OpenAi njoftoi me një tweet që aplikacioni zyrtar për celular i ChatGPT do të jetë i disponueshëm në më shumë vende.
Kur OpenAi prezantoi, për herë të parë, aplikacionin e tij për celular javën e kaluar, ai ishte i disponueshëm vetëm për sistemin operativ iOS në SHBA.
Tani, shumë njerëz që jetojnë në Europë, Korenë e Jugut, Zelandën e Re dhe në vende të tjera mund të shkarkojnë aplikacionin nga App Store. Aplikacioni ChatGPT është falas dhe pa reklama.
Lista e plotë e vendeve ku ChatGPT është i disponueshëm, përfshin:
Algjerinë, Argjentinën, Azerbajxhanin, Bolivinë, Brazilin, Ekuadorin, Estoninë, Francën, Ganën, Gjermaninë, Indinë, Irakun, Irlandën, Izraelin, Japoninë, Jordaninë, Kanadanë, Katarin, Kazakistanin, Kilin, Kroacinë, Korenë e Jugut, Kosta Rikën, Kuvajtin, Libanin, Lituaninë, Mauritanian, Mauritius, Marokun, Mbretërinë e Bashkuar, Meksikën, Namibinë, Nauru, Nikaraguan, Nigerinë, Oman, Pakistanin, Perunë, Poloninë, Slloveninë, Shqipërinë, Xhamajkën, Zelandën e Re, Tunizinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Disa ditë më parë, OpenAi premtoi se së shpejti do të ketë edhe një aplikacion për telefonat me sistemin operativ Android. Kur ju hapni aplikacionin, mund të shkruani një tekst në një kuti teksti në pjesën e poshtme të ekranit.
Funksionon si të ishit duke dërguar mesazh në çdo lloj aplikacioni mesazhesh.
Ju mund të shkruani një tekst duke përdorur edhe funksionin e integruar të njohjes së zërit Apple, por mund të përdorni edhe sistemin e njohjes së zërit open source OpenAI Whisper. Pasi të shtypni butonin “send” (dërgo), OpenAi do të analizojë kërkesën dhe do t’ju japë një përgjigje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
ChatGPT ruan historikun e chat-eve dhe e përdor për mësimin e modelit. Kur ky funksion aktivizohet, ju mund të gjeni bisedat edhe në desktop.
Duhet theksuar se nuk ka mënyrë për të çaktivizuar ndarjen e të dhënave, nëse nuk çaktivizoni historikun e chat-eve. Nëse jeni të abonuar në ChatGPT Plus, ju mund të përdorni edhe funksionin e GPT-4 nëpërmjet aplikacionit në celular. Natyrisht, koha e përgjigjes është edhe më e shpejtë.
ChatGPT Plus kushton 20 dollarë në muaj në desktop dhe gjithashtu është i mundur edhe blerja in-app në Euro (22,99 euro në Europë), Paundin britanik (19,99 sterlina në Mbretërinë e Bashkuar) etj.
Zgjerimi i aplikacionit ChatGPT vjen në një moment kur CEO i IA, Sam Altman, po bën një udhëtim në disa vende për të biseduar me politikëbërësit botërorë dhe për të kuptuar shqetësimet e tyre në lidhje me IA.
Këtë javë, drejtuesi i OpenAi takoi disa krerë shtetesh në Europë. Në fillim të muajit të ardhshëm, ai do të vizitojë edhe Indinë.
/ Tech Crunch