Asnjë surprizë sa i përket pritshmërive. Pasardhësit e iPhone X janë iPhone Xs dhe iPhone Xs Max. Dy modelet e reja u prezantuan nga Apple dje në eventin më të rëndësishëm që zhvillon gjatë vitit në “Steve Jobs Theatre”.
Pas prezantimit të Apple Watch 4, në skenë u ngjitën pikërisht iPhone Xs dhe iPhone Xs Max, dy smartphone që nga modeli i vitit të kaluar marrin vetëm imazhin, por nën ekran janë krejtësisht të ndryshëm.
Dy smartphone-t e rinj janë më të fuqishëm falë SoC A12 Bionic të ri, i pari i realizuar me teknologji 7 nanometra, që garanton performancë më të mirë. Procesori ju lejon të përdorni edhe aplikacione të realitetit virtual që do të zhvillohen me platformën e re Arkit 2. iPhone Xs do të ketë ekran OLED 5,8 inç, ndërsa iPhone Xs Max do të ketë ekran OLED 6,5 inç (për t’i bërë konkurrencë Galaxy Note 9).
Falë ekraneve më të mëdhenj, dy modelet e reja do të suportojnë modalitetin landscape, falë të cilit ju mund t’i përdorni disa aplikacione edhe horizontalisht. Po ashtu është përmirësuar edhe sektori fotografik, me praninë e dy fotokamerave në pjesën e pasme prej 12 megapiksel (me sensorë të rinj me pixel më të mëdhenj) dhe një flash të ri True Tone.
Një tjetër risi e iPhone Xs dhe iPhone Xs Max është suporti Dual Sim. Por modeli që propozon Apple ndryshon nga ata që jemi mësuar të shohim. Pra nuk do të ketë vend për të vendosur dy skeda SIM, por skeda e dytë do të jetë virtuale. Çfarë do të thotë kjo? Që iPhone Xs dhe iPhone Xs Max do të suportojnë eSim.
Ju mund t’i porosisni iPhone Xs dhe iPhone Xs Mas duke nisur nga data 14 shtator, ndërsa dërgesat do të nisin më 21 shtator (po në këtë datë do të jetë e mundur t’i blini edhe në dyqane). Çmimi i iPhone Xs nis nga 1189 euro, ndërsa iPhone Xs Mas të paktën 1289 euro. Të dy pajisjet do të kenë sistem operativ iOs 12.
Karakteristikat iPhone Xs
Nëse e shihni nga jashtë duket sikur është kopja e iPhone X i vitit të kaluar. Por brenda iPhone Xs fshihen risi më interesante. Në të gjejmë chipset A12 Bionic, i pari i realizuar me teknologjinë 7 nanometra dhe i disponueshëm në treg, që premton të ketë karakteristika shumë herë më të mira dhe të konsumojë më pak energji. Brenda A12 Bionic do të jetë i pranishëm një NPU i ri (Neural Processing Unite) i cili mund të kryejë deri në 5000 miliardë veprime në sekondë. Ekrani i Phone Xs është OLED 5,8 inç, me rezolucion 2.436 x 1.125 piksel, i njëjti dimension i Phone X i vitit të kaluar. Memoria e brendshme është 64 GB dhe arrin deri në 512 GB.
Sa i përket sektorit fotografik, gjithçka është e re. Në pjesën e pasme gjejmë dy fotokamera me dy sensorë 12 megapiksel. Në pjesën e përparme gjejmë fotokamerën prej 7 megapiksel. Në brendësi të notch janë të pranishëm të gjithë sensorët për FaceID, prej këtu mund të kuptosh se ky model është më i shpejtë se iPhone X. Falë fuqisë së harware, smartphone ka të integruar Smart HDR që garanton foto më cilësore se në të kaluarën. Edhe modaliteti portret është përmirësuar.
Gjatë prezantimit të smartphone-ve të rinj, Apple tha se ata do të kenë autonomi më të madhe krahasuar me modelin e vitit të mëparshëm. iPhone Xs garanton gjysmë orë më shumë përdorim krahasuar me iPhone X, ndërsa te iPhone Xs Max, një orë e gjysmë më shumë, gjithnjë krahasuar me iPhone X. Telefonat kanë certifikatën IP68, përveç suportit Dual SIM është edhe modem LTE (Gigabit).
Karakteristikat e iPhone Xs Max
Nuk ka shumë ndryshime midis iPhone Xs dhe iPhone Xs Mas. Në brendësi gjejmë sërish A12 Bionic me teknologji 7 nanometra dhe memorien e brendshme 64 GB, 256 GB dhe 215 GB. Te ky model ndryshon madhësia e ekranit, që është 6,5 inç me rezolucion 2.699 x 1.242 piksel.
Dizajni është ai i vitit të kaluar, ekrani ndërthuret me notch në pjesën e sipërme të tij. Notch përmban gjithë sensorët për FaceID (zhbllokimi nëpërmjet njohjes së fytyrës) dhe fotokamera në pjesën e përparme 7 megapiksel. Në pjesën e pasme gjejmë dy kamera 12 megapiksel. Edhe te iPhone Xs Max është i pranishëm funksioni Smart HDR me mundësinë për të ndryshuar sfondin e imazheve të shkrepura me efektin bokeh. Te video është shtuar mundësia për të regjistruar video me audio stereo.
Po ashtu është suporti Dual SIM (skeda e dytë do të jetë e disponueshmë nën formën eSim) dhe modemi LTE. Edhe ky model zotëron certifikatën IP68 që e bën rezistent ndaj pluhurit dhe ujit.
Karakteristikat e IPhone Xr, smartphone ekonomik i Apple
“Edhe një iPhone”. Dhe në fund, Apple prezantoi smartphone ekonomik, i shumëpritur, iPhone Xr. Krahasuar me dy “vëllezërit më të mëdhenj”, diferencat janë të vogla, i njëjti procesor, e njëjta memorie e brendshme, të njëjtat edhe fotokamerat në pjesën e pasme. Ndryshon vetëm ekrani. iPhone Xr ka ekran LCD 6,1 inç, me rezolucion 1.792 x 828 piksel
Në brendësi të notch janë të pranishëm sensorët për Face ID që është përmirësuar nga Apple dhe është bërë më i shpejtë në zhbllokimin e smartphone. Në pjesën e pasme gjejmë vetëm një kamerë prej 12 megapiksel, por bëhet fjalë për të njëjtin sensor kryesor që gjejmë te vëllai i madh” që garanton cilësi në foto. Kamera në pjesën e përparme është 7 megapiksel. iPhone Xr zotëron certifikatën IP67 (rezistent nga pluhuri dhe uji), nuk është Dual Dim dhe nuk ka Touch 3D. Memoria është në tre versione, 64GB, 128GB e 256GB.
iPhone Xr do të dalë pak me vonesë në treg krahasuar me dy vëllezërit më të mëdhenj. Ju mund ta porosisni online duke filluar më 19 tetor ndërsa dërgesat do të nisin më 26 tetor. Me iPhone Xr, Apple nis të prodhojë telefona me ngjyra – 6 ngjyra të disponueshme – e bardhë, blu, e zezë, koral, e verdhë dhe e kuqe. Çmimi nis nga 889 euro për versionin 64 GB deri në 1059 euro, modeli 256 GB.