuterit, tabletit, celularit krahasuar me pajisjet fiskale që konsiderohen të vjetruara. Për të dyja fazat e fiskalizimit, të cilat përfshijnë lëshimin e faturave nga bizneset që operojnë me transaksione pa para në dorë, ESDP ofron edhe programin EasyInvoice i cili mund të instalohet lehtësisht në çdo kompjuter.
Si do të kryhet në tërësi ky proces dhe a është i detyruar biznesi të ndryshojë kasat aktuale?
Ligji nr. 87/2019 është burimi kryesor i informacionit rreth mënyrës se si do të zhvillohet procesi i fiskalizimit dhe çfarë detyrimesh rëndojnë mbi tatimpaguesit, organet publike dhe operatorët e tjerë, siç jemi dhe ne, në rolin e prodhuesit dhe mirëmbajtësit të një software-i të licencuar.
Më datë 1 janar 2021 fillojnë efektet e këtij ligji për të gjitha ato firma dhe biznese që lëshojnë fatura për administratën publike. Më pas, me datë 1 korrik 2021, u vjen radha bizneseve që lëshojnë fatura për pagesa pa para në dorë (për shembull, me transfertë bankare apo klering) dhe më datë 1 shtator 2021, fillojnë efektet për të gjitha llojet e tjera të shitjeve, çfarëdo qofshin ato, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në dijeninë tonë, disa nga kasat aktuale do të mund të ndryshohen në mënyrë të tillë që të jenë ende të përdorshme. Disa kasa të tjera nuk do mund të përdoren më. Kjo do të varet nga lloji i kasës.
Natyrisht, ky ndryshim do të ketë një kosto të caktuar dhe mendojmë që në afat të mesëm apo të gjatë, kjo zgjidhje nuk do të jetë e leverdishme për bizneset. Kasat e instaluara, deri më sot, përdorin një teknologji të tejkaluar (p.sh. pjesët mekanike, siç është printeri termik, konsumohen shpejt dhe bateritë nuk jetojnë mjaftueshëm).
Gjithashtu, ato janë më të vështira në përdorim, nuk janë të përshtatshme për operatorët që janë në lëvizje dhe tipikisht kanë nevojë për një mirëmbajtje të shpeshtë, e cila ka kosto edhe të paparashikuara dhe nuk mund të ndodhë online. Në këtë kuptim, janë një zgjidhje më pak e qëndrueshme. Mendojmë se, herët a vonë, ato do të duhet t’ia lenë vendin një zgjidhjeje më optimale, më moderne, siç është zgjidhja software-ike.
Një biznesi që kryen transaksion me para në dorë, si në rastin e një fast-food apo marketi, çfarë do t’i rekomandonit, përshtatje e pajisjes ekzistuese fiskale (kasës), apo sistemin e ri që mbështet zgjidhjet software?
Ne do të rekomandonim sistemin e ri: është disa herë më i sigurt, i shpejtë dhe i thjeshtë në mirëmbajtje dhe në përdorim. Riparimi i kasës ekzistuese do të ketë një kosto e cila është e ngjashme, me raste edhe më e shtrenjtë, se sa instalimi i software të ri, të cilin ne e kemi quajtur easyPos.
Për ta përdorur easyPos-in, bizneseve do t’iu mjaftojë një telefon celular. Ekzistojnë disa mundësi: 1) mund të blihet një telefon ose tablet të ri në dyqanet elektronike në Shqipëri (ka modele mjaft të lira); 2) mund të përdoret celulari/tableti ekzistues (gjë që e këshillojmë në një kohë të parë, për ata që nuk janë 100% të bindur); 3) mund të përdoret një celular i vjetër, i lënë mënjanë.
Do të duhet edhe një printer termik, portabël e shumë i lirë dhe çdo biznes do të mund të lëshojë fatura tatimore për pagesa me para në dorë, brenda pak sekondave, në mënyrë vërtet të thjeshtë.
