Prokurimet publike do të zhvillohen tashmë duke pasur në bazë ligjin e ri i cili efektet i shtrin nga data 31 mars 2021.
Por për të mos krijuar konfuzin me autoritetet kontraktore Agjencia e Prokurimit Publik bëri të ditur në një shkesë të saj se çfarë ndodh me proceduar që janë çelur më herët se kjo datë dhe që janë ende aktive si dhe me ato që do të çelen në vazhdim.
Sipas APP me ligjin e vjetër do të vazhdojnë të trajtohen të gjitha procedurat që janë hedhur në sistem para datës 31 mars 2021. Për të gjitha ato që hidhen në sistem në këtë datë dhe më vonë do të zbatohet ligji i ri.
“Në zbatim te parashikimeve te nenit 134, pika 1, te Ligjit 162/2020, procedurat e nisura përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji vijojnë të realizohen në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Pra, në zbatim të kësaj dispozite ligjore sqarojmë se, për procedurat e prokurimit për të cilat Urdhri i Prokurimit ka dalë përpara datës 31 mars 2021, do të vijohet me zbatimin e ligjit nr. 9643/2006.
Ndërkohë, njoftimi i nxjerrë nga APP, se për procedurat e prokurimit që do të hidhen për publikim në Sistemin e Prokurimit Elektronik nga autoritetet kontraktore nga data 31.03.2021 e në vijim, do të zbatohen parashikimet e Ligjit të ri të prokurimeve publike, pra dispozitat e Ligjit Nr. 162, date 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, vlen për ato procedura prokurimi, për të cilat Urdhri i Prokurimit ka dalë në datë 31.03.2021 e në vijim” thuhet në dokumentin e APP.
Ligji i ri i prokurimeve u publikua vetëm pak kohë më parë në Fletoren Zyrtare duke bërë të qartë se hyrja në fuqi ishte në fund të marsit. Ky ligj i miratuar nga mazhoranca parashikon një sërë risish sa i takon prokurimeve publike.
Lidhur me procedurat ligji ngarkon autoritetet që përpara shpalljes së një tenderi të bëjnë kërkim tregu me operatorët apo ekspertë të fushës. Në çdo rast duhet të garantohet mosshtrembërim i konkurrencës si dhe shmangia e konfliktit të interesit. Në nenin 36 nënvizohen elementët që duhet të përfshijnë specifikimet teknike për procedurat. Këto të fundit herë pas here janë bërë arsye për konflikte mes autoriteteve dhe bizneseve pasi cilësohen si qëllimisht përjashtues në disa raste duke vendosur elementë që orientojnë plotësimin e kushteve vetëm nga një operator.
Specifikimet sipas ligjit të ri duhet të jenë të qarta dhe në të mundësojnë trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët dhe ofertuesit dhe të mos shërbejnë si pengesa për konkurrencën e hapur në prokurimin publik. Ndryshime paraqiten edhe sa i takon llojit të procedurave, apo kontratave sektoriale dhe përjashtimeve./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.