Gjiganti teknologjik amerikan, Apple, është bërë kompania e parë që arrin një vlerë tregu prej 3 trilionë dollarësh. Çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur me rreth 5.800% që kur bashkëthemeluesi dhe ish-CEO Steve Jobs prezantoi iPhone e parë në vitin 2007.
Megjithatë, vlera e tij ra pak nga ky moment historik, duke e mbyllur seancën e tregtimit të së hënës në Nju Jork në vlerën 2.99 trilionë dollarë. Apple është një nga kompanitë e mëdha që ka përfituar gjatë pandemisë, pasi gjatë kufizimeve të koronavirusit u shënuan rritje të shpenzimeve për pajisje.
“Arritja 3 trilionë dollarë është një tjetër moment historik për Apple, ndërkohë që kompania vijon t’u dëshmojë dyshuesve se e kanë gabim” – tha Dan Ives, analist në Wedbush
U deshën pak më shumë se 16 muaj që vlerësimi i tregut të aksioneve të Apple të rritej nga 2 trilionë në 3 trilionë dollarë, duke qenë se kompanitë më të mëdha teknologjike në botë regjistruan rritje të kërkesës, ndërkohë që njerëzit bëheshin gjithnjë e më të varur nga smartphone, tablet-ët dhe laptop-ët gjatë periudhës së lockdown.
Apple u bë kompania e parë që arriti një vlerë tregu të aksioneve prej 1 trilion dollarësh në gusht 2018. iPhone përfaqëson zakonisht rreth gjysmën e shitjeve të kompanisë, e cila është e njohur edhe për iPad-ët dhe kompjuterët Mac.
Pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të biznesit janë software, të cilët shiten nëpërmjet Apple Store, hapësira e arkivimit nëpërmjet iCloud dhe shërbimet në platformat e abonimit në muzikë, televizion dhe fitness. “Shtylla e vlerësimit të Apple mbetet biznesi i tij i shërbimeve, që besojmë se vlen 1.5 trilionë dollarë” – tha z. Ives.
Apple, me seli në Cupertino, Kaliforni, u themelua në vitin 1976 nga Steve Jobs, Steve Wozniak dhe Ronald Wayne. Kompania hyri në bursë në vitin 1980, me vlerë tregu prej 1.8 miliardë dollarësh.
/ BBC