(por fiton më pak…)
Që Apple, me orën e tij inteligjente, është lider i padiskutueshëm e tregun e smartwatch-eve, kjo është një e dhënë e konsoliduar prej kohësh. Në kompaninë me seli në Cupertino kanë investuar burime në këtë segment të industrisë teknologjike dhe tashmë po mbledhin frytet vit pas viti. Por në orët e fundit ka dalë një statistikë interesante nga shifrat e Strategy Analytics – në vitin 2019, për herë të parë në histori, Apple ka shitur më shumë “orë” se e gjithë industria zvicerane e orëve.
Sipas vlerësimeve të shitjeve, të përpunuara nga shoqëria Strategy Analytics, me seli në Massachusetts, Apple ka shitur thuajse 31 milionë Apple Watch në vitin 2019, me rritje 36% krahasuar me vitin e kaluar. Industria zvicerane e orëve, që përfshin marka si Swatch dhe TAG Heuer, ndalen në rreth 21 milionë njësi, me rënie 13%. Ky është një kapërcim historik, që mund të lexohet si një kthesë vendimtare mes orëve analoge dhe atyre dixhitale.
“Orët klasike të dorës – thotë Neil Mawston, drejtues ekzekutiv në Strategy Analytics – përdoren më shumë në mesin e konsumatorëve më të vjetër në moshë, por blerësit më të rinj po orientohen drejt smartwatch-eve”. Steven Waltzer, gjithnjë nga shoqëria amerikane që kreu studimin, thotë se “prodhuesit tradicionalë të orëve zvicerane, si Swatch dhe Tissot, po humbin luftën me smartwatch”. Në anën tjetër, Apple Watch “po ofron një produkt më të mirë nëpërmjet kanaleve të përqendruara të shitjes, duke tërhequr konsumatorët më të rinj, që dëshirojnë gjithnjë e më shumë të mbajnë në dorë orë inteligjente”.
Por nëse flasim për para, gjërat ndryshojnë. Në këtë këndvështrim, industria zvicerane e orëve gëzon ende një epërsi të caktuar. Apple e bën disi të vështirë krahasimin duke mos publikuar të dhëna zyrtare të shitjeve të orëve inteligjente. Shifrat janë përfshirë në segmentin “Wearables, Home and Accessories”. Ky segment, në vitin 2019, u rrit me rreth 3 miliardë dollarë (nga 7,3 mld në 10 mld) krahasuar me një vit më parë.
Sigurisht në këtë rritje kanë ndikuar shitjet e Apple Watch 4 dhe 5 (të parët që kanë të integruar funksionin e elektrokardiogramës).
Megjithatë, sipas Neil Mawston, në frontin e të ardhurave, “industria zvicerane e orëve është ende dy herë më e madhe se Apple sot. Por hendeku po ngushtohet shpejt dhe Apple është në rrugën e duhur për t’u bërë lider në 5 vitet e ardhshme”. Dhe kapërcimi i dërgesave është një tregues i rëndësishëm.
Burimi: Il Sole 24 Ore