Kompania jonë, ESDP, ofron edhe POS-e të cilat i ngjajnë në pamje një minikase, por te të cilat instalohet software-i easyPos. Komandohen njësoj sikur të ishin smartphone, pasi kanë një ekran që përgjigjet (touchscreen) dhe përmbajnë një printer termik. Gjithashtu, ekziston gjithmonë mundësia për instalim në një kompjuter. Nëse një i tillë ekziston në biznesin në fjalë, instalimi dhe përdorimi i easyPos-it është i menjëhershëm.
Ne kemi parashikuar mundësinë për klientët tanë që easyPos të provohet falas për një apo dy muaj, derisa ata të jenë komod me zgjedhjen e tyre. Duhet nënvizuar këtu se zgjidhja software-ike u lejon shumë më shumë mundësi zgjedhjeje bizneseve, pasi ato mund të vendosin për abonime më të shkurtra në kohë dhe të ndërrojnë mendje nëse janë të pakënaqur. Kasat e reja janë goxha të shtrenjta dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm për buxhetin e shumë prej bizneseve të vogla.
Për cilën kategori të subjekteve vështirësohet aktiviteti në rast se nuk përzgjidhet sistemi i ri?
Bizneset që lëshojnë fatura pa para në dorë, për biznese të tjera apo administratë publike nuk kanë tjetër mundësi veç përdorimit të sistemit të ri. Ky detyrim lind nga fakti që këto biznese, në bazë të ligjit nr. 87/2019, duhet të lëshojnë fatura elektronike.
Për këtë kategori biznesesh ne kemi krijuar easyInvoice, një software i cili mund të instalohet në çdo kompjuter. EasyInvoice lejon lëshimin e faturave elektronike, dërgimin dhe marrjen e faturave elektronike nëpërmjet sistemit qendror.
EasyInvoice, ashtu edhe si easyPos, funksionon nëpërmjet një serveri qendror, ku mblidhen të gjitha të dhënat e përdorimit dhe gjenerohen raporte të dobishme për menaxhimin e firmës. Këto raporte, si dhe disa opsione e funksionalitete të tjera, që janë pjesë e abonimit, mund të aksesohen në një hapësirë online për klientët tanë, me anë të një username dhe password-t që do t’ua vëmë në dispozicion.
Mund të ilustrohet me një shembull konkret si do të realizohet procesi me sistemet software për fazën e transaksioneve me para në dorë?
Do të jetë shumë e thjeshtë. Klienti mund të na kontaktojë me telefon, email apo të vijë të na takojë në zyrat tona dhe ne do të krijojmë një llogari për të, do t’ia instalojmë aplikacionin në pajisjen elektronike që ai ka zgjedhur. Siç e përmenda më lart, kjo pajisje mund të jetë një telefon smartphone i çfarëdoshëm (i vjetër ose i ri), një tablet, një kompjuter apo edhe një POS modern, të cilin, nëse dëshiron, klienti do të mund ta blejë drejtpërsëdrejti nga ne.
Pas instalimit, ne do ta ndihmojmë në të gjitha hapat e parë të përdorimit të aplikacionit (krijimin e përdoruesve, vendosjen e certifikatës, uploadimin/krijimin e artikujve, etj.). Më pas, do ta pajisim me një manual të vogël përdorimi dhe do ta ndihmojmë të kryejë disa veprime të thjeshta. Klienti do të jetë gati të lëshojë fatura sipas nevojës së tij. Dhe për çdo paqartësi, do të ketë gjithmonë mundësi të na gjejë me telefon, email ose suport live.
Nga kontaktet që ju keni pasur me sipërmarrjen, sa prej tyre janë të interesuara të përdorin zgjidhjen software?
Të gjitha firmat që na kanë kontaktuar, kanë qenë të interesuara për zgjidhjen software-ike. Me siguri kjo sepse në këtë periudhë të vitit, firmat që kanë qenë të interesuara janë kryesisht ato që duan të përdorin easyInvoice, pra faturën elektronike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.