Arabia Saudite ka sinjalizuar se do të qëndrojë në krah të Rusisë si një anëtare e grupit të prodhuesve të naftës OPEC+, pavarësisht shtrëngimit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës dhe një embargoje të mundshme të BE-së për importet e naftës ruse.
Princi Abdulaziz bin Salman, ministri i Energjisë, tha për Financial Times se Riadi po shpresonte “të arrinte një marrëveshje me OPEC+… e cila përfshin edhe Rusinë”, duke këmbëngulur që “bota duhet ta vlerësojë” aleancën e prodhuesve.
Një marrëveshje e re për prodhimin është tashmë në rendin e ditës, pasi kuotat e prodhimit të OPEC+ që u vendosën në prill të vitit 2020 do të skadojnë pas tre muajsh, ndërsa konsumatorët e energjisë po përballen me nivelet më të larta të çmimeve të naftës në një dekadë.
Komentet e Princit Abdulaziz janë një shenjë e rëndësishme e mbështetjes për Rusinë nga një aleat tradicional i SHBA-së, në një kohë kur Perëndimi po përpiqet ta izolojë këtë vend dhe prodhimi i tij i naftës është në rënie, duke ngritur pikëpyetje për pozicionin e tij në grupin OPEC+.
Riadi i ka rezistuar presionit perëndimor për të rritur prodhimin e naftës së papërpunuar për të ndihmuar në uljen e çmimeve në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, duke këmbëngulur se nuk ka mungesa të furnizimeve.
Princi Abdulaziz tha se ishte shumë herët për të thënë se si mund të ishte marrëveshja e re, duke pasur parasysh pasiguritë në treg, por shtoi se OPEC + do të rriste prodhimin “nëse do të kishte kërkesë”.
“Me shkatërrimin që shohim tani, është shumë e parakohshme që të përpiqemi të përcaktojmë një marrëveshje”, tha Princi Abdulaziz në një intervistë. “Por, ajo që dimë është se sasia që kemi arritur të ofrojmë është e mjaftueshme që njerëzit të thonë se ka një meritë, ka një vlerë që të jesh atje dhe që të punojmë së bashku.”
OPEC+ ka qëndruar në marrëveshjen e vitit 2020, sipas së cilës anëtarët e aleancës duhet të rrisin prodhimin total çdo muaj me një sasi modeste prej 430,000 fuçi në ditë.
Por, prodhimi i Rusisë është reduktuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke pësuar një rënie nga rreth 11 milionë fuçi në ditë në muajin mars në një mesatare prej 10 milionë fuçi në ditë në muajin prill, sipas të dhënave nga OilX.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se prodhimi i Rusisë mund të ketë një rënie të mëtejshme, duke u reduktuar me deri në 3 milion fuҫi në ditë nëse fuqitë perëndimore vendosin sanksione më të ashpra për të reduktuar varësinë e Europës nga energjia ruse, duke përfshirë një embargo të mundshme të BE-së për importet e naftës. India, megjithatë, ka rritur importet e naftës ruse që nga fillimi i luftës.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, tregtohej me rreth 112 dollarë për fuçi javën e kaluar.
Arabia Saudite, lideri de fakto i OPEC-ut dhe eksportuesi kryesor i naftës në botë, ka koordinuar kuotat e prodhimit të naftës me Rusinë, që nga viti 2016, përmes OPEC+.
Mbretëria ka kërkuar të ndejkë një rrugë neutraliteti që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Princi i kurorës, Mohammed bin Salman, ka folur dy herë me Putinin që nga fillimi i pushtimit dhe, këtë muaj, ai dhe mbreti Salman uruan liderin rus në ditën kur vendi i tij feston fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.
Princi Abdulaziz fajësoi mungesën e kapacitetit global të rafinerive dhe taksat e larta, si faktorët kryesorë për rritjen e çmimeve të benzinës.
“Përcaktuesi i tregut është kapaciteti i rafinerive”, tha ai. “Të paktën për tre vitet e fundit, e gjithë bota pati një humbje të kapacitetit të rafinerive në masën e 4 milionë fuçive, 2.7 milionë prej tyre vetëm që nga fillimi i Covid-it.”
Disa anëtarë të OPEC+ gjithashtu kanë dështuar vazhdimisht në përmbushjen e kuotave të tyre të prodhimit, ndërsa Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë të vetmit prodhues që kanë kapacitetin për të rritur ndjeshëm prodhimin.
Pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt, Perëndimi fillimisht shmangu vendosjen e sanksioneve ndaj aseteve të energjisë ruse, për shkak të varësisë së madhe të Europës ndaj eksporteve të gazit dhe të naftës nga Rusia.
SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar ndaluan importet e naftës nga Rusia në muajin mars. Por, shtetet e BE-së mbeten të ndara për masat që duhet të ndërmarrin për të ndërprerë furnizimet me naftë ruse dhe, këtë muaj, ato refuzuan një propozim për të ndaluar industrinë e transportit të BE-së që të transportonte naftë ruse.
Princi Abdulaziz tha se politika duhet të mbetet jashtë OPEC+, duke shtuar se aleanca do të ishte e nevojshme për të sjellë disa “përshtatje të rregullta” në të ardhmen, mes pasigurive rreth izolimeve të koronavirusit në Kinë, rritjes ekonomike globale dhe zinxhirëve të furnizimit.
Ai tha se për të lehtësuar pengesat në kapacitetin e prodhimit dhe të rafinerive, qeveritë duhej të inkurajonin industrinë që të investonte në hidrokarbure, edhe pse shumë vende po kalojnë drejt burimeve më të pastra të energjisë.
“Kjo situatë sjell nevojën që njerëzit të ulen bashkë, të fokusohen, të heqin dorë nga maskarada dhe nga e ashtuquajtura korrektësi politike… kjo ka të bëjë me përpjekjen për t’u lidhur me realitetin ekzistues dhe për të gjetur zgjidhje për të.”/ Financial Times