Skulptori Ardian Pepa ka lindur në qytetin e vogël të FushëArrëzit (1977) dhe ishte fëmija i parë ndër tre fëmijët e familjes Pepa. Pasioni për skulpturën (gdhendjet) nisi mjaft herët. Pepa fëmijë gdhend figurinat e para në dru në moshën 11-vjeçare. Mësuesja e vizatimit Kimete Cubaj dhe Leonard Leka ndikuan që familja ta dërgojë Ardianin në Shkodër në Liceun “Preng Jakova”. Skulptori Skënder Kraja ishte mësuesi i skulpturës, që hapi studion e tij për ti mësuar mjaft “sekrete” si gdhendjen në dru, derdhjen e veprave në allçi, rrahjen e hekurit dekorativ etj. Në formimin e plotë të artistit Pepa në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë do të jenë fillimisht prof. Artan Peqini e më tej Prof. Thoma Thomai (Dhamo) dhe Hektor Dule ndikuan në krijimin e koncepteve mbi artin realist e atë modern. Padyshim që kontakti me literaturën në bibliotekën e Akademisë së Arteve të Bukura dhe leksionet mbi historinë e artit botëror do të krijonin te Pepa që student admirimin për dy nga skulptorët e njohur botëror Majol dhe A. Rodin. Punimi për diplomë i Pepës në vitin 2001 me titull “Harmoni” vendoset në mjediset e jashtme të AAB-së, duke hapur siparin e një arti modern, ku plastika dhe loja e formave bëhen primare. Në vitin 2002 Pepa vendoset me banim në Tiranë dhe çel studion e tij të artit. Pepa ka ekspozuar për herë të parë që student në vitin 2000 në ekspozitën e organizuar nga Kisha Ortodokse Shqiptare në GKA, Tiranë. Më tej merr pjesë në konkurse e veprimtari të ndryshme arti në ekspozita kolektive dhe vetjake. Pepa i është kushtuar për 4 vjet me radhë realizimit të nudove. Magjia e trupit femëror, bukuria e formave, harmonia dhe lëvizjet delikate të figurës së gdhendur, kanë krijuar dy cikle veprash skulpturore: a) cikli i parë i përbërë prej 30 figurash nudo dhe torsesh është realizuar më dru (arrë, panjë). Në këtë grup punimesh të Pepës vërejmë kujdesin mbi realizimin e figurës nudo si një siluet i mbyllur; ku figura paraqitet mjaft elegante dhe forma ndjehet në kalimet me sfumaturë të daltës gjatë gdhendjes (Nudo, 2002; Tors, 2002). Pepa preferon të “ndalet” në imazhin e siluetit, sepse interesi i tij është evidentimi i bukurisë femërore, pa u ndalur në identifikime (duke mënjanuar realizimin e portreteve në nudot e tij). Shpesh kur vështron figurat e gdhendura nga Pepa pa koka, ndjen vetëm për një moment ndjesinë e ndodhjes para statujave antike. Por sigurisht ky është vetëm një moment pasi në veprat e tij, Pepa shpalos aftësitë profesionale të gdhendjes në dru duke krijuar një koleksion nudosh të realizuara me një koncept modern. b) Cikli i dytë përbëhet nga 10 figura nudo të gdhendura në dru ku artisti ndërthurr mjaft bukur elegancën e linjës sensuale femërore me elementet formalë, ngacmues të “linjave” horizontale kornizuese (Nudo, 2004). Pepa, duke pasur pasion vizatimin që nga vitet në studimet akademike, ka realizuar edhe në pikturë nudot e tij në teknikë mix (laps, akrilik mbi letër). Në veprat pikturale të Pepës, ndryshe nga skulpturat, ka një dinamizëm e ekspresivitet të dukshëm. Në disa vepra Pepa “mban” një gamë koloristike mjaft të ngrohtë (Figura 1, 2004; Figura 2, 2004) e në disa të tjera ai krijon me penelatat e tij lëvizje “vibruese” të ngjyrës (Balerinat, 2004) apo dhe njolla gati abstrakte të imazhit (Fluturimi, 2004). Në veprat e Pepës në pikturë imazhi kalon gati i mjegullt, gjë që vjen nga vëmendja dhe kujdesi që ai tregon mbi lëvizjen e ritmit të penelit apo dhe të njollave të përafërta (Kompozim, 2004). Peneli në tablotë e Pepës është shprehës. Tablotë edhe pse me imazhe figurative të ndryshme kanë unitet stilistik. Artisti Ardian Pepa është i pranishëm me veprat e tij në aktivitetet artistike kombëtare dhe ndërkombëtare brenda Shqipërisë. Veprat e tij tashmë janë pjesë e koleksionistëve shqiptarë e të huaj. Për lexuesit e revistës “Monitor” Pepa ka ofruar 8 vepra në skulpturë dhe pikturë. Çmimi i tyre luhatet nga 3501200 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.