Agjencia e Prokurimit Publik bëri të ditur se tashmë operatorët ekonomikë mund të marrin disa shërbime nëpërmjet platformës e-Albania në një përpjekje për të lehtësuar procedurën për këta të fundit. Sipas njoftimit, bizneset aktive në tenderë, me hyrjen në platformë me NIPT-in e tyre dhe fjalëkalimin mund të sigurojnë nga regjistrimi në sistemin e prokurimeve deri tek vërtetimi që nuk janë të përjashtuar nga tenderët.
“Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) njofton të gjithë operatorët ekonomikë, të cilët përdorin Sistemin e Prokurimit Elektronik, se:
Për t’iu ardhur në ndihmë operatoreve ekonomikë në lehtësimin e procedurave, në platformën e-Albania, e cila administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, do të mundësohet edhe si shërbime të reja elektronike procesi i regjistrim/ndryshim fjalëkalimi apo për pajisjen me vërtetim mospërjashtimi nga prokurimet.
Konkretisht, të gjithë operatorët ekonomikë pasi të identifikohen në platformën e-Albania me ane të Nipt-it të tyre dhe fjalëkalimit, mund të aplikojnë në secilin nga shërbimet e mëposhtme:
Regjistrimi i Operatoreve Ekonomikë, në Sistemin e Prokurimeve Elektronike; Ndryshim Fjalëkalimi në Sistemin e Prokurimeve Elektronike; Vërtetim Mospërjashtirni për Operatorët Ekonomikë” thuhet në njoftimin e APP.
Aktualisht në platformën e-albania ofrohen me qindra shërbime për qytetarët dhe bizneset ndërkohë që një gamë e tyre u zgjerua edhe me situatën e pandemisë ku distancimi fizik dhe kufizimi i lëvizjeve sollën nevojën e aplikimit të shërbimeve të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.