Apple Watch feston sot 5-vjetorin. Ishte 24 prilli i vitit 2015, kur ora e kompanisë Apple, sot lider në shitje, debutoi në raftet e Apple Store në SHBA dhe në tetë tregje të tjera.
Pajisja e parë e kohës së Tim Cook, i cili trashëgoi drejtimin e kompanisë nga Steve Jobs, Apple Watch pati një debutim të suksesshëm. 1,7 milionë amerikanë e prenotuan atë, shumë më parë se të dilte në treg. Kërkesa kapërceu ofertën fillestare të pajisjeve.
Apple Watch hyri në një treg ku ishin edhe kompani të tjera, Samsung Sony, Lg, Asus, Motorola. Apple e mbylli vitin 2014 me 29 milionë smartwatch dhe smartband të shitur. Kjo shifër thuajse u trefishua në vitin 2015, me 82 milionë njësi.
Tregu i pajisjeve ‘wearable’ u rrit dhe evoluoi më pas. Sipas IDC, në vitin 2019, shitjet u rritën në 336 milionë njësi. Thuajse gjysma (170 milionë pajisje) janë kufje, ndjekur nga smartwatch (92 milionë pajisje). Apple kryeson në treg me 106 milionë njësi të shitura mes Apple Watch, AirPods dhe kufje Beats.
Sipas Strategy Analytics, vitin e kaluar, Apple Watch (30,7 milionë njësi) kapërceu dhe gjithë industrinë e orëve zvicerane, e cila u ndal në 21,1 milionë njësi.
Produkti, gjithashtu ka evoluuar. I cilësuar si “iPhone në pulsin e dorës”, Apple Watch ju jep mundësinë të bëni telefonata, të lexoni njoftime, të flisni me Siri-n, të bëni pagesa në sportel dhe të merrni udhëzime për rrugën, pa qenë e nevojshme të merrni në dorë smartphone-n.
Apple Watch mund ta përdorni edhe për monitorimin e aktivitetit fizik, matjen e rrahjeve të zemrës dhe parametra të tjerë shëndetësore. Njofton ndihmën e shpejtë nëse bie, madje bën edhe elektrokardiograma. Kjo është diçka që edhe ora më e shtrenjtë nuk di ta bëjë ende.
Burimi: ANSA