Në vendet ku COVID-19 është ende i përhapur masivisht, qeveritë duhet t’u kërkojnë qytetarëve të mbajnë maska në hapësira publike me shumë njerëz
Pandemia është treguar mizore me ndjekësit e modës. Dyqanet janë mbyllur dhe blerjet online mund të shfaqen vetëm përmes prizmit të mërzitshëm të Zoom. Sidoqoftë, ekziston një copëz drite në këtë natë të errët për adhuruesit e modës. Ata kanë mundësinë të shprehin veten përmes artikullit më të fundit të këtij sezoni: maskës së fytyrës, shkruan The Economist.
Fakti që tregu për maska elegante është shumë i zhvilluar në Paris, nuk është aspak për t’u çuditur, por shpjegimi nuk qëndron vetëm në shijen e hollë të qytetarëve të tij. Që nga 11 maji, parisienëve u kërkohet të mbajnë maska në transportin publik ose të paguajnë një gjobë prej 135 eurosh (150 dollarë), kështu që qëllon rrallë të shohësh ndokënd pa maskë në metro. Në të kundërt, në metronë e Londrës, ku qeveria thjesht i këshillon qytetarët të vënë maskë, vetëm një e treta e njerëzve e mbajnë atë.
Në shumicën e vendeve të pasura, qeveritë tani u kërkojnë qytetarëve të mbajnë maska kur ndodhen në hapësira të mbushura me njerëz. Britania dhe Amerika janë ndër të paktat përjashtime. Në Amerikë, ku vetëm disa shtete pranë bregut lindor i kanë bërë të detyrueshme maskat, çështja është infektuar nga polarizimi politik që ka dëmtuar administrimin e pandemisë në vend. Kjo është për të ardhur keq, sepse maska mund të shpëtojë jetë dhe të lejojë njerëzit të kthehen në punë.
Njerëzit në përgjithësi i shohin maskat si mjete mbrojtëse nga pluhurat në ajër. Kjo është e vërtetë. Por në rastin e Covid-19, puna e tyre më e rëndësishme është të mbrojnë të tjerët nga një mbartës i infektuar. Kjo për shkak të një prej veçorive karakteristike të kësaj sëmundjeje: duket se infeksionet nga njerëzit që nuk kanë simptoma ose ende nuk i kanë shfaqur ato, përbëjnë rreth një të tretën deri në gjysmën e rasteve. Pra, edhe nëse të gjithë personat me simptoma qëndrojnë në shtëpi, virusi prapë do të përhapet. Distancimi social mund të ndihmojë, por është e vështirë ta ruash atë në vende plot me njerëz. Maska bllokon piklat e frymëmarrjes që mbartin virusin, duke i bërë situatat e rrezikshme më të sigurta.
Në kohë normale, qeveritë duhet të kërkojnë prova të forta, përpara se të mbështesin praktika të reja shëndetësore, duke ndërmarrë prova klinike ku një grup i trajtuar krahasohet me një grup kontrolli. Por këto nuk janë kohë normale, dhe nevoja për shpejtësi e bën atë të pamundur.
Për më tepër, ka shenja që tregojnë se maskimi është i dobishëm. Edhe shallet e fytyrës të bëra në shtëpi mund të bllokojnë pështymën. Eksperimentet tregojnë se një peshqir për çajin që vendoset përpara gojës dhe fytyrës, mund të bllokojë 60% të piklave – këto nuk janë aq efikase sa një maskë mjekësore, por shumë më mirë sesa asgjë. Pra nuk qëndron shqetësimi se këshillimi i publikut për të mbajtur maska do t’i privojë punëtorët shëndetësorë nga pajisjet jetike.
Suksesi i vendeve të Azisë Lindore në kontrollin e sëmundjes është i lidhur me përdorimin e maskave. Në shumë qytete të atjeshme, maskat janë vënë për vite me radhë për t’u mbrojtur kundër ndotjes ose sëmundjeve, kështu që njerëzit i mbuluan menjëherë fytyrat sapo dëgjuan lajmin e ardhjes së COVID-19. Në Perëndim, mbajtja e maskës është një koncept i huaj. Dhe në të gjitha vendet ku ajo është praktikë e zakonshme, epidemia është frenuar shpejt.
Kjo nuk është provë e padiskutueshme në favor të maskave. Ka edhe faktorë të tjerë që i dallojnë vendet ku mbahen maska nga vendet perëndimore ku nuk mbahen: disa (si Koreja e Jugut) kishin sisteme të rrepta gjurmimi; të tjerë (si Japonia) nuk shtrëngojnë duart. Dhe vendet ku maskat u përdorën vetëm kohët e fundit (si Gjermania) e kanë përmbajtur me sukses epideminë.
Megjithatë, kombinimi i këtij eksperimenti natyror global, studimeve laboratorike dhe transmetimit asimptomatik, tregon se maskat mund të ndihmojnë në sigurinë e njerëzve. Argumenti përfundimtar është kostoja. Karantina i shkatërron ekonomitë. Distancimi social i dëmton ato. Ndërsa maskat kushtojnë fare pak. Ato nuk mund ta ndalin të vetme një epidemi. Larja e duarve, sistemet e gjurmimit dhe testimi në masë janë të gjitha thelbësore. Por maskat luajnë rolin e vet në përpjekjen për të mbrojtur njerëzit dhe për të rindërtuar ekonomitë. Dhe për më tepër, mund të jenë edhe me stil.