Pas një njoftimi të publikuar nga Koreja këtë javë, ku citohej se Apple, gjiganti i teknologjisë më në fund mund të ketë gjetur një partner për ta ndihmuar atë të prodhojë automjetin e saj elektrik (EV), humë shpejt makina Apple mund të jetë drejt realizimit.
Gjiganti i Teknologjisë, Apple është “shumë pranë” nënshkrimit të një marrëveshje me firmën koreane LG Electronics dhe furnizuesin kanadez të automjeteve Magna International.
Si LG ashtu edhe Magna pritet që të bashkëpunojnë në një nismë të quajtur paraprakisht “LG Magna e-Powertrain”. Kjo është edhe sipërmarrja e përbashkët që do të shënojë raundin fillestar të prodhimit të Makinës Apple Car.
LG Magna e-Powertrain është shumë afër nënshkrimit të kontratës me Apple, pas nënshkrimit të së cilës mund të fillojë edhe puna për prodhimin e Makinës Apple, shkruhej në njoftimin e publikuar nga Korea Times.
Raporte të tjera të mëparshme kanë cituar se Apple synon vitin 2025 për daljen në treg të makinës elektrike.
Duke qenë se LG dha dorëheqjen nga tregu i telefonisë celulare vetëm pak kohë më parë, ajo po përqendrohet më shumë në zhvillimin dhe rritjen e biznesit të automjeteve.
Muajin e kaluar u zbulua se LG po “zgjeron në mënyrë agresive” kapacitetin e prodhimit të biznesit të saj ekzistues të pjesëve përbërëse të automjeteve, duke theksuar se kushtet nga ana e saj janë ato të duhurat për të nënshkruar një marrëveshje me një kompani si Apple.
Ndërkohë nga ana e saj Apple prej kohësh ka filluar të marrë në konsideratë ofertat nga kompani të ndryshme në lidhje me mundësinë e prodhimit të makinës Apple. Diskutimet me Hyundai dhe kompaninë e saj simotër Kia u ndërprenë në fillim të këtij viti.
Arsyet për ndërprerjen e diskutimeve me kompanitë e mësipërme nuk u bënë publike.
Dhe ndërsa Apple jep pak informacion në lidhje me projektet e saj të ardhshme, kompania duket se synon ta dizenjojë vetë makinën e saj elektrike në vend se thjesht të sigurojë softuerë dhe shërbime të ndryshme nga prodhuesit e automjeteve. /Digital Trends