Aplikimi për karta identiteti dhe pasaporta të reja do të bëhet nëpërmjet një aplikacioni, i cili do të jetë gati nga java e ardhshme. Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj deklaroi se ndërmjet aplikacionit, qytetarët duhet të përcaktojnë orarin e paraqitjes në zyrat përkatëse, në mënyrë për të shmangur radhët.
“Dua të theksoj që për të evituar radhët dhe për të evituar mundësinë e infektimit me virusin COVID-19 është menduar që aplikimi të bëhet vetëm pas caktimit të orarit përkatës të kohës së paraqitjes së qytetarëve pranë zyrave të aplikimit.
Dhe për këtë, duke filluar nga java tjetër do të jetë në dispozicion një aplikacion, i cili u mundëson qytetarëve, të aplikojnë duke caktuar paraprakisht orarin e paraqitjes pranë zyrës përkatëse, në Komisariatin e Policisë apo pranë koncesionarit ku aplikohet për pasaporta.
Eshtë e rëndësishme që paraqitja pranë zyrave të bëhet vetëm pasi është bërë aplikimi dhe pasi është marrë orari përkatës, përndryshe nuk do të ofrohet shërbim, pa këtë kusht të plotësuar”.
Ndërkohë ka filluar tërheqja e kartave të identitetit dhe pasaportave të prodhuara tashmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.