Kompania Apple ka këshilluar së fundi të gjithë personat që kanë në zotërim kartën e re të kreditit të nxjerrë, Apple Card, se duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi ajo mund të dëmtohet lehtë. Ndryshe nga kartat e tjera të kreditit, ajo nuk mund të mbahet në kuleta të zakonshme prej lëkure dhe mbi të gjitha, nuk duhet të vendoset në xhepat e pantallonave xhins.
Nëse kjo kartë do të vendoset së bashku me kartat e tjera që mund të ketë një individ, atëherë ajo mund të gërvishtet lehtë dhe më pas, mund të mos jetë më funksionale. Duke qenë se karta është në ngjyrë të bardhë mat, nëse ajo do të vendoset në pantallonat xhins, do të marrë ngjyrë tjetër. Vendimi për t’i dhënë kësaj karte një ngjyrë të bardhë mat, u bë për ta dalluar nga kartat e tjera. Pasi Apple bëri këtë njoftim, duke e shoqëruar atë edhe me një manual përdorimi për të gjithë personat që e zotërojnë, reagimet dhe komentet tallëse ndaj kompanisë ishin të shumta, e cila paska krijuar një kartë që mund të dëmtohej lehtë.
“Prej dy muajsh, unë kam marrë kartën Apple Card dhe mund të them se ajo, përveçse nuk ka më ngjyrën që kishte në fillim, ka pësuar edhe gërvishtje, edhe pse e kam mbajtur atë veç nga kartat e tjera”, komentoi një punonjës i Apple në Twitter. Stafi i Apple ishte i pari që përfitoi për ta marrë shërbimin në fjalë. Aktualisht, ajo është në dispozicion edhe për klientët e Apple në SHBA.
Për momentin nuk është publikuar një datë e saktë se kur ky shërbim do t’u mundësohet shtetasve britanikë. Kjo nuk është hera e parë që kompania Apple është kritikuar sepse ka hedhur në treg produkte të cilat janë estetikisht të bukura, por lehtësisht të dëmtueshme. Për dizejnimin e kësaj karte, kompania Apple bashkëpunoi me Goldman Sachs dhe MasterCard. Kompania njoftoi se do të hedhë në treg edhe një platformë të re për transmetimet televizive dhe një portal të ri lojërash.
Burimi: BBC