Falas dhe shumë i lehtë për t’u përdorur nga prindërit
Microsoft po lançon një aplikacion të ri, Kids Mode për browserin e tij Edge. Ai është i integruar direkt në Microsoft Edge në Windows dhe macOS si një opsion falas që është i thjeshtë për t’u aksesuar dhe për t’u përdorur dhe nuk kërkon shumë punë që prindërit ta menaxhojnë. Ky aplikacion mund të aktivizohet duke e zgjedhur atë nga opsioni i profilit Edge dhe do të bëjë që fëmijët të përdorin vetëm faqe të miratuara të këtij browser-i.
“Është falas por mbi të gjitha është një mjedis online i mbrojtur për fëmijët 12 vjeç apo më të vegjël, që u krijon prindërve qetësi kur fëmijët e tyre shfletojnë uebin në një pajisje të përbashkët”, shpjegon Divya Kumar, drejtori i produktit të Microsoft Edge, gjatë një intervistë për The Verge.
Microsoft me të vërtetë e projektoi këtë aplikacion duke menduar skenarin se prindërit mund t’i japin fëmijëve të njëjtin laptop që përdorin vetë dhe t’i lënë ata të lundrojë në internet.
Sapo ju të aktivizoni “Kids Mode” shfaqet opsioni për të zgjedhur kategorinë midis 5 deri në 8 vjeç ose 9 deri në 12 vjeç. Të dyja këto kategori moshe përfshijnë nivelin më të lartë të mbrojtjes nga Edge dhe Bing SafeSearch për të filtruar çdo informacion të mundshëm, si tekstin, imazhet dhe videot që të rriturit mund të kenë kërkuar më parë.
Microsoft ka integruar 70 faqe të shumë të famshme për fëmijë, por prindërit do të kenë mundësinë të shtojnë individualisht ndonjë faqe tjetër. Në momentin që aktivizohet “Kids Mode” bllokon funksionimin e çdo tasti, për të parandaluar kështu që fëmijët të dalin jashtë. Në momentin që prindërit do të duan ta përdorin kompjuterin për kërkimet e tyre, duhet të vendosin të dhënat e tyre.
Kids Mode nuk kërkon të kesh një llogari në Microsoft dhe as nuk do të sinkronizojë listën tuaj të faqeve të internetit të aprovuara në të gjithë pajisjet e tjera. Për fat të keq, kjo do të thotë që juve do t’ju duhet të konfiguroni shumë lista nëse keni më shumë se një kompjuter ose laptop të përbashkët.
Sapo të aktivizohet Kids Mode, ka edhe mundësi për të personalizuar ekranin sipas zgjedhjeve. Microsoft madje ka bashkëpunuar edhe me Disney dhe Pixar për të ofruar imazhe të veçanta për backgroundin e ekranit si The Little Mermaid, Finding Nemo, etj.
Disa prej avantazheve të saj janë padyshim thjeshtësia dhe lehtësia në përdorim. “Kur analizuam aplikacionet që janë sot në treg mbi filtrimin dhe kontrollimin e faqeve të ndryshme, ne kuptuam se ato janë shumë të ndërlikuara për t’u përdorur dhe kërkojnë një proces të gjatë rregjistrimi”, përfundon z. Kumar. / The Verge