Kanë nisur procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, BMP, një institucion i pavarur që mbikëqyr aktivitetit e kontabilistëve të miratuar dhe audituesve ligjorë.
Ky process po zhvillohet në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 786, datë 9.11.2016 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe rastet e shkarkimit të anëtarëve, si dhe rregullat e organizimit dhe funksionimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike” (VKM), i ndryshuar, i cili ka si qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave transparente të përzgjedhjes, të emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe rregullave të funksionimit të Bordit, për të siguruar funksionimin e duhur të tij, sipas legjislacionit në fuqi.
Në mbështetje të ligjit 10091/2009 i ndryshuar Bordi i Mbikëqyrjes Publike përbëhet nga 5 anëtarë jopraktikues, të cilët kanë njohuri për auditimin ligjor dhe fusha të lidhura me të në përputhje me parashikimet e përcaktuara në nenin 2 pika 13, nenin 4 pika 4 e ligjit dhe nenit 55 pika 11 e ligjit 10091/2009.
Kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për të qenë anëtar i BMP, janë si më poshtë:
1-Cdo anëtar i BMP duhet të jetë jopraktikues, sipas përkufizimit ligjor në vijim (neni 2 pika 13 dhe neni 4 pika 2 e ligjit 10091/2009 i ndryshuar) :
“Jopraktikues” është çdo individ me njohuri në fushën e auditimit ligjor dhe në fusha të lidhura me të, i cili, gjatë angazhimit në qeverisjen e sistemit të mbikëqyrjes publike të audituesve ligjorë dhe për periudhën e fundit 3-vjeçare, përpara këtij angazhimi, nuk ka kryer auditime ligjore, nuk ka pasur të drejtë vote në një shoqëri auditimi, nuk ka qenë anëtar i organit administrativ, mbikëqyrës apo drejtues i një shoqërie auditimi dhe nuk ka qenë i punësuar apo i angazhuar në forma të tjera në një shoqëri auditimi.
2- Duhet të garantojë pavarësinë e veprimtarisë së BMP-së në përputhje me nenin 4, pika 1 e ligjit 10091/2009 sipas përkufizimit të mëposhtëm:
Për të realizuar mbikëqyrjen publike dhe për të siguruar që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit të jenë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë, krijohet Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me statusin e një autoriteti rregullator të pavarur.
3-Të kenë shtetësi shqiptare;
4- Të kenë integritet moral dhe profesional. Në mbështetje edhe të kodit të Etikës së IFAC për profesionistët kontabël integriteti moral dhe profesional përkufizohet në paragrafët 111.1 A1, K111.2, 115.1A1, 110.1 A1, K1115.1 të cilat përkufzojnë integritetin, sjelljen profesionale, saktësinë e deklarimeve, imazhin dhe cështjet që diskreditojnë profesionin, pajtueshmërinë me ligjet dhe standardet, reputacionin, etj)
5- Të mos jenë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;
6- Të zotërojnë, të paktën, diplomë “Master i shkencave” apo të barasvlershëm me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe 10 vite përvojë, ose një gradë apo titull shkencor dhe 7 vite përvojë pune në çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit.
Përvec sa më sipër, profesioni kontabël (audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar) rregullohen me ligjin 10091/2009 i ndryshuar si dhe ofrojnë shërbime të kontabilitetit dhe hartimit të PF në përputhje me ligjin 10091/2009 i ndryshuar dhe ligjin 25/2018 për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare.
“Auditim ligjor” është një auditim i pavarur i pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara, nëse: a) kërkohet nga ky ligj; b) kërkohet nga ligje të tjera; c) kryhet në mënyrë vullnetare, me kërkesë të ortakëve/aksionarëve të njësive ekonomike të biznesit ose nga palë të tjera të interesuara, kur për auditimin ligjor zbatohen standarde dhe kërkesa të legjislacionit, të barasvlershme me ato që kërkohen për një auditim ligjor, sipas shkronjës “a” të kësaj pike.
“Shërbimet e kontabilitetit” janë shërbimet e mbajtjes dhe përgatitjes së librave kontabël, fiskalë dhe të pagave, të kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit kontabël, vlerësimet dhe analizat e kostos dhe kontabilitetit të drejtimit, vlerësimit dhe zbatimit të procedurave kontabël të përgatitjes së pasqyrave financiare, analiza financiare dhe këshillime përkatëse, si dhe shërbime të tjera të ngjashme.
7- Të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të audituesve ligjorë (Këshillin e Drejtimit të IEKA, Komisionet dhe Komitetet e IEKAs funksionet e të cilëve konsiderohen organe të zgjedhura)
8- Të mos jenë marrë masa disiplinore pezullimi i përkohshëm përgjatë ushtrimit të veprimtarisë në përputhje me nenin 55 të ligjit 10091/2009, i ndryshuar.
9- Mos ushtrojë veprimtarinë në kushtet e konfliktit të interesit;
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, “konflikt i interesit” konsiderohet gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike.
Bazuar edhe në direktivën dhe rregulloren përkatëse për auditimin ligjor në BE, anëtarët e Bordit duhet të kenë njohuri dhe ekspertizë të thelluar në lidhje me fushën e auditimit ligjor dhe raportimit financiar.
Sot është dita e fundit e aplikimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.