Vetëm pak javë nga eventi në të cilin Apple do të prezantojë iPhone e saj të ri, janë duke u përcaktuar detajet e fundit, objekt i thashethemeve tashmë prej disa muajsh.
Siç është thënë më parë, modelet e reja do të jenë tre: një me ekran 5,8 inç që do të përfaqësojë evolucionin e iPhone X; i dyti me ekran 6,5 inç, i cili do të jetë smartphone me dimensionet më të mëdha që është realizuar ndonjëherë nga Apple tani. Në fund do të jetë edhe një iPhone me 6,1 inç, i ashtuquajturi “modeli ekonomik”, i cili përfaqëson risinë e vërtetë në shtëpinë e Apple të këtij viti.
Ndryshe nga dy të parët që do të kenë ekran OLED, në këtë të fundit, ekrani do të jetë LCD. Ndryshime të tjera do të jenë prania e dy fotokamerave në pjesën e pasme për dy iPhone-t e parë, ndërsa vetëm një e tillë për iPhone me ekran 6,1 inç, i cili ndër të tjera do të ketë një kornizë në alumin dhe jo prej çeliku.
Ndër të tjera, ky i fundit do të ketë vend vetëm për një kartë SIM, ndërsa modelet e tjera do të jenë dual-SIM, të paktën në disa tregje. Të gjithë modelet do të kenë procesor A12, dy modelet e parë do të kenë në dispozicion 4 GB RAM, ndërsa modeli 6,1 inç, 3 GB RAM.
Pritja për modelin ekonomik
Sipas parashikimeve të analistit Ming-Chi Kuo, të cituara nga MacRumors, smartphone me ekran 6,1 inç do të jetë i disponueshëm vetëm disa javë pas daljes në treg të dy modeleve të para, për shkak të disa vonesave në prodhim. Por ky version do të luajë një rol të rëndësishëm në shitjet e Apple, duke qenë se sipas vlerësimeve duhet të përfaqësojë më shumë se 50% të iPhone-ve të rinj të shitur në muajt e fundit të 2018 dhe një përqindje mes 65% dhe 70% për muajt e parë të vitit të ardhshëm. Ky model mendohet se do të kushtojë mes 600 – 700 dollarë.
Mungesat
Ajo nuk ishte dukur kurrë një mundësi vërtet e besueshme, por tashmë është e sigurt se asnjë prej tre modeleve nuk do të ketë Apple Pencil. Sipas asaj që shkruan The Verge, duhet të zhduket edhe 3D Touch, teknologjia nëpërmjet së cilës ekrani njeh shkallën e ndryshme të presionit të gishtave, që Apple e ka përfshirë tek iPhone nga viti 2015.
Risitë e tjera
Përveç iPhone-ve, në vjeshtë priten edhe pajisje të tjera. Sa i përket Mac pritet një version ekonomik Air dhe një azhurnim i Mac Mini. Mendohet se do të paraqitet edhe modeli i ri i Apple Watch, me një ekran më të madh dhe iPad Pro, me skaje të reduktuara, pa buton fizik dhe me integrimin e teknologjisë Face ID. Muaj më parë është folur edhe për një gjeneratë të re të Air Pod. Në vjeshtë, sa i përket software do të lançohet zyrtarisht iOS 12, i prezantuar gjatë WWDC në qershor.